Gdhihen dhe ngrysen me frikën e shembjes së banesës. Duket se ky është fati i familjes Malaj në fshatin Paftal, të njësisë administrative Sinjë, në Berat. Shirat e rrëmbyeshëm të ditëve të fundit kanë sjellë shkarje të tokës mbi të cilën, 35 vite më parë, Vasil Malaj ndërtoi banesën.

Muret janë çarë, tavani po ulet, ndërsa bazamenti ka pësuar dëmtime serioze. Krisjet e mëtejshme në strukturën e banesës dëgjohen si paralajmërim shembjeje.

"Ky është muri kryesor. Ja si është dëmtuar nga jashtë dhe brenda”, thotë Malaj.

70-vjeçari Vasil Malaj dhe bashkëshortja e tij, të vetmet të ardhura kanë pensionin, me të cilin nuk sigurojnë as gjërat e domosdoshme.

“Siç po e shikoni dhe vetë dëmi është shumë i madh. E gjitha ka ardhur nga lagështira e tepërt. Kemi ngelur pa një ndihmë. Të ardhurat e vetme që kemi janë dy pensionet tona”, shprehet i moshuari.

Dy bashkëshortët tregojnë se kanë kërkuar ndihmë, kanë shkuar në komisione verifikimi, kanë konstatuar dëmet dhe rrezikun që u kanoset, por deri tani asgjë më shumë.

Teksa presin një vendim zyrtar, çifti i të moshuarve kalon net pa gjumë, me frikën se shtëpia e ndërtuar me mundin e jetës mund të shembet nga momenti në moment.