Shërbimi i noterisë do të kthehet në One Stop Shop, ku nga 1 janari 2016 i gjithë shërbimi i shit-blerjes dhe regjistrimit të pronave do të bëhet pranë noterit duke mos shkuar fare në hipotekë. 

Këtë projekt e promovoi ministri i Drejtësisë gjatë një takimi me noterët ku shtoi se shumë shpejt zyrat noteriale do të lidhen online dhe me agjensinë e pastrimit të parave për të parandaluar që tek noteri të legalizohen paratë e pista.

“Që nga data 1 janar qytetarët e Republikës së Shqipërisë do të duhet të marrin shërbim dhe çelsat në dorë tek zyrat e noterit pa qenë e nevojshme të shkohet në ZRPP ose le të themi hipotekë. Do të duhet të aktivizojmë shërbimin e noterisë edhe për çështje të tjera sidmos me çështje që lidhen me pastrimin e parave, sepse moda e fundit ju e dini është që iket nga zyra e noterisë dhe kush ikën nga zyra e noterit është e sigurtë që bën një pisllëk,” tha Manjani.

Në takim ishte i pranishëm dhe kreu i Dhomës së Noterisë italiane Maurizio D'errico ku u fol dhe për binjakëzimin e shërbimeve të noterisë, me fokus shërbimin e unifikuar për qytetarët italian që jetojnë në Shqipëri dhe shqiptarët në Itali.

Nga ana e tyre noterët kërkuan nga ministri Manjani, të ndërhyjë për të sistemuar shpërndarjen e noterisë në vend pasi rezulton se shumë licensa të dhëna për të ofruar këtë shërbim jashtë Tirane kanë hapur zyra në kryeqytet.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)