Ministria e Financave ka bërë të ditur përmes një njoftimi se të ardhurat totale për 12 mujorin e vitit 2025, arritën në rreth 754.6 miliardë lekë.

Ndërsa shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 12 mujore të vitit 2025, sipas Ministrisë së Financave arritën në rreth 801.7 miliardë lekë.

Njoftimi i Ministrisë së Financave:

Përmbledhje e Performancës Paraprake të të Ardhurave dhe Shpenzimeve për periudhën 12 mujore 2025

Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën Janar-Dhjetor 2025 reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.

Të ardhurat totale, për 12 mujorin e vitit 2025, arritën në rreth 754.6 miliardë lekë.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 12 mujore të vitit 2025, arritën në rreth 801.7 miliardë lekë.

Performanca Paraprake e të Ardhurave dhe Shpenzimeve për 12 mujorin 2025:

Të ardhurat totale, për periudhën 12 mujore 2025, arritën në rreth 754.6 miliardë lekë ose 98 % e planit të periudhës, një realizim në masën 99.7 % të planit vjetor sipas buxhetit fillestar. Krahasuar me 12 mujorin 2024, u mblodhën rreth 44 miliardë lekë ose 6.2 % më shumë.

Të ardhurat e arkëtuara nga Tatimet dhe Doganat, për periudhën Janar-Dhjetor 2025, janë në shumën 496.2 miliardë lekë, 39.2 miliardë lekë më shumë se sa periudha Janar-Dhjetor 2024 ose 8.6 % më shumë.

Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare), për periudhën Janar-Dhjetor 2025, u realizuan në vlerën 239.7 miliardë lekë, 10.2 miliardë lekë ose 4.4 % më shumë se Janar-Dhjetor i vitit 2024, një realizim në masën 98.2 % të planit të periudhës për të ardhurat doganore, për vitin 2025.

Të ardhurat nga TVSH në import, për periudhën Janar-Dhjetor 2025, janë 158.7 miliardë lekë, 4.4 miliardë lekë ose 2.8 % më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Të ardhurat nga akciza, për periudhën Janar-Dhjetor 2025, janë realizuar në shumën 69.6 miliardë lekë, 6.2 miliardë lekë ose 9.7 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024.

Të ardhurat e arkëtuara nga renta minerare në eksport, për periudhën Janar-Dhjetor 2025, janë në shumën 1.9 miliardë lekë, me realizim prej 93.2 % kundrejt planit të periudhës.

Të ardhurat nga taksat doganore, për periudhën Janar-Dhjetor 2025, janë në vlerën 9.5 miliardë lekë, 514 milionë lekë ose 5.7 % më shumë se Janar-Dhjetori i vitit 2024, si dhe realizim prej 92.4 % kundrejt planit të periudhës.

Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale), për periudhën Janar-Dhjetor 2025, u realizuan në shumën 256.5 miliardë lekë, 29.1 miliardë lekë ose 12.8% më shumë se Janar-Dhjetori i vitit 2024. Krahasuar me planin, të ardhurat e mbledhura janë 1 miliardë lekë ose 0.4 % më shumë.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizuan në shumën 68.5 miliardë lekë, 8.9 miliardë lekë ose 14.9 % më shumë se periudha Janar-Dhjetor 2024, dhe me realizim në shumën prej +2.7 miliardë lekë ose 4 % më shumë se plani i periudhës. Rimbursimet e dhëna, për periudhën Janar-Dhjetor 2025, janë në shumën 25.3 miliardë lekë, 2.9 miliardë lekë ose 13.1 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2024.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në shumën 58.5 miliardë lekë, 1.6 miliardë lekë, ose 2.7 % më shumë se periudha Janar–Dhjetor 2024.

Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale, për periudhën Janar-Dhjetor 2025, janë në shumën 82.5 miliardë lekë, 16.4 miliardë lekë ose 24.7 % më shumë se periudha Janar-Dhjetor 2024.

Të ardhurat nga taksat nacionale, për periudhën Janar-Dhjetor 2025, u realizuan në shumën 46.9 miliardë lekë, 2.3 miliardë lekë ose 5.1 % më shumë se Janar-Dhjetori i vitit 2024, si dhe me realizimin në shumën 1.8 miliardë lekë ose 4 % më shumë se plani i periudhës.

Të ardhurat nga Fondet Speciale, që përfshijnë të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga Administrata Tatimore, ISSH dhe FSDKSH, për periudhën Janar-Dhjetor 2025, u realizuan në shumën 178.2 miliardë lekë, 17.3 miliardë lekë ose 10.7 % më shumë se periudha e viti 2024, si dhe me realizim prej 100.8 % të planit të periudhës.

Shpenzimet:

Shpenzimet e përgjithshme publike për vitin 2025 arritën në rreth 801.7 miliardë lekë, me një realizim në masën 97.2 % të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 96.4 % të planit vjetor të ndryshuar përmes Aktit Normativ nr.11, datë 19.12.2025. Krahasuar me vitin 2024, shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë 10 % më të larta ose rreth 73.1 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet korrente për vitin 2025 rezultuan në rreth 653.5 miliardë lekë dhe krahasuar me vitin 2024 ky zë ka rezultuar 7.8 % më i lartë ose rreth 47.2 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet kapitale për vitin 2025 paraqesin një realizim në masën rreth 131.6 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2024, ky zë rezulton 13.4 % më i lartë ose rreth 15.6 miliardë lekë më shumë.

Lajm në përditësim...