Prokuroria e Durrësit i ka paraqitur sot Gjykatës konkluzionet përfundimtare për cështjen penale të Aleko Perlesit dhe Drane Kolajn, që zhvillonin familjarisht një rrjet prostitucioni. Ajo i ka kërkuar sot Gjykatës që t'i dënojë edhe me 7-8 vjet burg për veprën penale "pastrim i produkteve të veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim, në kuadrin e mbulimit te natyrës së vërtetë të pronësisë.
Duke u referuar tek vendimi gjyqësor dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë si dhe tek vendimi gjyqësor dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, Prokuroria e Durrësit i kërkoi Gjykatës gjithashtu konfiskimin e:
a) toke arë 420 m2 në Rrethin Shijak
b) toke arë 2930 m2, në Rreth, Shijak
c)toke arë 2750 m2, ne Rreth, Shijak
Prokuroria e Durrësit ka kërkuar gjithashtu heqjen e sekuestros për llogaritë bankare në një bankë të nivelit të dytë në emër të Drane Kola, Athina Perlesi dhe Valbona Perlesi si dhe ngarkimin ndaj të pandehurve të shpenzimeve proceduriale në fazën e hetimeve në shumën 5.000 lekë.
Procedimi penal ndaj Aleko Perlesit dhe Drane Kolas nisi më 11 tetor të vitit 2013, pas kallëzimit të një në gruaje me inicialet Q.P. Sipas kësaj të fundit, Aleko Perlesi ndërtonte prona të paluajtshme nëpërmjet parave të fituara nga shfrytëzimi i prostitucionit dhe më pas i vendoste në emër të ish-bashkëshortes së tij, Drane Kolas.
Ky procedim penal filloi edhe mbi bazën e letërporosisë së autoriteteve gjyqësore franceze, të cilët nga ana e tyre kishin filluar hetimet për veprimtarinë e shfrytëzimit të prostitucionit në zonën “Nancy” të Francës të disa femrave shqiptare dhe rumune. Rrjetin e gjerë të prostitucionit shqiptar e rumun që shtrihej edhe në qytete të tjera si Avignon, Lyon dhe Toulous, Perlesi e drejtonte me djemtë e tij Dritan dhe Xhevahir Perlesi, si edhe me Mehmet Ademov.
Më datë 15 mars të vitit 2017, Aleko Perlesi u dënua me katër vjet e 8 muaj burg për “shfrytëzim prostitucioni me rrethana rënduese” në dëm të grave me iniciale V.P, E.M, K.D, etj. Këto të fundit ishin prostituta në Francë për llogari të “klanit” Perlesi që nga viti 2002, por u implikuan edhe në organizimin dhe kontrollin e prostitutave të tjera për llogari të të njëjtit klan. Ka qenë pikërisht ekzaminimi i parave të dërguara nga gratë e mësipërme në një bankë të nivelit të dytë përkundrejt Aleko Perlesit, që ka konfirmuar përfshirjen e tij në prostitucion.