Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar në rrjetet sociale pas megaoperacionit të policisë që çoi në shkatërrimin e një grupi kriminal falsifikatorësh, të cilët kundrejt shumave të konsiderueshme dërgonin persona të ndryshëm drejt SHBA, Kanadasë, Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së (Lexo këtu). Lleshaj shprehet ky operacion i dha një goditje të fortë krimit, ndërsa shton se trafikantët të cilët mashtrojnë qytetarët, minojnë edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Tjetër goditje e fortë kundër krimit të organizuar. Trafikantët mashtrojnë qytetarët, minojnë lirinë e lëvizjes e të ardhmen tonë evropiane. Lufta kundër krimit të organizuar, mision në shërbim të së ardhmes.
Sandër Lleshaj, ministër i Brendshëm
Postimi i Lleshajt
Policia e Shtetit njoftoi sot se ka shkatërruar një grup kriminal me 36 anëtarë të cilët pajisnin me dokumente të falsifikuara qytetarë shqiptarë mes tyre edhe nga ta me rrezikshmëri të lartë dhe më pas i dërgonin në vende si SHBA, Kanada, Mbretëri e Bashkuar dhe vendet e BE-së kundër shumave monetare nga 10 mijë paund në 20 mijë dollarë. Policia e Shtetit me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kanë arrestuar 32 persona në kuadër të një megaoperacioni të koduar "Rruga e Fundit", ndërsa 4 të tjerë janë shpallur në kërkim.