Një 25-vjeçar në Britaninë e Madhe ka shmangur burgun pasi u kap disa herë duke shitur drogë për llogari të grupeve kriminale shqiptare. Edward Graham, banues në Byker të Newcastle, pranoi fajësinë për dy akuza posedimi të kanabisit me qëllim shpërndarjeje, pavarësisht se ka 29 dënime të mëparshme.

Sipas hetimeve, Graham kishte përfunduar në borxhe dhe nuk kishte rrugë tjetër veçse të shiste drogë për shqiptarët për të shlyer detyrimet. Në tetor të vitit 2023, policia e ndoqi deri në derën e shtëpisë, ku në panik ai hodhi një çantë me kanabis, e cila kishte një vlerë tregu prej 5 mijë paundësh. Po ashtu, iu gjetën 137 ëmbëlsira me kanabis, me vlerë rreth 4 mijë paund, si dhe sasi të tjera droge.

Në një rast tjetër, policia kontrolloi sërish banesën e tij dhe gjeti kanabis, peshore dhe 4,450 paund para cash.

Gjatë seancës në Newcastle Crown Court, avokatja mbrojtëse Claire Anderson tha se i riu kishte nisur shpërndarjen për të larë borxhet dhe, edhe pasi i shleu ato, vijoi të shiste drogë për shqiptarët, duke vepruar nën drejtimin e tyre.

Gjykata vendosi ta dënojë Graham me dy vjet burg me kusht për dy vjet dhe 150 orë punë të papaguar, duke i kursyer dënimin me burg.