Reforma për shërbimin veterinar përmes një ligji të ri u prezantua sot nga ministri Panariti i cili theksoi se ky ligj synon mbylljen e kapitullit të fragmentizimit dhe informalitetit në këtë sektor dhe se kthen zyrtarisht në punë 1200 veterinerë me të drejta të plota

Në fjalën e mbajtur në konferencën “Reforma për Shërbimin Veterinar Shtetëror”, ministri Edmond Panariti tha se ligji i ri rregullon një sërë veprimtarish në fushën veterinare.

“Ligji për shërbimin veterinar formalizon 1200 veterinerë që kthehen zyertarisht të punësuar me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që derivojnë nga ligji i ri. Ligji rregullon edhe veprimtarinë e teknikëve të mesëm veterinarë. Në aspektin strukturor dhe organizativ, shërbimi veterinar mbyll kapitullin e fragmentimit, moskomunikimit, mungesës së bashkëveprimit, kaosit dhe mbivendosjes së përgjegjësive”, tha Panariti.

Ligji sipas ministrisë  i jep fund ndarjes institucionale mes shëndetit të kafshëve dhe shëndetit publik veterinar dhe krijon një shtrat të integruar përgjegjësish dhe institucionesh.

Ambasadorja Vlahutin: Bujqësia dhe kontrolli i ushqimeve, prioritete të BE­së
Ambasadorja e BE­- së në vendin tonë, Romana Vlahutin theksoi se bujqësia dhe kontrolli i ushqimit do të jenë ndër prioritetet e Bashkimit Europian, pas 5 prioriteteve kyçe dhe reformës në drejtësi. Gjatë fjalës së saj në konferencën për reformën në veterinari, ambasadorja Vlahutin tha se zinxhiri i dobët i komandës, ndarjet e paqarta të përgjegjësive, mangësitë në bashkëpunim dhe komunikim kanë ndikuar në punën e të gjithë shërbimit veterinar. “Ne nuk mund të rekomandojmë një zgjidhje të vetme apo një model të vetëm reference përsa i përket aspektit organizativ të sistemit veterinar. Shtete të ndryshme kanë qasje të ndryshme organizative për këtë shërbim. Deri më tash shërbimi veterinar ka pasur vështirësi administrative dhe institucionale që ndikojnë në punën e të gjithë shërbimit”­ deklaroi Vlahutin.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)