/ATSH/- Qytetarët e Kukësit do të përfitojnë tanimë kujdes shëndetësor më të mirë, falë shërbimit të telemjekësisë dhe kapaciteteve të përmirësuara pas instalimit të pajisjeve të reja, si EKG-ja, aspiratorët dhe eko zemre në urgjencën e spitalit rajonal.
Qytetarët kuksianë nuk do të duhet tanimë që për trauma apo ndërhyrje të ndryshme të marrin rrugën drejt Tiranës. Nëpërmjet telemjekësisë, e cila mundëson një konsultë më të specializuar në kohë reale nga ekipet mjekësore të QSUT do të kursehen kohë dhe shpenzime të tepërta.
"Tashmë ne kemi përmbyllur ngritjen e sistemit të telemjekësisë në spitalet rajonale, por këtu është i veçantë përdorimi i një njësie mobile, përmes të cilës direkt nga ambjentet e urgjencës mund të përcjellim në Tiranë imazhet për një ekzaminim sa më të shpejtë, për të zgjedhur terapitë apo për të mundësuar dërgimin e pacientëve në kryeqytet", tha Ministri.
Ai shtoi se edhe në shërbimin e urgjencës disa pajisje të domosdoshme janë në dispozicion, qoftë monitori, aspiratori, pajisje për prodhimin e oksigjenit, në mënyrë që në problemin e parë të konstatuar të jemi të gatshëm.
Shërbimi i telemjekësisë ofron trajtim mjekësor, diagnostikues dhe kurues nëpërmjet mjeteve të telekomunikimit, kur përfituesi i shërbimit ndodhet në distancë.
Telemjekësia është instaluar në të gjitha spiatalet rajonale të vendit, në bashkëpunim me USAID.
Ndërsa pajisja e urgjencës me aparatura të reja u mundësua në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Zhvillim.