POGRADEC - Pas lajmit për vrasjen në Siri të Mariglen Dërvishllarit nga Pogradeci ka folur babai i tij Demiri, i cili thotë se lajmin tragjik për humbjen e jetës së djalit të tij e ka mësuar nga mediat. Dervishllari shprehet se përfshirjen e djalit në grupin terrorit të ISIS e kishte mësuar nga Shërbimet Sekrete të Shtetit, por pasi Marigleni kishte lënë atdheun.
 
Para nisjes për në Siri, Marigleni ishte ndaluar në aeroportin e Rinasit, por pasi ishte marrë në pyetje ishte lënë i lirë të shkonte. Autoritetet mesa duket nuk kanë parë asgjë të dyshimtë tek i riu nga Progradeci, i cili nuk e kishte për hërë të parë udhëtimin për në Siri.
 
"Kur e mbajtën një orë në Rinas dhe biseduan për të mos ikur, sigurisht për të më nhihmuar, por po ta kisha ditur dhe të më kishin njoftuar unë nuk do ta lija të ikte, do kisha bërë maksimumin për të tërhequr djalin. Si çdo mysliman, si çdo fëmijë tjetër besimi islam nuk ka asgjë të gabuar është shumë i saktë është shumë i rregullt por një pjesë siç po e shohim kohët e fundit, fenë myslimane po e përdorin si maskë për të krijuar veprime të tjera", thotë babai i të vrarit në Siri.
 
Në një intervistë për Shqiptarja.com ai shprehet se besonte që djali kishte ikur në Siri për të mësuar gjuhën arabe, por atje - shton ai - është mashtruar dhe i është bashkuar grupit terrorist.
 
Sipas rrëfimit të babait, Marigleni kishte nisur të praktikonte fenë islame që në moshën 15-vjeçare dhe në përfundim të shkollës së mesme, i ishte drejtuar Sirisë për të mësuar gjuhën arabe. Ai është kthyer sërish në Shqipëri ku kishte ndenjur për një kohë të shkurtër pranë familjarëve, për tu nisur më tej në tetor të 2013-ës në udhëtimin e vdekjes së tij.
 
Dervishllari rrëfen se ishte lajmëruar edhe më parë për vdekjen e djalit të tij, por lajmi më tej ishte përgënjeshtruar.

babai i mareglen dervishajt
(Babai i ​Mariglen Dërvishllarit)
 
Redaksia online
Shqiptarja.com