SHIJAK - Një fallxhore 43 vjeçare është arrestuar nga Specialistët e Krimit të komisariatit të Shijakut. Në prangat e policisë ra Mimoza Dajlani, banuese në fshatin Halil të Krujës, pasi pasditen e 13 Tetorit, 60 vjeçarja me iniciale H.G, banuese në fshatin Koxhas e ka kallëzuar se duke e mashtruar i ka marrë shumën prej 800 mijë lekësh të vjetra dhe disa bizhuteri që kapnin vlerën e 2 milion lekë të vjetra.

Për banorët e Krujës, Dajlani njihej si fallxhore, pasi ajo vetë ishte prezantuar në këtë mënyrë. 43 vjeçarja u arrestua në banesën e saj vetëm pak orë pas denoncimit që ishte bërë nga H.G. Kjo e fundit ka deklaruar se ka bërë kallëzim ndaj saj pasi nuk donte që pre e mashtrimeve të 43 vjeçares të binin edhe gra apo persona të tjerë që nuk e njihnin.

Skema e mashtrimit
Fallxhorja tashmë e kishte kthyer në formë “biznesi” mënyrën e marrjes së parave nga ana e banorëve të zonës ku ajo jetonte. Pothuajse çdo ditë, ajo shkonte në disa banesa në Shijak apo edhe në fshatrat përreth dhe me anë të mashtrimit u futej në banesë. Zakonisht, 43 vjeçarja shkonte çdo ditë në fshatra të ndryshme e trokiste në dyer të ndryshme. Konkretisht, fraza që ajo fuste në “kurthin” e saj gratë e banesave ku shkonte ishte:

“Më jepni të shoh dhe ti prek paratë që ju keni në shtëpi dhe do ju bëj që fati juaj t’ju sjellë dy apo tre fishin e asaj që ju do të jepni mua”. Në këtë lloj mënyre, 43 vjeçarja kishte mashtruar edhe 60 vjeçaren me iniciale H.G. Ndërkohë, kjo e fundit nuk e kishte vënë re skenën e mashtrimit të fallxhores, ku ajo kishte mundur t’i merrte shumën e lekëve dhe bizhuteritë, ku pjesa më e madhe e tyre kishin qenë varëse dhe unaza floriri.

Dëshmia e 60 vjeçares
Pasi ishte mashtruar, 60 vjeçarja H.G ka kallëzuar në polici, ku kishte shpjeguar edhe mënyrën se si kishte mundur fallxhorja të hynte në banesën e saj. Ajo ka pohuar para oficerëve të policisë se diçka e çuditshme i kishte ndodhur që në momentin e parë që kishte komunikuar me Mimoza Dajlanin.

“Nuk e di se si më ndodhi që atë lloj gruaje ta fusja në shtëpi, pasi nuk u besoj këtyre lloj gjërave. Isha vetëm në banesë kur trokiti dera dhe shkova ta hapja. Pasi mu prezantua se kush ishte i thashë se nuk u besoj këtyre gjërave, por për një moment e humba arsyen dhe nuk e di se çfarë më ndodhi”, ka thënë H.G duke shtuar më tej se: “Po e bëj denoncimin sepse nuk dua që shumë familje të tjera të bien pre e mashtrimeve të saj, ashtu siç ndodhi edhe me mua”.
 
Policia nis hetimet edhe për raste të tjera mashtrimi
Këtë lloj forme, fallxhorja 43 vjeçare dyshohet se e ka praktikuar edhe me persona të tjerë. Burime nga policia lokale bënë me dije se tashmë kanë nisur hetime edhe për raste të tjera të mundshme ku e arrestuara mund të ketë përfituar shuma të ndryshme parash me anë të mashtrimit të saj.

Policia dyshon se ky lloj “biznesi” është përdorur nga fallxhorja edhe në disa familje në disa zona të Shijakut, Krujës e në Durrës, por asnjë nuk ka shkuar të bëjë kallëzim, përveç 60 vjeçares me iniciale H.G.
 
“Më jepni të shoh dhe të prek paratë që ju keni në shtëpi dhe do ju bëj që fati t’ju sjellë 2-3 fishin e asaj që ju do të jepni mua”

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)