TIRANE- Pranimet për në shkollën e Policisë, konkretisht kursin për Patrullë të Përgjithshme, janë bërë me shkelje. Është Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm që ka hetuar këtë procedurë të kryer gjatë vitit 2013 dhe aty janë gjetur shkelje në pranimin e disa prej personave që kanë qenë aplikantë për këtë kurs.

Në raportin e përgatitur nga SHKB-ja e Ministrisë së Brendshme, bëhet e ditur se, për këtë qëllim janë çuar për ndjekje penale 3 prej anëtarëve të komisionit që bënte përzgjedhjet e aplikantëve që më pas do të vazhdonin kursin 11 javor dhe që më pas do të visheshin si efektivë policie me gradën e nëninspektorit. Në raportin që “Shqiptarja.com” disponon thuhet se, oficerët e çuar në prokurori janë të rolit të mesëm dhe njëri prej tyre të lartë.
 
SHKELJET E KOMISIONIT
Në pikën 8 të Raportit të SHKB-së për vitin 2013, i publikuar në fund të muaji maj të këtij viti, janë bërë vlerësime për procedurat e ndjekura për kursin policor. Gjatë hetimeve për: “Vlerësimin e procedurave të zhvillimit të kursit 11 javor, për patrullat e përgjithshme” janë gjetur shkelje, thuhet në dokument. Sipas Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm: “Nga inspektimi rezultoi se janë shkelur proçedurat ligjore të testimit nga ana e komisioneve të testimit, duke rimarrë në kundërshtim me Ligjin për Policinë e Shtetit, Manualin për Zhvillimin e kurseve të shkollimit bazë në Qëndrën e Formimit Policor, 9 kursantë”.

Në raport thuhet se këta kursantë ishin testuar më parë dhe ishin vlerësuar negativisht, por ishin rimarrë sërish dhe kanë nisur kursin. “9 kursantët të testuar më parë e të vlerësuar negativisht për kursin 11 javor, patrullë e përgjithshme, të shkollimit bazë, gjatë periudhës Janar-Shtator 2013”, shkruhet në raportin e SHKB-së.
 
KOMISIONI NË HETIM
Pas përfundimit të kontrollit për procedurat e ndjekura gjatë konkurseve për vitin 2013 dhe nxjerrjes së rezultatit të hetimeve, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka vendosur që 3 anëtarë duhet të hetohen dhe raporti është dorëzuar në prokurori.

“Konstatimet/gjetjet e raportit të inspektimit, shërbyen si indicie për kallëzimin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “Shpërdorimit te Detyrës”, të 3 punonjësve të policisë të nivelit të mesëm dhe të parë drejtues”, thuhet në raportin e përgatitur nga ana e SHKB-së. Këto burime kanë bërë të ditur se, “Prokuroria ka regjistruar proçedimin penal të vitit 2013 dhe çështja është ende në hetim”. Ndërsa bëhen të ditura akuzat, SHKB nuk ka bërë publike emrat e anëtarëve të komisionit, të cilët janë dërguar në prokurori për hetim.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 8 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)