Pas 9 vitesh Arben Ahmetaj nuk do të ketë asnjë post të rëndësishëm në Partinë Socialiste. I konsideruar si një nga më të besuarit e kryeministrit Edi Rama, pas një ngjitje në majat e politikës shqiptare, duke u emëruar në shtatorin e 2021 zv kryeministër dhe ministër i Rindërtimit, Ahmetaj ka humbur shkëlqimin e tij, në vetëm dy muaj. Në korrik Rama e largoi nga qeveria, ndërsa tashmë dhe nga detyrat brenda partisë socialiste.

Por a ka gabuar diku Arben Ahmetaj?

“Pse duhet të ketë bërë diçka patjetër dikush që të lëvizi nga një pozicion? Pse duhet të ketë bërë patjetër diçka? Organizimi bëhet për zgjedhjet vendore”, tha Rama.

Megjithë qëndrimin politik që kryeministri Rama dha, opozita beson se pas këtyre ndryshimeve fshihet një hetim i mundshëm ndaj Arben Ahmetajt për dosjen e inceneratorëve.

“Jemi mësuar me Ramën, që i përdor kështu bashkëpunëtorët e tij. Sa ndjenë erën e SPAK I largon pastaj”, është shprehur Sula.

Duke marrë në analizë, zhvillimet e fundit, gazetari Denis Dyrnjaja ngre dy hipoteza për largimin e Ahmetajt.

“Janë dy hipoteza. E para akuzat që e lidhin me inceneratoritn dhe dyta lidhet me konjukturat brenda partisë socialiste. Këtu kemi patur dhe spostimin e z. Balla dhe lidhja mes të dyve nuk është e vogël”, ka thënë Dyrnjaja.

Vendin e Ahmetajn në drejtimin politik të qarkut të Vlorës për garën e vendoreve në 2023-shin e mori Blendi Klosi.

“Angazhimi në Vlorë është i rëndësishëm. Nuk duhet të shohim pasi, por duhet të vijojmë drejt fitores së radhës në të gjashta bashkitë e qytetit të Vlorës”, ka thënë Klosi.

Arben Ahmetaj e ka nisur angazhimin në Partinë Socialiste në kohën kur ende ajo drejtohej nga Fatos Nano dhe ishte në pushtet. Në vitin 2009 Ahmetaj u zgjodh për herë të parë deputet. Në 2013 Ahmetajt iu besua posti i ministrit të sipërmarrjes. Pas 3 vitesh në këtë institucion, ai largohet dhe merr në dorë financat e shqiptarëve. Në dhjetor të 2019, pas tërmetit Ahmetaj u caktua ministër shteti për rindërtimin. Me rikonfirmimin maxhorancë në zgjedhjet e prillit 2021, në shtator me krijimin e qeverisë së re, Arben Ahmetaj mori postin e zv.kryeministrit, ç’ka shënoi edhe kulmin e karrierës së tij politike. Por kjo zgjati veçse pak muaj dhe shkëlqimi i Ahmetajt filloi të venitej, dhe vendin e tij si numri dy i qeverisë e ka zënë Belinda Balluku, që konsiderohet si një nga njerëzit më të besuar të kryeministrit Rama.