DIBËR-Drejtori i Drejtorisë Arsimore Dibër është shkarkuar nga puna me akuzën për shpërdorim detyre.

Kjo lëvizje është bërë para disa ditësh, por lajmi është bërë publik sot nga kryeministri Edi Rama në videon e publikuar ku trajtohej rasti i Florinës, mësueses nga Peshkopia, që gjeti punë vetëm pasi aplikoi në platformën "Shqipëriaqëduam.al. Florina kishte mbaruar studimet e larta për mësuese Histori- Gjeografie, kishte mbyllur me sukses dy provimet e shtetit, por pavarësisht kësaj nuk kishte arritur që të gjente punë.

Florina tregoi në bashkëbisedimin me Anjeza Majën se ndonëse kishte marrë me rezultate të larta dy provimet dhe kishte vende të lira në disa prej shkollave në Dibër, rasti i saj nuk ishte marrë aspak parasysh nga DAR Dibër.

Pas aplikimit në këtë platformë, ajo tregon se mori përgjigje brenda dhjetë ditësh dhe u punësua në shkollën e Brezhdanin, "Isuf Karasani".

"Mirëmëngjes dhe me rastin e Florinës, mësueses nga Peshkopia, që nuk u dorëzua, por duke i'u drejtuar platformës shqiperiaqeduam.al fitoi të drejtën e penguar, si dhe u ndëshkuan ata që i'a mohuan përkohësisht ju uroj një fundjavë të mbarë", shkruan Rama. 

 Prej rreth një muaji në krye të kësaj drejtorie është komanduar Brikena Dani.