Komisioni hetimor për shqyrtimin e kërkesës për shkarkimin e dy anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të zgjedhur nga Kuvendi, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj, u mblodh mesditën e sotme për të verifikuar dokumentacionin e ardhur nga KLD, Ministria e Drejtësisë, shkolla e Magjistraturës dhe ILDKPKI.

Anëtarët e komisionit do të bëjnë evidentimin e këtij dokumentacioni për të parë nëse ka mangësi. Gjithashtu do të bëhet dhe prezantimi i nevojave për plotësim dokumentacioni apo dokumentacion shtesë. Në mbledhjen e fundit të tij, komisioni hetimor miratoi planin e hetimit, i cili përfshin grumbullimin e të dhënave nga KLD, përmes procesverbaleve të mbledhjeve dhe vendimeve të marra nga ky Këshill, që nga periudha kur kanë filluar të ushtrojnë detyrën anëtarët Çefa dhe Lelçaj.

Puna hetimore e komisionit gjithashtu do të shtrihet dhe në emërimet nga KLD-ja të gjyqtarëve në gjykatat administrative, mosemërimin e 28 kryetarëve gjykatash, në kundërshtim me ligjin, etj.

ATSH