Shfaqja e parë në kinema 'Maks Velo', Veliaj: 'Do gjallërojë jetën në Laprakë! Investimet e bashkisë njësoj si në qendër, edhe në periferi

Kinemaja “Maks Velo” i është rikthyer qytetarëve të Laprakës si një hapësirë e re që pulson art dhe kulturë për komunitetin e zonës. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se investimet në art e kulturë do të shtrihen më tej dhe do të mbushin me jetë edhe zonat periferike të kryeqytetit. Sipas kryebashkiakut, këto investime shërbejnë edhe për rritjen e vlerës së pronës për qytetarët.

“Pritshmëria ime është që këtu të kemi një garë të shëndetshme me kinema “Agimin” dhe të përpilojmë një listë me aktivitete. Qendra e një qyteti është atje ku ka jetë. Po ka jetë këtu, atëherë kjo është qendra e Tiranës dhe nëse do e mbushim me jetë kinemanë, jam i bindur se aktivitetet e sheshit “Skënderbej” do të duken periferike, krahasuar me cilësinë e produkteve që mund të shohim e shijojmë këtu.

Ingrid Bergman thoshte se kinemaja ka aftësinë të futet në skutat, dhomat dhe cepat më të paimagjinueshme të shpirtit të njeriut. Shpresoj shumë që kjo ‘armë’ magjike, në vendin tonë - që duhet ta pranojmë, ka shumë toksinë, helm, thashetheme e shumë harxhime kohe - të na bëjë të vlerësojmë të bukurën dhe të fokusohemi te energjia e një pune të mirë”, u shpreh kreu i Bashkisë.

Sipas tij, investimet në art e kulturë e kanë bërë Tiranën Kryeqytetin Mesdhetar të Kulturës dhe Dialogut për vitin që vjen. Ai tha se ky titull do të shërbejë si një shtysë që, edhe hapësira të tjera të rikuperohen dhe të kthehen në asete për lagjet e komunitetet e kryeqytetit.

“Vjet kemi pasur 17 filma të Netflix, të gjuhëve të ndryshme, që ka xhiruar të paktën një fragment filmi në Tiranë. Krejt papritur po shikojmë se arti prodhoka edhe ekonomi. Ka shumë njerëz që thonë: “Ore, ne kemi halle të tjera, na duhet pak asfalt aty”.

Kur kemi ardhur këtu për herë të parë, për asfalt s’bëhej fjalë, por sot diskutojmë sa pallate na kanë ngelur pa veshur me kapotë, ndërsa kinemaja e re është gati të pulsojë jetë për komunitetin. Nga ne nuk do mungojë mbështetja për art dhe kulturë. Sebepi i të qenit Kryeqyteti i Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut do na japë edhe më shumë shtysë, që të gjejmë ndërtesa të tjera për t’i kthyer në kinema dhe hapësira arti”, tha Veliaj.

Ai përmendi disa nga investimet në infrastrukturë, të kryera në Njësinë 11, dhe kantieret që janë ende në proces. Veliaj u shpreh se kinema “Maks Velo do të jetë investimi më i madh shpirtëror, pas hapësirave të tjera fizike të rehabilituara në zonën e Laprakës.

“Sapo kemi hapur kantierin tjetër te Kthesa e Kamzës, kurse kantierin e Lundrës sapo e mbaruam. Stacioni i autobusëve për Shqipërinë Juglindore mbaroi, tani duhet të bëjmë një për Shqipërinë Perëndimore, Veriun dhe Jugun. Kthesa e Kamzës do të jetë një bashkim i stacionit të Trenit me stacionin e autobusëve. Unë besoj se kur janë bërë çerdhet, kopshtet, shkollat e reja - Lapraka ka disa nga shkollat më moderne se janë bërë të fundit - kur janë bërë rrugët e autostradës dhe pritet zgjatimi tjetër, unë besoj se investimi te shpirti, është ndoshta investimi më i madh pas hapësirave të tjera fizike", tha Veliaj.

Kinemaja “Maks Velo” synon që kjo zonë e qytetit të përfitojë gjallëri nëpërmjet artit të kinemasë, duke mundësuar shfaqjen e filmave shqiptarë dhe të huaj në sallat e kinemave, ideimin dhe zbatimin e programeve edukuese për fëmijë, aktivitete krijuese etj.

G.K/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

E 'dogji' me alkool dhe duhan, gjimnastja japoneze përjashtohet nga Lojërat Olimpike

E 'dogji' me alkool dhe duhan, gjimnastja japoneze përjashtohet nga Lojërat Olimpike