Shkarkimi i Manjanit pa rëndësi
në provën e forcës Rama-Meta

Shkarkimi i Manjanit pa rëndësi<br />në provën e forcës Rama-Meta
Shkarkimi i bujshëm i ministrit të Drejtësisë Ylli Manjani në të vërtetë të ngjan me një episod të izoluar dhe të veçuar, po ta krahasosh me lojën e madhe të pokerit që po luajnë tashmë prej muajsh Edi Rama dhe Ilir Meta me të ardhmen e koalicionit, me afrimin e zgjedhjeve të qershorit.

Në korridoret e qeverisë thonë se, që nga java e shkuar, menjëherë pas intervistës së tij në Top Story, Rama i kishte kërkuar Metës “kokën” e ministrit rebel dhe Meta e kishte pranuar, duke kërkuar disa ditë kohë për t’i mbushur mendjen Manjanit ta jepte vetë dorëheqjen. Kur u pa se kjo përpjekje kishte dështuar (çka tregon se Ylli Manjani duhet të ketë dalë jashtë kontrollit edhe të liderit të tij) mëngjesin e së hënës Meta, gjatë takimit me kryeministrin, e autorizoi Ramën ta “shkarkonte” me forcë ministrin e vet. Figura e përzgjedhur për ta zëvendësuar, Petrit Vasili, është e njohur, mbi të gjitha, për ekuilibrin e qetë “demokristian”, si ndjekës i bindur i rregullit “me qetësi dhe dashuri”, që e bëri të famshëm Ilir Metën: një zgjedhje që konfirmon – siç do ta shohim në vijim të shkrimit – orjentimin paqësor që ka Meta ndaj bashkëjetesës me socialistët.

Sulmi që Ylli Manjani shpërtheu kundër kryeministrit Rama pak orë pas shkarkimit të tij, nga një anë tregoi shijen e keqe të atij që zgjedh të pështyjë në pjatën ku ka ngrënë deri tani, por, nga ana tjetër, është një lëvizje, që i krijon bezdi edhe Ilir Metës. Sipas Manjanit, në fakt, ai është larguar për shkak të atmosferës antikushtetuese, në të cilën operon qeveria dhe për shkak të rregullave të paligjshme që duhej të kishte pranuar për të qëndruar, të njejtat që, para tij, duhej të kishte refuzuar edhe ish-ministri Nasip Naço. Kështu që, si ai, ashtu edhe Naço, paskan denoncuar paligjshmëri brenda qeverisë, e cila gjithsesi mbahet në këmbë edhe me votat e LSI-së, në të cilën LSI ka vazhduar të bëjë pjesë, duke parapëlqyer të zëvendësojë dy ministrat rebelë, se sa të braktisë mazhorancën. Kjo është si të thuash se qeveria e Edi Ramës është e paligjshme dhe LSI ka vendosur të qendrojë në të, duke hequr dorë nga dy ministra që denonconin këto paligjshmëri, edhe nëse kështu LSI do të ishte bashkëfajtore e të njëjtave paligjshmëri. Çfarë mendon për këtë Ilir Meta?

Akuzat e Ylli Manjanit janë aq të rënda sa të lejojnë t’u bësh edhe një interpretim të dytë. Fakti që Ilir Meta pranoi të hiqte dorë nga ministri i tij, në vend që të tërhiqej nga qeveria, edhe në prani të akuzave aq të rënda ndaj Ekzekutivit, të le të kuptosh se, përtej bllofeve dhe lojërave të fjalëve, Meta deri tani është ende i vendosur të qëndrojë brenda koalicionit me Partinë Socialiste. Kush do të kishte qenë një rast më i mire, për një divorc të përsosur dhe moralisht të justifikueshëm më pak se pesë muaj nga votimet, se sa largimi i ministrit të tij të Drejtësisë, që denoncon një qeveri të kapur nga narkotrafikantët?

Fakti që Ilir Meta nuk zgjodhi sot të divorcohej nga Rama, natyrisht, nuk do të thotë se nuk kërcënon ta bëjë atë javët e ardhshme. Dhe këtu vijmë tek loja e vërtetë e pokerit, që po luhet në tryezën e koalicionit. Është jashtë logjike të besosh se deklaratat publike të bëra në fundjavë nga ministri Lefter Koka, nga Vangjel Tavo dhe nga vetë Luan Rama (të gjitha pak a shumë kritike kundër kryeministrit socialist dhe krahut të tij të djathtë Saimir Tahiri) nuk ishin koordinuar më parë me kreun e LSI-së.

Pra, nga njera anë, Meta shkarkon Ylli Manjanin (të cilin ndoshta nuk e kontrollonte as ai vetë) dhe, nga ana tjetër, vijon të përdorë artilerinë e tij politike për t’i dërguar mesazhe kërcënuese aleatit qeveritar. Ama, as artilieria e Ramës nuk ka kursyer këto muaj mesazhe lufte kundër “partnerit strategjik”, sidomos mbi temën e ligjshmërisë (nga skandalin CEZ, që më pas doli një kurth i madh sidomos për familjen Berisha, e deri tek rasti Balili). Si të thuash: nuk jam ende gati për divorcin, po kujdes se po e mendoj. Fakti që një gjë e tillë është thënë nga të dy bashkëshortët, të le të kuptosh se sa i lartë është tensioni në të vërtetë brenda koalicionit.

Si Meta, ashtu edhe Rama, duket që e kanë shumë të qartë se, po të shkojnë bashkë në votime, fitorja është gati e sigurt. Po të shkojnë veç e veç (me një LSI që del më vete, ose me një mini-koalicion të saj) siguria është më e paktë. Të dy liderët dinë mirë edhe diçka tjetër: edhe po të shkojnë të ndarë në kutitë e votimit, nevoja e krijimit të një mazhorancë të re të ardhshme qeverisëse mund t’i shtrëngonte sërish për një bashkëjetesë të detyruar. Atëherë, pse të mos provohet të dalin bashkë para zgjedhësve, por duke përcaktuar që tani rregulla dhe marrëveshje më të qarta? Ndoshta loja e pokerit mes Ramës dhe Metës, që po luhet këto javë, ka të bëjë pikërisht me përkufizimin e këtyre rregullave, duke ditur mirë që në lojë nuk është vetëm shpërndarja e karrigeve në qeverinë e ardhshme dhe roli që do t’u jepet aleatëve të rinj të mundshëm si PDIU, por edhe posti prestigjioz i presidencës së Republikës dhe emërimi vendimtar i prokurorit të përgjithshëm.

Do të shohim ende shumë pjata të thyera në shtëpinë e koalicionit, shkëmbime akuzash dhe goditje të ndaluara. Por, në betejën e madhe detare, që po zhvillohet mbi ujë dhe nën ujë, dalja nga skena e Ylli Manjanit duket si një incident i vogël në rrugë e sipër, që nuk do të ketë asnjë peshë.   

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

     

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Namir Lapardhaja: Zgjedhja e drejtuesit të SPAK nga populli, hapi i nevojshëm për pavarësinë e vërtetë të drejtësisë

Namir Lapardhaja: Zgjedhja e drejtuesit të SPAK nga populli, hapi i nevojshëm për pavarësinë e vërtetë të drejtësisë