TIRANË-Më 10 nëntor 2015 prokurori Altin Binaj pritet të vendosë nëse do të kërkojë dënim apo pafajësi për deputetin demokrat Astrit Veliaj, i pandehur nga akuza për prishje të pronës publike. Veliaj u mor si i pandehur 8 muaj më parë, fillimisht me akuzën e ndërtimit të paligjshëm dhe prishjes së pronës publike, por pas aministisë për ndërtimet pa leje, prokuroria mbeti përballë Gjykatës vetëm me një akuzë.

Kolegji penal i Gjykatës së Lartë vendosi që të mbyllë procesin e gjykimit dhe të caktojë seancën e fundit të konkluzioneve në nëntor, ku pritet të jepet dhe vendimi. Ndërkohë deputeti Veliaj i pranishëm në seancë paraqiti dokumentin se objekti për të cilën ai akuzohet se ka prishur, është nxjerrë nga lista e pronave shtetërore të Ministrisë së Brendshme disa vite më parë, duke argumentuar se ai s'ka bërë asnjë shkelje ligjore në investimin e kryer në qytetin e Fierit.

Bie një nga akuzat
Astrit Veliaj, deputeti i Partisë Demokratike i ka shpëtuar akuzës së “Ndërtimit të Paligjshëm”, lidhur me ndërtimin e kampusit universitar në qytetin e Fierit. Kjo akuzë u tërhor në Gjykatën e Lartë nga vetë përfaqësuesit e prokurorisë së përgjitshhme, pasi me miratimin e amnistisë nga parlamenti për ndërtuesit e paligjshëm, prokuroria ka analizuar se përfitues nga kjo amnisti rezulton të jetë dhe deputeti i Partisë Demokratike Astrit Veliaj.

Në dosjen penale, deputeti Veliaj njëherësh dhe biznesmen në fushën e arsimit dhe ndërtimit, akuzohet për “Ndërtim të paligjshëm” dhe “Shkatërimit të pronës”. Akuza e parë sipas hetuesve u tërhoq për shkak të amnistimit të saj, ndërkohë procesi gjyqësor kundër Astrit Veliaj do të vijojë në gjëndje të lirë për akuzën tjetër atë të “Shkatërimit të pronës”.

Rrëzoi objektet e policisë
Deputeti i Partisë Demokratike Astrit Veliaj,njëherësh pronari i universitetit “UFO”, ka shkatërruar godinat e ish-Drejtorisë së Policisë së Fier, dhe mbi rrënojat e tyre ka ndërtuar filialin e universitetit “UFO” në këtë qytet. Objekti 4 katësh me një kullë në mes, të tipit “Shtëpia e Bardhë”, është ndërtuar pa pasur lejën ndërtimore të lëshuar nga Bashkia e Fierit.

Ndërkohë procedura e shembjes së godinave me vlerë 104 milion lekë të vjetra, që kanë qënë pronë e ministrisë së Brendshme dhe tjetërsimi i truallit ka ndodhur gjatë periudhës kur zv/ministër i Brendshëm ka qënë Avenir Peka dhe ministër Flamur Noka.

Për shkatërrimin e kësaj prone dhe ndërtimit të paligjshëm të godinës së universitetit deputeti Veliaj, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme dhe se dosja kundër tij është dërguar për gjykim disa muaj më parë në Gjykatën e Lartë.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja.com)