TIRANË- Një hetim i nisur për shkelje në një tenderi 22 milionë eurosh rrezikon të përfundojë me procedurë ndaj 6 ish zyrtarëve të Autoritetet Rrugor Shqiptar. GJKKO ka vendosur këtë të enjte pushimin e akuzës “shkelje të barazisë” në tenderin e segmentit rrugor “Mbikalimi Pallati me Shigjeta – Rrethrrotullimi Shqiponja”, te Unaza e Madhe e Tiranës. Tenderin në vitin 2019 e fitoi kompania “Salillari” e biznesmenit Pëllumb Salillari, i cili sipas hetimeve të SPAK u avantazhua nga 6 zyrtarët e atëhershëm të ARRSH, Arbër Troka, Miranda Shkurti, Nikollaq Mihali, Almir Hoxha, Admir Pahumi, Erjon Zemanaj.
Të pestë u ‘amnistuan’ në shkallë të parë të GJKKO për faktin sepse trupa gjyqësore, e përbërë nga Erjon Bani, Flojera Davidhi dhe Elsa Ulliri, arriti në përfundimin se hetimi kishte nisur jashtë afatit procedural, 5 vjeçar.
Hetimi për tenderin e vitit 2019, kishte nisur 6 vite më vonë, në vitin 2025, i ndarë si një fraksion i një hetimi të mëparshëm të vitit 2022. Nisur pikërisht nga viti 2022, prokurori i çështjes, Elvin Gokaj, i kontaktuar nga Report Tv tha se do të ushtrojë ankim ndaj vendimit të gjykatës, për të kërkuar dënimin e ish zyrtarëve në Apelin e GJKKO.
Bëhet fjalë për lidhjen e kontratës mes ARRSH dhe Salillari SHPK, me objekt “rehabilitim i segmentit rrugor ‘Mbikalimi pallati me shigjeta-Rrethrrotullimi Shqiponja’, loti 1”, për tenderin e shpallur më 14 qershor 2019 dhe firmosjen më 22 tetor 2019. “Salillari” e fitoi së bashku me kompaninë “Bajrami N” me pronar Nafiz Bajramin, edhe pse nuk kishin ofertën më të mirë.
Tenderi rezulton me flamur të kuq në prokurorimet publike sepse janë rezultuar shkelje të rënda pasi janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues përveç fituesit, është skualifikuar oferta me vlerë më të ulët si dhe tenderi është anuluar 2 herë më parë, përfshirë atë të shtator 2018 që u fitua nga kompania DH Albania, një kompani fantazmë, që krijoi një skandal në vend.
Në garë për marrjen e tenderit ishin edhe 7 kompani të tjera përveç Salillarit që e ka fituar tenderin me fond limit 22.5 milionë eurosh me një ofertë vetëm 1.2 milionë euro më pak, pra 21.3 milionë euro.
Prokuroria e Posaçme thotë se gjatë procedurave të këtij tenderi 6 të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer një sërë veprimesh në shkelje të procedurës, duke dëmtuar interesat e shtetit.
Pra në thelb e njëjta skemë që SPAK dyshon se është përdorur edhe 2 vite më pas për të gjitha lotet e mëpasshme për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës, për të cilat është nën hetim ish zv. Kryeministrja Belinda Balluku.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente











