Shkarkimet në KLD- Konstituohet komisioni; hetim pasurisë së Çefës dhe Lelçajt

TIRANË- Komisioni hetimor që do të shqyrtojë kërkesën për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të zgjedhur nga Kuvendi, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj, u mblodh mesditën e sotme në mbledhjen e parë konstituuese. Komisioni, që përbëhet nga 9 anëtarë, 5 nga maxhoranca dhe 4 nga opozita, ka objekt të punës së tij verifikimin e të dhënave, fakteve dhe rrethanave për shkelje të ligjit nga dy anëtarët e mësipërm. Deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm, në vijim të qëndrimit të tyre bojkotues ndaj Kuvendit.
Në hapje të mbledhjes, kryetari i komisionit, Armando Subashi, i bëri thirrje opozitës të sillte përfaqësuesit e saj, pasi kështu dhe rezultatet e hetimit do i shërbenin rritjes së cilësisë së vetë KLD-së.
"Unë do doja sot që këtu me ne të ishte dhe opozita dhe këtë nuk e them sa për të larë gojën, por është një thirrje e sinqertë, pasi realisht kur bëhet fjalë për institucione të tilla kushtetuese si KLD, që kanë sensibilitet të lartë publik, bashkëpunimi mes dy krahëve të politikës është shumë i rëndësishëm", u shpreh kryetari Subashi.
Ai bëri sot edhe prezantimin paraprak të planit të hetimeve, ku përfshihet grumbullimi i të dhënave nga KLD, përmes procesverbaleve të mbledhjeve dhe vendimeve të marra nga ky Këshill, që nga periudha kur kanë filluar të ushtrojnë detyrën anëtarët Çefa dhe Lelçaj.
Po ashtu, tha Subashi, komisioni do të kërkojë dokumentacionin e nevojshëm për procedurën e ndjekur nga KLD-ja për emërimet e gjyqtarëve në gjykatat administrative, përfshi dhe vendimet e brendshme të KLD-së, korrespondencën e saj, shpenzimet etj.
Një pikë tjetër e ngritur në kërkesën për shkarkim të deputetëve të maxhorancës dhe që do të hetohet nga komisioni është procedura e ndjekur në zgjedhjen e drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, mosemërimi si gjyqtar brenda afatit të magjistratëve, mosemërimi i 28 kryetarëve të gjykatave në kundërshtim me ligjin, emërimi i kryetarëve të gjykatave në kundërshtim me ligjin etj.
Në shkeljet e KLD-së, deputetët e maxhorancës rendisin dhe mosmarrjen në shqyrtim të kërkesave të ish-kryetares së Gjykatës së Lartë dhe ish-Prokurores së Përgjithshme.
Anëtari i komisionit, deputeti i LSI-së, Spartak Braho, propozoi që pjesë e planit të hetimit të bëhen dhe lidhjet familjare të anëtarëve të KLD-së dhe pasuria e anëtarëve Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj. "Këto janë çështje që kanë krijuar një problematikë dhe ne duhet ta hetojmë", shtoi Braho.
Në fund të mbledhjes, kryetari Subashi tha se në përmbushje të objektit të hetimit komisioni do të kërkojë dhe korrespondencën mes KLD-së dhe ministrisë së Drejtësisë. "Pasi të na vijnë dokumentet nga këto institucione ne jemi gati të hartojmë planin përfundimtar të hetimit nga komisioni", tha ai. /ATSh/

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Hamilton flet sërish për kalimin te Ferrari, britaniku: E di se çfarë është e duhura për mua