Ministria e Puneve te Brendshme
TIRANË, 11 Shtator/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Shërbimi i Kontrollit të Brendshme ka mundësuar mbrëmjen e djeshme prangosjen e tre ish-punonjësve të Policisë Kufitare.
Sipas njoftimit për shtyp të Policisë së Shtetit mësohet se më datë 10 shtator ora 22:15, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Qarkut Kukës, ekzekutuan masat e sigurimit personal ndaj shtetasve, Fatos Miftar Ahmati, me gradën Komisar, me detyrë ish-Shef i Stacionit të Policisë Kufitare Shishtavec, me masë të sigurimit personal "Arrest me burg", për veprën penale "Falsifikim kompjuterik". Petrit Sali Dauti, me gradën N/Komisar, me detyrë Përgjegjës Turni në Stacionin e Policisë Kufitare Morinë, me masë të sigurimit personal "Arrest me burg", për veprën penale "Falsifikim kompjuterik". Si dhe u ekzekutua masa e sigurimit personal "Arrest me burg"ndaj shtetasit Behar Enver Dida, me gradë K/Inspektuar, me detyrë ish-Ndihmës specialist/Kontrollor në Stacionin e Policisë Kufitare Morinë, akuzuar për veprën penale "Falsifikim kompjuterik".
Arrestimet u kryen bazuar në urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për masat e sigurimit personal "Arrest në Burg" ndaj ish-punonjësve të policisë Fatos Ahmati, Petrit Dauti, Behar Dida.
Urdhrat nuk ishin ekzekutuar për shkak të shmangies së tyre nga hetimi, fakt për të cilin ishin në kërkim./a.g/