Pak javë më parë, kryeministri Edi Rama ndërmori disa ndryshime në qeveri, mes të cilave ishte edhe largimi i Elisa Spiropalit nga posti i ministres për Europën dhe Punët e Jashtme.
Në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, avokati Rezart Kthupi deklaroi se kryeministri Rama vendosi për shkarkimin e saj, pasi u shqetësua nga një takim i rëndësishëm ndërkombëtar ku mori pjesë Elisa Spiropali, ku ishin prezentë edhe shërbimet sekrete.
“Spiropali para se shkarkohej nga ministre e Jashtme ka qenë në një takim të posaçëm, ku zakonisht shkohet me një ftesë shumë speciale. Takim që e ka shqetësuar shumë Edi Ramën. Rama e shkarkoi Spiropalin nga Ministria e Jashtme, ndodhi në një moment që linte për të dyshuar në raport me sjelljen e Spiropalit karshi një të ardhmeje apo të një dobësie politike të tashme të Ramës. Ajo që unë shikoj në vijimësi është një investim personal në një fushë në të cilën pasuesit natyralë të Ramës mungojnë. Asnjë lëvizje madhore në politikën shqiptare nuk ndodh pa një mbështetje ndërkombëtare. Gjithmonë ka një mbështetje ndërkombëtare. Takimi është i një versioni ku përafrimi më i mirë që mund t’i bëhet është si i versionit të Davosit, por që marrin pjesë edhe shërbimet sekrete”, tha mes të tjerash Kthupi.
Nga ana tjetër, gazetari Flogert Muça tha se Spiropali, me mënyrën sesi reagoi pas shkarkimit nga posti i ministres, bëri një akt që shumica e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të PS nuk e bëjnë.
Sipas Muçës, Spiropali e shprehu hapur pakënaqësinë e saj për vendimin e kryeministrit Rama. Ai shtoi se ish-ministrja po përpiqet të bëjë një demokratizim të Partisë Socialiste.
“Spiropali si njeri politik ka patur pritshmëri të tjera dhe ka pësuar një lloj zhgënjimi. Ka menduar një lloj përplasje të brendshme apo një lloj ndikimi te Rama që ajo të goditet politikisht. Dhe ka mbajtur një qëndrim që ditën e parë duke thënë se ‘nuk është momenti për të mos reaguar’ dhe reagoi duke shprehur atë që kërkush nuk e shpreh në PS edhe pse mërziten. Për këtë i duhet hequr kapelja. Pak burra guxojnë, është Elisa që ka guxuar dhe është përplasur me Ramën. Ajo shkoi në mbledhjen e Grupit të PS, u përball dhe abstenoi. Pastaj bëri një akt politik duke mos shkuar në Kuvend. Bëri aktin politik pa justifikime. Për të shuar çdo dyshim, dje kur Balla iu përgjigj një pyetjeje, ajo e mori çështjen e saj, e futi në axhendë dhe tha ‘hajde bëjmë një debat të troçtë’. Ajo po tenton të bëjë një demokratizim të PS”, tha Muça.
Ndërkohë për avokatin Leonard Karaj, Spiropali, ashtu si edhe Ditmir Bushati, është në njëfarë mënyre ‘kurbani’ i radhës i kryeministrit Rama.
Karaj shtoi se ndryshe nga shumica e zyrtarëve dhe deputetëve të PS që sipas tij nuk kanë asnjë mendim ndryshe nga kryeministri Rama, Spiropali ka treguar se ka pasur disa qëndrime të vetat të pandikuara nga kryesocialisti.
Megjithëatë, për Karajnë në PS nuk do të ndodhë asgjë me Spiropalin, pasi sipas tij, nëse kryeministri Rama e përjashton, e bën atë ‘heroinë’.
“Unë nuk besoj që Rama nuk ka qejfmbetje në këtë histori. Unë di të them që Spiropali është pak a shumë si dikur Ditmir Bushati. Pra një lloj kurbani i ri në PS. Si Bushati dikur, ashtu edhe Spiropali sot, të dy ministra të jashtëm... Pra unë besoj se Spiropali është në njëfarë mënyre kurban i Ramës. Spiropali e ka një mendim. Sepse Rama ka shuar gjithçka. Të tjerët në PS nuk kanë menduar kurrë përtej Edi Ramës. Por ata nuk do ta bëjnë heroinë Spiropalin duke e përjashtuar. Nuk ndodh asgjë në PS”, tha mes të tjerash Karaj.
Kujtojmë se mungesa e Elisa Spiropalit në seancën e 12 marsit, ku u votua për kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, ka pasuar një valë reagimesh në opinionin publik (mes të cilave edhe disa ‘replika’ në distancë mes Spiropalit dhe Taulant Ballës).
Komente











