Xhaçka: S'ka më skena të turpshme në konsullata! Do heqim rezervat e vulës Apostille! (VIDEO)

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka tha se me futjen e shërbimeve online, në zyrat e konsullatave nuk ka më nga ato pamjet e turpshme, ku shqiptarë ishin në radhë për të marrë një shërbim.

Fjala e ministres Xhaçka
Kur mendon për diplomacinë, për MEPJ automatikisht vetiu mendja të shkon tek temat e mëdha të diplomacisë. Marrëdhënie mes shteteve, marrëveshje, traktate, BE, OKB. Unë jam me fat që e marr drejtimin e kësaj ministrie në një moment vërtet të jashtëzakonshëm për diplomacinë shqiptare përsa i përket pikërisht këtyre temave të mëdha. Sepse është një fakt që gjatë viteve të fundit, diplomacia shqiptare ka arritur një nivel pjekurie që nuk e kishte njohur prej shumë e shumë kohësh.

Shqipëria është sot një vend që respektohet për politikën e saj të jashtme në rajon, në BE, në NATO. Vlerësohet për politikat konstruktive që ka luajtur në vijimësi në rajon duke u kthyer realisht në një faktor stabiliteti dhe pikë referimi për çdo iniciativë që ndodh në Ballkanin Perëndimor.

Vlerësohet për perfomancën vërtet profesionale që tregoi gjatë presidencës së OSBE, e cila u zhvillua nën kushte aspak normale për shkak të pandemisë që kufizoi lëvizjet e paralizoi udhëtimet duke bërë që edhe aktivitetet më normale, siç janë takimet fizike mes diplomatësh, të kthehen në një sfidë. A e mendoni dot një performancë të tillë, në një platformë kaq të rëndësishme sa OSBE nga diplomacia shqiptare e një dekade më parë?

Ne jemi sot në prag të një tjetër momenti historik, pasi Shqipëria është në prag të zgjedhjes së saj si anëtare jo permanente e Këshillit të Sigurimit të OKB për vitet 2022 – 2023. Pas 65 vjetësh anëtarësim në OKB, Shqipëria do të përfaqësohet në forumin më të lartë e më të rëndësishëm botërore, me një platformë dinjitoze, që përfaqëson jo vetëm interesat e Shqipërisë, por edhe të mbarë rajonit, e madje e harmonizuar edhe me interesat e prioritetet e partnerëve tanë strategjikë. Është një zhvillim i jashtëzakonshëm, që jo vetëm flet për maturinë që ka arritur diplomacia shqiptare, jo vetëm rrit prestigjin e Shqipërisë, por hap një dritare mundësish e shancesh për të avokuar për interesat tona atje ku merren vendimet më të rëndësishme në botën ku jetojmë.

Sigurisht, që ky është një moment shumë i rëndësishëm për diplomacinë tonë edhe për shkak të pikës jetike ku ndodhet sot procesi i integrimit. Kemi bërë shumë rrugë, kemi ndërmarrë shumë reforma transformuese e europianizuese, këmi përballuar shumë sfida e kosto, për të arritur deri tek kjo pikë ku jemi në prag të Konferencës së Parë Ndërqeveritare dhe hapjes reale të negociatave kapitull më kapitull me BE. E padyshim edhe pse ky është një proces që përfshin çdo institucion e çdo segment të shoqërisë shqiptare, është MEPJ ajo që ka barrën të nxisë përparimin e mëtejshëm, të lobojë pranë kryeqyteteve e kancelarive, të pasqyrojë qartë qëndrimet e Shqipërisë e të përballet me dyshimet, hezitimet e paragjykimet që ende i faturohen Shqipërisë nga ata që nuk na duan e ata që nga brenda Shqipërisë duan t’u japin argumente atyre që s’na duan.

Këto janë disa nga çështjet e prioritetet për të cilat është punuar shumë prej vitesh e po punohet shumë edhe sot që flasim. Por nëse ka pasur në këtë kohë të shkurtër që unë kam drejtuar MEPJ, një çështje për të cilën kam marrë më shumë telefonata, kërkesa, emaile, ankesa e lutje, e dini kush ka qenë? Çështja e njohjes reciproke të patentave me Italinë! Nëse do ta vendosnim nivelin e interesimit për çështje të ndryshme në një grafik, marrëveshja e patentave do të eklipsonte çdo çështje tjetër.

Dhe kjo çështje, është një kujtesë shumë e mirë e një të vërtete të thjeshtë: funksioni kryesor i MEPJ është t’u shërbejë qytetarëve, jo thjesht duke ndjekur prioritetet e mëdha strategjike të shtetit shqiptar, por mbi të gjitha duke ju ofruar qytetarëve shërbime, duke ju zgjidhur hallet e duke ju adresuar pritshmëritë në mënyrën më efikase, më cilësore, më profesionale e më transparente të mundshme! Aq më tepër, kur bëhet fjalë për një realitet si ky i joni, ku shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, janë të barabartë, në mos më të shumtë në numër sesa ne, që jetojmë këtu.

Qindra mijëra qytetarë shqiptarë në Greqi, Itali, Gjermani, Zvicër, Amerikë, Kanada, Angli e kushedi sa e sa shtete të tjera, kanë vetëm një mundësi për të marrë shërbimet që ju nevojiten e që meritojnë: përfaqësitë e shërbimit të jashtëm, misionet e konsullatat. Të gjithë i mbajmë mend skenat e turpshme nëpër konsullatat tona ku njerëzit rrinin në radhë e dyndeshin, ku ju duhej të humbisnin ditë të tëra duke ardhur shpesh nga qytete të largëta, për të marrë shërbimet më bazike.

Mua nuk më pëlqen të fle mbi dafina e të them që gjithçka është perfekte, nuk e kam zakon të kënaqem kollaj me punën e bërë, por mund të them me plot gojën që situata sot ndryshon si nata me ditën nga situata me të cilën bashkëatdhetarët tanë janë përballur për dekada të tëra dhe përmirësohet nga dita në ditë! Së pari, ka pasur një shtim të ndjeshëm në numrit të shërbimeve që ofrohen nga përfaqësitë tona, duke ofruar plot 44 shërbime. Lëshimi i çertifikatave të gjendjes civile është shtrirë në në 12 shtete tjera, në Itali, Hungari, Sllovaki, Austri, Bullgari, Republika Çeke, Kosovë, Kroaci, Japoni, Mal i Zi, Rumani, Turqi dhe Zvicrër dhe do të shtrihet gjatë këtij viti në 9 vende të tjera. Ndërkohë që ofrohet sot edhe Vërtetimi mbi Verifikimin e Gjendjes Gjyqësore (Dëshmi Penaliteti), Vërtetimi mbi Verifikimin e Lejes së Drejtimit, Vërtetimi i Vetë Deklarimit për Humbjen, Vjedhjen, Bllokimin dhe Dëmtimin të Pasaportës dhe Kartës Identitetit edhe para nëpunësit konsullor, etj.

Ndërkohë që krahas shtimit të shërbimeve është bërë edhe shkurtimi i dokumentacionit për shërbimet ku për procedurat konsullore kërkohen rreth 40 % më pak dokumente për 39 shërbime, një reduktim prej plot 75 dokumentesh. Dhe duhet theksuar këtu që formati i këtyre dokumenteve dhe procedura e shërbimeve janë sot plotësisht të standardizuara. Që do të thotë që kemi 82 formate dokumentesh të njehsuara dhe gjurmim dhe verifikim të statusit të çdo praktike. Krahas këtyre përmirësimeve, është bërë një punë shumë e mirë edhe për të përmirësuar ndjeshëm aksesin e qytetarëve shqiptarë anembanë botës tek shërbimet.

Aksesi është përmirësuar duke ndjekur format tradicionale, pra duke shtuar zyrat fizike ku ofrohen këto shërbime.

Janë shtuar zyrat konsullore për aplikime për pasaporta dhe karta identiteti pranë Ambasadave Shqiptare në Vjenë, Austri, Paris, Francë; në Berlin, Gjermani; në Stokholm, Suedi por edhe pranë Konsullatave në Bari për Italinë, Stamboll për Turqinë, duke e çuar kështu 14 numrin total të zyrave të aplikimit në mbarë botën. Dhe dua të theksoj në këtë pikë faktin që brenda vitit 2022 do të bëhet plani i hapjes së përfaqësive të përbashkëta konsullore me Kosovën, por edhe hapja e përaqësive të reja në SHBA dhe Kanada.

Impakti i këtyre ndryshimeve është qartësisht i dukshëm. Nëse në vitin 2017 ofroheshin 185 572 shërbime, në fund të vitit 2019 shërbimet arritën në 754 921, pra katër herë më shumë! Ndryshimi ka qenë jo vetëm sasior, por edhe cilësor, pasi tanimë shërbimi me prani fizike të qytetarit kryhet brenda ditës së punës, me verifikime paraprake, ndërkohë që konsultimi kryhet online dhe shërbimet monitorihen nga diplomatët.

Por padyshim tranformimi më i madh, ai që mund të quhet me të vërtetë një revolucion, është ofrimi i shërbimeve online përmes portalit e-albania. Falë mundësive që ofron teknologjia jemi sot në një pikë ku 90% e shërbimeve ofrohen në distancë dhe 10% me një paraqitje të vetme kur bëhet fjalë për detyrime ligjore siç janë prokurat, dokumente biometrike, etj.

Këto shërbime konsullore dixhitale janë prezantuar si standard në fillim te vitit 2017, si një mënyrë efikase për të përballuar fluksin e për të garantuar veprime të sigura e të shpejta, ku në portalin e-albania janë publikuar 38 shërbime konsullore, për 25 prej të cilave qytetarët s’kanë fare nevojë të paraqiten fizikisht, ndërkohë që një portal tjetër, e-visa.al është i dedikuar vetëm për vizat.

Janë marrë në total 1.3 milion aplikime!

Dhe më e rëndësishme është që shërbimet dixhitale eleminojnë atë që ishte makthi i qytetarëve shqiptarë jashtë vendit: lënia e ditës së punës, sorollatja, udhëtimi në distanca të largëta, kostot, dhe pasigurinë për marrjen e shërbimit pasi kishe bërë gjithë këto sakrifica. Dixhitalizimi i sherbimit konsullor nga ana tjeter, e mban sherbimin konsullor transparent, te monitorueshem ne kohe reale duke reduktuar ndjeshem korrupsionin.

Ne do të vazhdojmë punën për dixhitalizimin e plotë të aktivitetit dhe shërbimeve konsullore e dhënies së informacionit. Duke filluar fillimisht procesin për heqjen e plotë të rezervave të vulës Apostille në të cilën përfshihen të gjitha vendet e BE-së apo realizimin e pagesës online për të gjithë shërbimet që ofrohen nëpërmjet portalit e-Albania cka shihet si një nevojë imediate.

Ky është një proces, jo i lehtë dhe shpesh është e lehtë të harrosh sa shumë punë është bërë sepse qytetarët me të drejtë kërkojnë më shumë cilësi e më shumë lehtësi. Dhe është kjo arsyea përse pikërisht ofrimi i këtyre shërbimeve është sot një prioritet siç nuk ka qenë kurrë më parë.

Unë jam krenare për punën e bërë, jam me fat për mbështetjen që kemi për të gjithë këto projekte transformative në ofrimin e shërbimeve nga Kryeministri i cili ka qenë në fakt që në krye të herës iniciatori i këtyre nismave të digjitalizimit. Dhe i garantoj qytetarët që ashtu siç kemi luftuar për ta sjellë transformimin deri në këtë pikë ku jemi sot, do të vazhdojmë të punojmë edhe pas 25 prillit për ta çuar këtë proces akoma më përpara.


Lajmi kryesor:

'Shqipëria lider në rajon në qeverisjen digjitale', Rama: Bëmë revolucion pasi hoqëm nga prehri LSI, 95% e shërbimeve online! Kemi tkurrur korrupsionin


B.K./b.ha./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë