‘A ka burrni dhe fytyrë që Sali Berisha t’u dalë përpara banorëve të Rrjollit’ kjo ishte pyetja që Prek Molla, banor i Rrjollit që prej disa javësh proteston kundër zaptimit të tokës nga oligarku Bashkim Ulaj, shtroi gjatë një interviste me emisionin Studio Live në Report TV mbrëmjen e së enjtes, duke hedhur akuza të forta për lidhje politike pas projektit të resortit në zonë
Sipas Mollës, projekti që Ulaj synon të ndërtojë në Velipojë ka si qëllim pastrimin e parave të Shkëlzen Berishës, i cili sipas tij është edhe bashkëpronar në projekt. Duke akuzuar prokurorinë e Shkodrës së po vonon hetimet me qëllim Molla kërkoi ndaljen e punimeve deri në mbarim të procesit.
“Ne duam të ndalen punimet deri sa të zbardhet e vërteta mbi pronësinë e tokës. Prokuroria e Shkodrës po i vonon hetimet me qëllim. Qëllimi kryesor i tyre është që ai të vazhdojë punimet dhe të pastrojë paratë që nuk janë të Bashkim Uljat por të djalit të Sali Berishës. Prokuroria e Shkodrës vonon zbardhjen e dënimit dhe kallëzimit që kemi bërë ne. Është e zeza mbi të bardhë ku vërtetohet se dokumentat e Shpellzës janë të falsifikuar. Dua t’i them diçka Sali Berishës; Nuk do të të ndahem sepse kanë dalë fjalë se djali yt është bashkëpronar me Bashkim Ulajn. A ka burrni dhe fytyrë që Sali Berisha tu dalë përpara popullit të Rrjollit?’ tha ai.
Molla akuzoi Ulajn se paguan njerëz në drejtorinë e policisë së Tiranës për mbrojtje dhe tha se banorët nuk kanë shpresë tek SPAK. Sipas tij, çështja do të dërgohet edhe në Strasburg.
“ I jemi drejtuar SPAK-ut. Ata e kanë regjistruar si procedim penal por tani i jemi drejtuar edhe GJKKO-së që të marrë vendimin mbi hetimet që do të bëhen rreth dokumentave të falsifikuara. Sot kam paraqitur disa prova që vërtetojnë origjinën dhe vërtetësinë e dokumentacionit. Nëse dokumentat e mia dalin fallco unë nuk do të jetoj më në Shqipëri. Mos harroni se kjo çështje do të shkojë edhe në Strasburg. Unë nuk do të ndalem sepse e di si është e vërteta. Ne përditë po luftojmë me policinë. Policët si individë nuk kanë faj sepse marrin urdhër nga tjetërkush. Bashkim Ulaj paguan ata njerëzit e drejtorisë së policisë së Tiranës që policët të mbrojnë oligarkët. Ne nuk kemi shpresë nga SPAK por nga i madhi Zot” tha ai.
Në fund të intervistës, Molla pati një thirrje edhe për kryeministrin Edi Rama.
“Kryeministrit do ti thoja : ti mundesh të na japësh zgjidhje dhe të na ulësh në tavolinë. Nëse të do zemra, ke vullnet shoqëror, na jep mundësinë që të ulemi përballë e të ballafaqohemi me dokumentacionin” tha ai.
Banorët e Rrjollit po protestojnë kundër punimeve për ndërtimin e resortit luksoz nga Bashkim Ulaj prej 2 muajsh. Edhe të enjten, ata marshuan drejt kantierit duke u përplasur me forcat e policisë. Situata u tensionua dhe disa banorë u shoqëruan në komisariat.
Komente









