Shfajësohet nga akuzat për vrasje me paramendim atleti olimpik Oskar Pistorius. Gjykatësja e çështjes ku Pistorius akuzohej për vrasjën e të dashurës së tij ka rrëzuar të gjitha akuzat për vrasje me paramendim pasi prokuroria nuk arriti të paraqesë prova bindëse.

Gjykatësja e çështjes, Masipa tha se akuza nuk arriti të provojë që atleti vrau me qëllim të dashurën e tij Riva Stenkamp në 14 shkurt të vitit të kaluar. 

Vetë atleti afrikano-jugor ka mohuar tërësisht akuzat duke thënë se qëlloi pasi mendoi se një i huaj kishte hyrë në shtëpi. Gjykatësja Masipa tha se disa dëshmitarë kanë gabuar në interpretimin e tyre lidhur me të shtënat që kanë dëgjuar natën e Shën Valentinit, kur humbi jetën Riva Stenkamp.

Sipas gjykatëses, një pjesë e dëshmitarëve që kanë dëgjuar të shtënat kanë dhënë dëshmi konfuze mes atyre që kanë dëgjuar atë natë, atë që kanë dëgjuar nga të tjerët dhe informacionin që kanë marrë nga mediat. Për rrjedhojë, u rrëzuan dy dëshmitarë kyc për akuzën pasi binin në kundërshtim me ngjarjen sa i takon të shtënave dhe të bërtiturave.

Gjykatësja tha se nuk është aspak e qartë nëse i pandehuri kishte ndërmend të qëllonte, duke e cilësuar atletin si dëshmitar evaziv. Por ajo cka është më e rëndësishme, sipas gjykatëses, është se faktet nuk dëshmojnë një paramendim të vrasjes së Riva Stenkamp, cka rrëzoi dhe akuzën më të rëndë, atë të vrasjes me paramendim që parashikon 25 vjet burg deri në burgim të përjetshëm.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)