'Shqipëria lider në rajon në qeverisjen digjitale', Rama: Bëmë revolucion pasi hoqëm nga prehri LSI, 95% e shërbimeve online! Kemi tkurrur korrupsionin

Gjatë prezantimit të programit të PS për Shërbimet për Qytetarët dhe Biznesin kryeministri Edi Rama premton se në mandatin e tretë qytetarët do të mund t'i kryejnë përmes telefonit të gjitha shërbimet. Sipas tij çdo qytetar që kërkon një shërbim apo një dokument nuk ka nevojë të shkojë në sportele, por mund ta marrë përmes telefonit apo kompjuterit.

Në 7 vite, Rama tha se qeveria realizoi një revolucion dixhital duke ofruar përmes portalit e-albania 95% të shërbimeve online. Para 7 vitesh sipas Ramës qytetarët rrinin në radhë për vërtetime, për të paguar dritat apo qoftë edhe çmimet afrofe, por sot sipas tij është bërë një revolucion. Kryeministri theksoi tha se dixhitalizimi mori hov pasi ai mori i vetëm timonin e hoqi nga qeverisja LSI.

Kreu i qeverisë e cilësoi Shqipërinë, lider në rajon sa i takon qeverisjes digjitale. Gjatë fjalës së tij, Rama thekoi se në këto shtatë viteve, është zhbërë ryshfeti dhe korrupsioni nëpërmjet shërbimeve qeveritare të ofruara online, për më tepër, njerëzit nuk janë të detyruar të presin për radhë të gjata.

“Gjërat kanë ndryshuar aq shumë. Nuk ishte 70 vjet më parë dhe as 27 vjet më parë por vetëm 7 vite më parë koha kur të gjithë ju për të marrë një copë letër që nga një certifikatë e zakonshme te një dokument vërtetimi duhet të rrinte në rradhë apo e keni harruar. Sa shumë rradha keni bërë për çdo copë letër para 7 vitesh. Më parë njerëzit paguanin për të marrë shërbime, Një dorë zgjatej e tërhiqej për të marrë ca dokumente për një vërtetim të vetëm. Për një vërtetim merrnit disa letra shko atje hajde këtu”, tha Rama.

Shefi i qeverisë në fjalën e tij është shprehur me me punën e bërë nga qeveria me revolucionin digjital është bërë i mundur përballimi më së miri i sfidave të pandemisë. Kryeministri riktheu në prezantimin e planit të socialistëve për shërbimet ndaj qytetarëve, kërkesën për timonin, ashtu si në vitin 2017. Rama u shpreh se ka vetëm një timon që e ka marrë në zgjedhjet e shkuara që e kërkon prapë, jo për vete, por siç tha ai për Shqipërinë dhe të ardhmen e fëmijëve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

VIDEO/Aktiviteti i plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:38
Rama: Marrja e përgjigjes online me nënshkrim, vulë elektronike për shërbimet në e-albania që janë aplikime, objektiv i mandatit të tretë

1616148272_rama.jpg

Kryeministri Edi Rama tha se marrja e përgjigjes online me nënshkrim, vulë elektronike për të gjitha shërbimet në e-albania që janë aplikime, është objektiv i mandatit të tretë.

“Nuk dua të shkoj në detaje për shëndetësinë elektronike që vazhdon, për pronën, 75 shërbime të kadastrës shqiptare sot merren nga e-albania. Ndërkohë që të tjera regjistrime dixhitale janë në proces në gjithë atë lesh e li. E pra çfarë duam të bëjmë në mandatin e tretë? Ne duam që certifikatat e pronësisë, vërtetimet, kartelat e pasurisë, që jepen sot me vulën elektronike, falë dixhitalizimit të 1.7 milionë pronave të shqiptarëve, të jepen për të gjitha pronat. Por kjo, do kohën e vet sepse çdo pronë duhet nxjerrë nga ato hartat e tmerrshme, ku prona të binte ndonjëherë në vrimë sepse paloseshin aq shumë hartat saqë ka ndodhur që në gjykatë, gjykatësi ka thënë e ke pronën në vrimë, sepse ishte tek cepi që kishte humbur prona. E kështu, realiteti i ri që ka filluar të krijohet në kadastër duhet konsoliduar për të gjithë territorin e Shqipërisë. Kush do t’i bëjë këto? Kush? Nuk është e vështirë për ta gjetur. 

Marrja e përgjigjes online me nënshkrim, vulë elektronike për të gjitha shërbimet në e-albania që janë aplikime, është objektiv i mandatit të tretë.Dixhitalizimi i të gjithë arkivave fizike për ta rritur numrin e shërbimeve dhe për ta bërë shërbimin automatik, jo vetëm në aplikim dhe hajde merre, por apliko dhe merre mbrapa, nuk ke nevojë më fare për asnjë. Je ti zot, ti shkop kur i thonë fjalës. Megjithëse shkopi jam unë, zoti jeni ju”, tha Rama.

Ora 11:22
Rama: Në mandatin e tretë gjithçka do jetë online dhe për punonjësit e policisë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pasi të fitojnë mandatin e tretë nuk do të ketë më policë në rrugë që ndalojnë makinat për kontroll.

"E për të ardhur tek gjobat, gjobat, ato blloku – blloku dhe komisionet, ankesat, rradhët, është drejt fundit, po merr fund. Do ketë një sistem që ka filluar, por do kompletohet në mandatin e tretë ku nuk ke më lidhje, gjithçka është online dhe jo vetëm për punonjësit e policisë, por dhe për çdo qytetar me timon, gjithçka do jetë online.

Punonjësi i policisë kontrollon në kohë reale statusin e targës, të lejes së drejtimit, verifikon nëse ka masa të tjera, taksa të palikuiduara e kështu me rradhë. Ndërkohë që, cilido nga ata që merr një gjobë, nuk ka nevojë të shkojë në rradhë tek komisioni. Të kapën në rrugën Durrës- Rrogozhinë – Lushnje, je nga Vlora apo je nga Tropoja, duhet të shkosh në Lushnje se aty është komisioni, se je kapur aty. Ndërkohë që apelimi, gjithçka online.

Sot që flasim, ka ndodhur, është fakt, për mbi 50 mijë që kanë pasur pretendime për masat administrative për kundravajtjet rrugore dhe organet e Policisë kanë ndjekur pretendimin online, pa ato tmerret. Por me përfshirjen në sistem të monitorimit të trafikut, gjë që është në proces, nuk do shikoni më policë në rrugë. Policia do vijë vetëm atëherë kur duhet të vijë për ndihmë apo vetëm atëherë kur duhet të jetë aty për shkak të një aksidenti apo të një krimi, por nuk do jetë më aty duke pritur e duke përcjellë, duke ndaluar e duke lëshuar. Gjithçka do të jetë online", tha Rama.

Ora 11:18
'Monika tundi dheun për stresin ndaj maturantëve', Rama: Tani s'ke më nevojë të pranohesh në universitet me testerën e LSI, por falë meritës

Kryeministri Edi Rama, është ndalur tek të shërbimet që aktualisht ofrohen online.

Ai tha se sot njerëzit shumicën e shërbimeve e përfitojnë përmes platformave online dhe nuk është e nevojshme të presin në radhë, gjithashtu sipas tij, është zhbërë dhe korrupsioni e ryshfeti, për këtë përmendi hyrjen në universitet, ku tha se nuk është më e nevojshme që të kesh testerën e LSI, për t’u pranuar.

“Po hyrja në universitet? Me platformën sot si është? Po kur ishte? Para 700 vjetësh? Para 70 vjetësh? Para 27 vjetësh? Jo, jo, deri përpara disa vjetësh, koha kur na u hodhën në fyt, e para u hodh në fyt LSI-ja me Monikën që tundi dheun për stresin që po i krijohej maturantëve. Në fakt, ishte stresi që iu krijua LSI-së. Sepse nuk mundej më të fuste në universitet kë të donte, nuk mundej më që certifikatë hyrje për në universitet të kishte teserën e LSI-së dhe jo rezultatet e secilit të paprekshme. 

Sa shumë keni vuajtur të gjithë ju që ngisni makinën? Këtu unë nuk mund të flas në emrin tuaj se unë nuk e ngas makinën, unë një timon kam, atë që më dhatë në 2017 dhe që jua kërkoj përsëri, jo për vete, por për ju dhe sepse dua që im bir, i vogli dhe gjithë bashkëmoshatarët e tij të rriten këtu e të jenë krenar këtu për shtëpinë e tyre dhe kur ta lënë shtëpinë e tyre, ta lënë sepse kanë dëshirë të shkojnë diku tjetër, jo sepse nuk i mban dot shtëpia e tyre, për këtë e dua unë timonin.

E pra, timonin e makinave e keni ju, jo unë. Sa keni hequr me atë DPSHTRR, për lejet e qarkullimit, për gjithë ndërveprimet? Si i bëni sot? Revolucion! Po kush i bëri, Bill Gates? Apo i solli koha? Se disa thonë, i solli koha. Po pse i solli koha kur në drejtim jemi ne? Pse nuk i solli kur në drejtim ishin ata? Apo nuk ishte shpikur interneti? Sa herë e keni dëgjuar Shqipërinë digjitale? Shqipërinë internetuale, Shqipërinë mikrosuperfuqi globale, energjetike dhe solare? Ku ishin? Janë po ata që duan sot të rikthehen”, tha Rama.

Ora 11:17
Xhaçka: S'ka më skena të turpshme në konsullata! Do heqim rezervat e vulës Apostille! (VIDEO)

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka tha se me futjen e shërbimeve online, në zyrat e konsullatave nuk ka më nga ato pamjet e turpshme, ku shqiptarë ishin në radhë për të marrë një shërbim.

Fjala e ministres Xhaçka
Kur mendon për diplomacinë, për MEPJ automatikisht vetiu mendja të shkon tek temat e mëdha të diplomacisë. Marrëdhënie mes shteteve, marrëveshje, traktate, BE, OKB. Unë jam me fat që e marr drejtimin e kësaj ministrie në një moment vërtet të jashtëzakonshëm për diplomacinë shqiptare përsa i përket pikërisht këtyre temave të mëdha. Sepse është një fakt që gjatë viteve të fundit, diplomacia shqiptare ka arritur një nivel pjekurie që nuk e kishte njohur prej shumë e shumë kohësh.

Shqipëria është sot një vend që respektohet për politikën e saj të jashtme në rajon, në BE, në NATO. Vlerësohet për politikat konstruktive që ka luajtur në vijimësi në rajon duke u kthyer realisht në një faktor stabiliteti dhe pikë referimi për çdo iniciativë që ndodh në Ballkanin Perëndimor.

Vlerësohet për perfomancën vërtet profesionale që tregoi gjatë presidencës së OSBE, e cila u zhvillua nën kushte aspak normale për shkak të pandemisë që kufizoi lëvizjet e paralizoi udhëtimet duke bërë që edhe aktivitetet më normale, siç janë takimet fizike mes diplomatësh, të kthehen në një sfidë. A e mendoni dot një performancë të tillë, në një platformë kaq të rëndësishme sa OSBE nga diplomacia shqiptare e një dekade më parë?

Ne jemi sot në prag të një tjetër momenti historik, pasi Shqipëria është në prag të zgjedhjes së saj si anëtare jo permanente e Këshillit të Sigurimit të OKB për vitet 2022 – 2023. Pas 65 vjetësh anëtarësim në OKB, Shqipëria do të përfaqësohet në forumin më të lartë e më të rëndësishëm botërore, me një platformë dinjitoze, që përfaqëson jo vetëm interesat e Shqipërisë, por edhe të mbarë rajonit, e madje e harmonizuar edhe me interesat e prioritetet e partnerëve tanë strategjikë. Është një zhvillim i jashtëzakonshëm, që jo vetëm flet për maturinë që ka arritur diplomacia shqiptare, jo vetëm rrit prestigjin e Shqipërisë, por hap një dritare mundësish e shancesh për të avokuar për interesat tona atje ku merren vendimet më të rëndësishme në botën ku jetojmë.

Sigurisht, që ky është një moment shumë i rëndësishëm për diplomacinë tonë edhe për shkak të pikës jetike ku ndodhet sot procesi i integrimit. Kemi bërë shumë rrugë, kemi ndërmarrë shumë reforma transformuese e europianizuese, këmi përballuar shumë sfida e kosto, për të arritur deri tek kjo pikë ku jemi në prag të Konferencës së Parë Ndërqeveritare dhe hapjes reale të negociatave kapitull më kapitull me BE. E padyshim edhe pse ky është një proces që përfshin çdo institucion e çdo segment të shoqërisë shqiptare, është MEPJ ajo që ka barrën të nxisë përparimin e mëtejshëm, të lobojë pranë kryeqyteteve e kancelarive, të pasqyrojë qartë qëndrimet e Shqipërisë e të përballet me dyshimet, hezitimet e paragjykimet që ende i faturohen Shqipërisë nga ata që nuk na duan e ata që nga brenda Shqipërisë duan t’u japin argumente atyre që s’na duan.

Këto janë disa nga çështjet e prioritetet për të cilat është punuar shumë prej vitesh e po punohet shumë edhe sot që flasim. Por nëse ka pasur në këtë kohë të shkurtër që unë kam drejtuar MEPJ, një çështje për të cilën kam marrë më shumë telefonata, kërkesa, emaile, ankesa e lutje, e dini kush ka qenë? Çështja e njohjes reciproke të patentave me Italinë! Nëse do ta vendosnim nivelin e interesimit për çështje të ndryshme në një grafik, marrëveshja e patentave do të eklipsonte çdo çështje tjetër.

Dhe kjo çështje, është një kujtesë shumë e mirë e një të vërtete të thjeshtë: funksioni kryesor i MEPJ është t’u shërbejë qytetarëve, jo thjesht duke ndjekur prioritetet e mëdha strategjike të shtetit shqiptar, por mbi të gjitha duke ju ofruar qytetarëve shërbime, duke ju zgjidhur hallet e duke ju adresuar pritshmëritë në mënyrën më efikase, më cilësore, më profesionale e më transparente të mundshme! Aq më tepër, kur bëhet fjalë për një realitet si ky i joni, ku shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, janë të barabartë, në mos më të shumtë në numër sesa ne, që jetojmë këtu.

Qindra mijëra qytetarë shqiptarë në Greqi, Itali, Gjermani, Zvicër, Amerikë, Kanada, Angli e kushedi sa e sa shtete të tjera, kanë vetëm një mundësi për të marrë shërbimet që ju nevojiten e që meritojnë: përfaqësitë e shërbimit të jashtëm, misionet e konsullatat. Të gjithë i mbajmë mend skenat e turpshme nëpër konsullatat tona ku njerëzit rrinin në radhë e dyndeshin, ku ju duhej të humbisnin ditë të tëra duke ardhur shpesh nga qytete të largëta, për të marrë shërbimet më bazike.

Mua nuk më pëlqen të fle mbi dafina e të them që gjithçka është perfekte, nuk e kam zakon të kënaqem kollaj me punën e bërë, por mund të them me plot gojën që situata sot ndryshon si nata me ditën nga situata me të cilën bashkëatdhetarët tanë janë përballur për dekada të tëra dhe përmirësohet nga dita në ditë! Së pari, ka pasur një shtim të ndjeshëm në numrit të shërbimeve që ofrohen nga përfaqësitë tona, duke ofruar plot 44 shërbime. Lëshimi i çertifikatave të gjendjes civile është shtrirë në në 12 shtete tjera, në Itali, Hungari, Sllovaki, Austri, Bullgari, Republika Çeke, Kosovë, Kroaci, Japoni, Mal i Zi, Rumani, Turqi dhe Zvicrër dhe do të shtrihet gjatë këtij viti në 9 vende të tjera. Ndërkohë që ofrohet sot edhe Vërtetimi mbi Verifikimin e Gjendjes Gjyqësore (Dëshmi Penaliteti), Vërtetimi mbi Verifikimin e Lejes së Drejtimit, Vërtetimi i Vetë Deklarimit për Humbjen, Vjedhjen, Bllokimin dhe Dëmtimin të Pasaportës dhe Kartës Identitetit edhe para nëpunësit konsullor, etj.

Ndërkohë që krahas shtimit të shërbimeve është bërë edhe shkurtimi i dokumentacionit për shërbimet ku për procedurat konsullore kërkohen rreth 40 % më pak dokumente për 39 shërbime, një reduktim prej plot 75 dokumentesh. Dhe duhet theksuar këtu që formati i këtyre dokumenteve dhe procedura e shërbimeve janë sot plotësisht të standardizuara. Që do të thotë që kemi 82 formate dokumentesh të njehsuara dhe gjurmim dhe verifikim të statusit të çdo praktike. Krahas këtyre përmirësimeve, është bërë një punë shumë e mirë edhe për të përmirësuar ndjeshëm aksesin e qytetarëve shqiptarë anembanë botës tek shërbimet.

Aksesi është përmirësuar duke ndjekur format tradicionale, pra duke shtuar zyrat fizike ku ofrohen këto shërbime.

Janë shtuar zyrat konsullore për aplikime për pasaporta dhe karta identiteti pranë Ambasadave Shqiptare në Vjenë, Austri, Paris, Francë; në Berlin, Gjermani; në Stokholm, Suedi por edhe pranë Konsullatave në Bari për Italinë, Stamboll për Turqinë, duke e çuar kështu 14 numrin total të zyrave të aplikimit në mbarë botën. Dhe dua të theksoj në këtë pikë faktin që brenda vitit 2022 do të bëhet plani i hapjes së përfaqësive të përbashkëta konsullore me Kosovën, por edhe hapja e përaqësive të reja në SHBA dhe Kanada.

Impakti i këtyre ndryshimeve është qartësisht i dukshëm. Nëse në vitin 2017 ofroheshin 185 572 shërbime, në fund të vitit 2019 shërbimet arritën në 754 921, pra katër herë më shumë! Ndryshimi ka qenë jo vetëm sasior, por edhe cilësor, pasi tanimë shërbimi me prani fizike të qytetarit kryhet brenda ditës së punës, me verifikime paraprake, ndërkohë që konsultimi kryhet online dhe shërbimet monitorihen nga diplomatët.

Por padyshim tranformimi më i madh, ai që mund të quhet me të vërtetë një revolucion, është ofrimi i shërbimeve online përmes portalit e-albania. Falë mundësive që ofron teknologjia jemi sot në një pikë ku 90% e shërbimeve ofrohen në distancë dhe 10% me një paraqitje të vetme kur bëhet fjalë për detyrime ligjore siç janë prokurat, dokumente biometrike, etj.

Këto shërbime konsullore dixhitale janë prezantuar si standard në fillim te vitit 2017, si një mënyrë efikase për të përballuar fluksin e për të garantuar veprime të sigura e të shpejta, ku në portalin e-albania janë publikuar 38 shërbime konsullore, për 25 prej të cilave qytetarët s’kanë fare nevojë të paraqiten fizikisht, ndërkohë që një portal tjetër, e-visa.al është i dedikuar vetëm për vizat.

Janë marrë në total 1.3 milion aplikime!

Dhe më e rëndësishme është që shërbimet dixhitale eleminojnë atë që ishte makthi i qytetarëve shqiptarë jashtë vendit: lënia e ditës së punës, sorollatja, udhëtimi në distanca të largëta, kostot, dhe pasigurinë për marrjen e shërbimit pasi kishe bërë gjithë këto sakrifica. Dixhitalizimi i sherbimit konsullor nga ana tjeter, e mban sherbimin konsullor transparent, te monitorueshem ne kohe reale duke reduktuar ndjeshem korrupsionin.

Ne do të vazhdojmë punën për dixhitalizimin e plotë të aktivitetit dhe shërbimeve konsullore e dhënies së informacionit. Duke filluar fillimisht procesin për heqjen e plotë të rezervave të vulës Apostille në të cilën përfshihen të gjitha vendet e BE-së apo realizimin e pagesës online për të gjithë shërbimet që ofrohen nëpërmjet portalit e-Albania cka shihet si një nevojë imediate.

Ky është një proces, jo i lehtë dhe shpesh është e lehtë të harrosh sa shumë punë është bërë sepse qytetarët me të drejtë kërkojnë më shumë cilësi e më shumë lehtësi. Dhe është kjo arsyea përse pikërisht ofrimi i këtyre shërbimeve është sot një prioritet siç nuk ka qenë kurrë më parë.

Unë jam krenare për punën e bërë, jam me fat për mbështetjen që kemi për të gjithë këto projekte transformative në ofrimin e shërbimeve nga Kryeministri i cili ka qenë në fakt që në krye të herës iniciatori i këtyre nismave të digjitalizimit. Dhe i garantoj qytetarët që ashtu siç kemi luftuar për ta sjellë transformimin deri në këtë pikë ku jemi sot, do të vazhdojmë të punojmë edhe pas 25 prillit për ta çuar këtë proces akoma më përpara.

Ora 11:08
Karçanaj: Çdo aplikim tek e-Albania, me vulë e nënshkrim elektronik

Drejtuesja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj, e pranishme në prezantim, si përfaqësuesja e institucionit kyç në Shqipëri për zhvillimin digjital, u shpreh se shumë shpejt do të bëhet e mundur që çdo shërbim të jepet me vulë elektronike, me përgjigje direkt online, për të gjitha aplikimet në portalin e-Albania.

“Plani ynë i veprimit për vitet e ardhshme do garantojë një vend më të drejtë, një ekonomi më të zhvilluar, një të ardhme më të sigurt. Tani që kemi investuar kaq shumë në trajnimin e administratës, në infrastrukturë, në digjitalizim, në rrjete të sigurta e përmirësim sistemesh që ndërveprojnë me njëri-tjetrin, nuk mund të rrezikojmë të kthehemi te radhët dhe korrupsioni.  e-Albania është investimi më i madh teknologjik mbështetur fuqimisht nga vizioni i kryeministrit Rama dhe besimi i tij i vazhdueshëm për gjithë procesin e digjitalizimit,” u shpreh Karçanaj.

Duke radhitur një pas një, të gjitha arritjet e-Albanias në shtatë vitet e fundit, drejtuesja e AKSHI-t, përmendi rritjen e madhe të numrit të shërbimeve elektronike, përfitimin në kohë reale me vulë elektronike të dokumenteve, certifikatave e vërtetimeve dhe aplikimin në kohë të shpejtë për qindra procedura të ndryshme. Mbi të gjitha,  reagimin e saktë e të frytshëm në kohë tërmeti e pandemie, dy sprova të fuqishme, që siguruan qytetarët dhe biznesin se e-Albania është mundësia e vetme dhe e sigurt për komunikimin e drejtpërdejtë me institucionet shtetërore.

“Sot ne kemi 1207 shërbime elektronike në e-Albania. Kishim vetëm 50 mijë të regjistruar në platformë, sot janë 1.88 milionë qytetarë dhe biznese; 7.7 milionë aplikime të kryera prej tyre pa ecejake, pa sorrollatje, pa lekë nën dorë, pa lloj-lloj letrash e tarifash që kërkoheshin nga xhepat e qytetarëve. Rritja e shërbimeve online u kurseu qytetarëve 472 vite pritje në radhë dhe rreth 4 milionë euro”, theksoi kreu i AKSHI-t.

 

Për biznesin, - tha Karçanaj, - çdo veprim kryhet me një ndalesë online në platformë, ndërkohë që procesi i fiskalizimit, që është në vazhdë e sipër, do të sigurojë raportimet në kohë reale. Pa harruar emigrantët, të rinjtë, pensionistët, fermerët, personat më aftësi të kufizuara, të papunët, personat në nevojë për ndihmë e kujdes mjekësor, e-Albania – shtoi më tej  Karçanaj, - bëri të mundur që Shqipëria sot të ketë një tjetër realitet, të vlerësuar nga organizata të rëndësishme ndërkombëtare, si DASH, OECD, BE, ReSPA, etj.  

Drejtorja e AKSHI-t, njoftoi edhe se në planin e veprimit për vitet e ardhshme do të digjitalizohen më tej arkivat fizike të institucioneve, me qëllim përmirësimin e shërbimeve online dhe kursimin e kohës dhe parave.

Ora 10:50
Rama: Unë 1 timon kam, atë që më dhatë në 2017, e dua përsëri për fëmijët tanë

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar mandatin e 3 për të përmirësiuar qeverisjen në mënyrë që fëmijët të rrinë në shtëpinë e tyre.

“E dua timonin për fëmijët tanë Hyrja në universitet me platformën sot si është, deri përpara disa vjetësh koha kur na u hdodhënnë fyt e para LSI që tundi dheun për stresin që u krijoi maturantëve në fakt ishte stresi që u krijoi lsi. Unë 1 timon kam atë që mëdhatë në 2017 e që ua kërkoj përsëri jo për vete po për ju sepse dua që im bir dhe bashkëmoshatarët e tij të rriten e të jenë krenarë për shtëpinë e ta lënë shtëpinë se duan të shkojnë diku tjetër jo se si mban shtëpia., Timonin e keni ju jo unë., Sa keni heq me atë DPSHTRRRR për lejet e qarkullimit, si i bëni sot revolucion. Sa herë e kishim dëgjuar shtëpinë internetale.Ku ishin janë po ata që duan të rikthehen”

Ora 10:46
Rama: Si merrej dëshmia e penalitetit para se të hiqnim nga prehri atë që gjënë, që sot është në fytin e Lulit e që quhet LSI (VIDEO)

Gjatë prezantimit të programit për shërbimet për qytetarët dhe biznesin kryeministri Edi Rama ka thumbuar LSI dhe kreun e PD Lulizim Basha.

“Më tutje, le t’i marrim me radhë ndryshimet që kanë ndodhur falë revolucionit dixhital.

U nis me certifikatën e famshme, personale dhe familjare, vazhdoi me certifikatat e akteve të cilat printohen nga shtëpia. Pa kosto. Ju kujtohet sa duhet të paguanit për një certifikatë mbasi mbanit radhë? Ndërkohë jemi angazhuar me dixhitalizimin e të gjitha ekipeve të gjendjes civile. Nuk është një fjalë goje, është një punë super voluminoze, regjistër për regjistër, emër për emër, familje për familje, vit për vit,  në mënyrë që lëshimi i certifikatave të bëhet online, edhe për periudhën 1974 – 2010, që është periudha e fundit që ka mbetur pa u dixhitalizuar, ndërkohë që gjithçka tjetër vjen mbrapa, dixhitalizohet automatikisht. 

Po për dëshminë e penalitetit? A e mbani mend apo jo se sa herë ju është dashur pa pasur fare lidhje me asgjë në të shkuarën nga pikëpamja e marrëdhënies me ligjin, por për arsye të ligjit që kërkon dëshmi penaliteti për një aktivitet apo një tjetër, për një dosje vërtetimesh, për kërkimin e një dokumenti tjetër, që kur keni shkuar për të marrë dëshminë e penalitetit, duhet të paraqiteshit në postë, duhet të paguanit 4200 lekë, duhet të prisnit 14 ditë, teorikisht 14 ditë se pritja mund të zgjaste edhe 14 muaj ose nëse do donit ta afronit tek 14 ditëshi, duhet të shkonit prapë, duhet të tundnit xhixhat, apo jo, duke rrezikuar të humbisni mundësinë për të aplikuar për atë punë të dëshiruar apo për atë licencë të kërkuar apo për çfarëdo qoftë tjetër që kërkon dëshminë e penalitetit.

Sot, dëshmia e penalitetit merret pa lëvizur fare nga shtëpia, pa lëvizur nga vendi edhe nëse je jashtë shtetit me pushime, pa asnjë kosto dhe brenda 5 ditësh vjen automatikisht me vulën elektronike. A ju kujtohet apo jo? Nuk ishte para 70 vjetësh, ishte deri para 7 vjetësh, deri para 6 vjetësh, deri para 5 vjetësh, ishte faktikisht deri përpara sesa me ndihmën tuaj ne të hiqnim nga prehri atë gjënë, se gjë është, atë gjënë që sot është në fytin e Lulit që quhet LSI. 

Të rinjtë shqiptarë aplikojnë online për fondin e ekselencës, regjistrohen në shkollat profesionale, marrin vërtetimin dhe njehsimin e diplomave, por ata që e kanë kaluar këtë aventurë në të shkuarën, a ju kujtohet? Për të marrë vërtetimin dhe njehsimin e diplomës, sa mund të zgjaste? Po provimet e shtetit ku sot rezultatet e provimit i merr direkt në smartphone, ti i merr direkt në kompjuter, ti mund ti printosh, me vërtetimin me vulë elektronike.  Dëftesat do të printohen me vulë elektronike, sapo të mbarojë dixhitalizimi i gjithë sistemit para universitar dhe do të fillojnë të përdoren qysh në vitin e ardhshëm shkollor”, tha Rama.

Ora 10:24
'S’është më drejtori X dhe banda e tij që vendos ku të godasë', Rama: Marrëdhëniet biznes – shtet, biznes – biznes, biznes – konsumator, online (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ndërsa flet për shërbimet thotë se ka ndodhur revolucioni digjital. Sipas Ranës dikur marrëdhënia ishte kalvar kontaktesh dhe vendosin drejtorët.

“Vazhdojmë me biznesin. Me një ndalesë të vetme, një, biznesi kryen të gjithë ciklin që i duhet në raport me shtetin. Ndërkohë që, deri dje, marrëdhëniet biznes – shtet ishin një kalvar kontaktesh, dokumente, dokumente, dokumente.  Ik, kthehu. Ik, kthehu. Hajde, futu. Dil, paguaj, paguaj, paguaj.

Ndërkohë që, sot flasim për hapjen e një biznesi të ri për aplikime për leje e licenca, për pagesa taksash, për dorëzim bilancesh, pagesa tatimore, vërtetime të ndryshme me vulë elektronike, ekstraktet të QKB, veprime përmbarimore. Të gjitha këto sot janë klikime dhe pas çdo dërgimi, vihet në lëvizje atje makineria e administratës që as nuk të sheh, as nuk të kontakton dot, as nuk të vë dot nën presion, por thjesht turret për të mbledhur dokumentet që duhen nga baza jote e të dhënave në të gjitha zyrat e shtetit, për të marrë ti, po aty nga e nise, tek smartphone ose tek kompjuteri atë që ti kërkon.

Letra zero! Nëse do të kishim mbledhur letrat që kemi kursyer për të vendosur një stivë, do të kishim një mal disa herë më të lartë se Himalajet.  Ky është fakt, nuk është opinion!  Një mal disa herë më të lartë se Himalajet, ndërkohë që asnjë letër nuk është dashur për të gjithë ata që kanë hyrë në këtë proces.

Sot biznesi ka një shqetësim. E kam dhe unë këtë shqetësim, nuk diskutohet, që si i bëhet që përfundimisht edhe në derën e çdonjërit që ka një biznes, të hyjë revolucioni dixhital e mos hyjnë më inspektorët, të mos hyjnë më taborët e atyre që rëndom për fat të keq vijnë për kontroll për shtetin dhe insistojnë për ryshfetin. Është edhe kjo, jo vetëm e mundur, por pjesë e planit tonë të veprimit, gjë për të cilën kemi filluar. 

Fiskalizimi!       Të gjitha marrëdhëniet biznes – shtet, biznes – biznes dhe biznes – konsumator, të gjitha online.

Një qendër, një tru elektronik, si kjo hapësirë këtu, tek Agjencia Kombëtarë e të Ardhurave ku procesohen të gjitha transaksionet që bëhen çdo sekondë në Republikën e Shqipërisë në kohë reale e nuk është më drejtori X, shefi Y, përgjegjësi XY dhe banda e tij e vockël, që vendos se ku të shkojë, ku të godasë e ku të harbojë, por është truri elektronik që jep sinjale për çdo lëvizje të dyshimtë, për çdo fluks transaksionesh në një biznes apo në një tjetër që bie papritur.

A është një rënie që lidhet me mbylljen sot të dyqanit sepse pronari ka shkuar në dasmë, sepse larg qoftë ka pasur për të nderuar dikë në një funeral, sepse ka një arsye shëndetësore apo është një hile?", tha Rama.

Ora 10:22
Rama: 95% e shërbimeve janë online, 7 vite më parë ishin 1%! Kemi tkurrur korrupsionin! Shqipëria lider në rajon në qeverisjen digjitale (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të programit “Rruga drejt 25 prillit-Shërbimet për Qytetarët dhe Biznesin”, ka deklaruar se 95% e shërbimeve që bëjnë zyrat e shtetit për dokumenta janë online ndërsa sipas tij para 7 vitesh ishin vetëm 1%.

“Kujtohuni se në sa shumë radhë iu është dashur të qëndroni, pavarësisht moshës që nga nxënësit e maturës për të shkuar në universitet, tek pensionistët në moshën më të thyer për të marrë një vërtetim pensioni. Sa shumë radhë keni bërë për çdo copë letër dhe sa herë, sa shpesh në ato radhët e bëra iu është dashur të ballafaqoheni me fytyrën indiferente, me fytyrën fyese, poshtëruese të shtetit kur iu është thënë: “ik, hajde nesër”, “ik s’kam mundësi sot”. “Ik, ik, kthehu, kthehu”.

Dhe në sa shumë raste ju është dashur të paguani për të kaluar radhën, të paguani për të gjetur një rrugë më të shkurtër që ajo e shkretë copë letër që iu takon me ligj dhe me zakon t’ju vijë në dorë.

A ju kujtohet, se mirë dritat venin e vinin sipas humoreve të perëndisë apo natyrës ose sipas këputje - shkëputjeve të një kompanie të kthyer në një makth për ju, por edhe kur duhet të paguanit ato fatura afrofe, jo sipas asaj që kishit konsumuar, por sipas asaj që iu caktonin të paguanit, duhet të rrinit në radhë.

Duhet të rrinit në radhë shpesh herë në rrugë, në shi, në diell. Për çfarë? Për të paguar.  A ju kujtohet se në sa shumë raste, në sa shumë raste, sidomos ata që kanë patur shpesh nevojën për të marrë dokumente iu është dashur të kërkoni një mik, të kërkoni një emër, një mbiemër të njohur, të kërkonit një krushk, një fqinj për t’iu ardhur në dorë ajo e shkretë copë letër.

Këto ishin sportelet tuaja, ky ishte shteti juaj, shteti ynë, deri përpara 7 vitesh.

Kjo ishte e gjithë çka ndodhej pas sporteleve, pas atyre sporteleve të zymtë ku një dorë zgjatej e tërhiqej, zgjatej e tërhiqej për të marrë sa dhjetëra nganjëherë dokumente që ju vetë duhet të grumbullonit për një vërtetim të vetëm.

Shko atje, ik atje, shko andej, dil andej, ik prapë, kthehu dhe sa shpesh ajo dorë që merrte dosjet tuaja zgjatej drejt jush me një zë krejt indiferent që iu thoshte: ik plotësoje, ik, shko.

E pra deri 7 vjet më parë. Po sot?

Natyrisht ka ende sot, jo pak njerëz që duan të shkojnë në sportele, por faktikisht, kush nuk do të shkojë në sportel, nuk ka nevojë të shkojë sepse janë 1207 shërbime nga 3 a 4 që ishin deri para 7 vjetësh, ose e thënë ndryshe 95% e shërbimeve që bëjnë zyrat e shtetit për dokumente për qytetarët, janë në xhepin tuaj, në iphone-in tuaj ose në kompjuterin e shtëpisë tuaj. Natyrisht që e gjithë kjo, përveç të tjerave ka lidhje dhe me atë famëkeqin dhe torturuesin; korrupsionin.

Ka lidhje me ato fjalë që janë bërë makthi i shoqërisë sonë për vite e vite; ryshfet, bakshish. Nëse shohim sesa shumë prej jush janë spostuar tanimë nga sportelet te ndërveprimet me shtetin online, llogaria është shumë e thjeshtë. Po aq ka rënë edhe korrupsioni, po aq ka rënë dhe fuqia e ryshfetit që ekziston patjetër, por që sot është tkurrur masivisht së paku në atë nivel ku ishte masivisht i përhapur, niveli i marrëdhënies së drejtpërdrejtë qytetar-shtet në një sportel.

1% ishin shërbime online deri para 7 vjetësh.  95% janë sot, por shikoni çfarë ndryshimi. Kur ne e kemi filluar revolucionin digjital kemi numëruar gjithsej 51 mijë aplikime. Çfarë janë 51 mijë aplikime për shërbime kryesisht të pamarra asokohe, aplikime të mbetura në icloud në krahasim me 7.7 milionë aplikime të bëra në vitin 2020 me përgjigje të marrë”, tha Rama.

Rama tha se para 7 vitesh qytetarët rrinin në radhë për vërtetime, pensionet, për të paguar dritat apo qoftë edhe çmimet afrofe. Kreu i qeverisë e cilësoi Shqipërinë, lider në rajon sa i takon qeverisjes digjitale

"Janë 7.7 mln aplikime të bëra në vitin 2020 me përgjigje të marrë. 50 mijë shqiptarë ishin të regjistruar, sot janë 1 000 087 shqiptarë. Deri në 2013 numri total i transaksioneve ishin 680 000, sot janë 145 000 000. Që mund të shtohen dhe do të shtohen sa më shumë të rritet pjesëmarrja dhe sa më pak njerëzit në vend që të ankohen për vonesën të përdorin platformën. Është shumë e thjeshtë. Dhe më e rëndësishme për një shumë të madhe dokumentesh që shteti lëshon duhej një numër dokumentesh të tjerë për të bërë aplikimin. Revolucioni nuk mund të bëhej pa e çuar tepsinë për skrap.

Vazhdon dhe do e transformojë këtë vend në një vend ku shteti është në xhepin e qytetarit për të marrë nga telefoni kërkesën për ta kthyer në një dokument të plotësuar. Për qytetarin dhe biznesin për të voglin dhe të madhin, të riun dhe të moshuarin. Shqipëria lider në qeverisjen digjitale në rajonin tonë ndërkohë që ishte bishti i kavallit deri 7 vite më parë,

Vazhdon dhe do e transformojë këtë vend në një vend ku shteti është në xhepin e qytetarit për të marrë nga telefoni kërkesën për ta kthyer në një dokument të plotësuar. Për qytetarin dhe biznesin për të voglin dhe të madhin, të riun dhe të moshuarin. Shqipëria lider në qeverisjen digjitale në rajonin tonë ndërkohë që ishte bishti i kavallit deri 7 vite më parë”, tha ai.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë