TIRANË- Komisioni hetimor "Për shqyrtimin e kërkesës për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së të zgjedhur nga Kuvendi", zhvilloi të enjten pasdite një seancë dëgjimore me Elvis Çefën dhe Lulzim Lelçajn për të dhënë shpjegime në lidhje me çështjet e ngritura në kërkesën për shkarkim të tyre nga grupi i deputetëve të maxhorancës.
Kryetari i komisionit, Armando Subashi, në fillim thirri nënkryetarin e KLD-së, Çefa, për t'iu përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të komisionit, ndërsa e njohu me argumentet e bazuara në ligj. Fillimisht, nënkryetari i KLD-së kërkoi përjashtimin nga hetimi i tij të Armando Subashit dhe Spartak Brahos. Sipas tij, i pari ka konflikt interesi për shkak të shkeljeve që kishte bërë në kohën kur ishte anëtar i KLD-së dhe i dyti për deklaratën e lëshuar në media kundër nënkryetarit Çefa.
Pas kësaj kërkese reagoi deputeti i LSI-së, Spartak Braho, i cili ritheksoi se deklaratat e tij nuk kanë të bëjnë me punën e Çefës si nënkryetar i KLD-së. "Ligji për komisionet hetimore nuk parashikon në asnjë nen përjashtimin e anëtarëve të Komisionit. Akuzat që unë paskam bërë ndaj jush nuk lidhen me çështjen e hetimit të këtij komisioni. Në korrik kam shprehur një opinion lidhur me veprimtarinë tuaj si kryetar i AKKP-së. Në një rast, nga 220 hektarë janë kthyer 1220 hektarë, pra 10 milionë metra katrorë më shumë. Këtë çështje e ka prokuroria dhe unë për atë lutem, që t'i të dalësh i pafajshëm. Nuk të kam thënë hajdut", iu drejtua Braho nënkryetarit të KLD-së.
Edhe kryetari i komisionit hetimor, Armando Subashi, e cilësoi si të pabazuar në ligj këtë kërkesë. "Kërkesa është e pambështetur në ligj, nuk ka asnjë referencë dhe si e tillë komisioni nuk mund të marrë një vendim. Që do të thotë se nuk ka arsye për ta hedhur në votim", tha Subashi. Më tej, komisioni vijoi për disa orë seancën e pyetjeve me nënkryetarin e KLD-së lidhur me veprimtarinë e tij.
Më pas, është thirrur për t'u pyetur anëtari tjetër i KLD-së, Lulzim Lelçaj, i cili deklaroi se nuk është njohur me gjetjet e komisionit. Lelçaj u shpreh në komision se nuk i kanë bërë verifikimet e mandateve të anëtarëve të KLD-së dhe se Ministria e Drejtësisë po merr kompetencat për vendet vakante. Ndërkaq, anëtarët e komisionit i kanë drejtuar disa pyetje, të cilave z. Lelçaj u është përgjigjur me argumentet e tij.
Pasi ka dëgjuar dy anëtarët e KLD-së, komisioni hetimor ka mbyllur hetimet. Kryetari Subashi theksoi se seanca plotësoi kuadrin e hetimeve dhe se komisioni do të hartojë raportin të shtunën. Raporti do të hartohet nga kryetari Subashi dhe sekretari i komisionit Ulsi Manja. /ATSH/