Shkëlzen Berisha i kërkon
Prokurorisë të hetojë Kuvendin
Faksimile/Padia e Shkëlzenit ndaj Ballës

TIRANE- Komisioni Hetimor për skandalin CEZ përfundon nën hetim për shpërdorim detyre për shkak se hetoi rolin e Shkëlzen Berishën në privatizimin më abuziv në historinë e pluralizmit shqiptar.

Kuvendi tentoi ta merrte në pyetje djalin e Sali Berishës, për rolin e tij në historinë e privatizimit të OSSH dhe raportin me sekserin Nule Kalaj, por institucioni nga i cili dalin të gjitha institucionet në Shqipëri, befas është vënë nën hetim, pikërisht me kërkesë të Shkëlzen Berishës.

Konkretisht, Prokurori Adnan Xholi që drejton hetimet për raportin e komisionit hetimor për çështjen CEZ, ka vendosur nën hetim Kuvendin për marrjen në pyetje të Shkëlzen Berishës. Ky hetim nga Prokurori Xholi vjen pas ndjekjes së procedurës ligjore rutinë, pas depozitimit të një kallëzimi penal ndaj Taulant Ballës nga ana e Shkëlzen Berishës për shpërdorim detyre dhe cenim të privatësisë. 

Komisioni hetimor nën hetim   
Prokuroria e Përgjithshme tashmë po heton një Komision Hetimor Parlamentar, të ngritur në përputhje me Kushtetutën, me synimin e zbardhjes së një prej aferave më të mëdha të ndodhura ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar, ajo e CEZ, aferë që i ka shkaktuar një dëm prej mbi 400 milionë eurosh taksapaguesve shqiptarë. Prokuroria e Përgjithshme i kërkon llogari Kuvendit për kontrollin e transaksioneve bankare të Shkëlzen Berishës. “Shkresat për kërkime të dhënash për shtetasin Shkëlzen Berisha pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në lidhje me faktin nëse ai ka qenë subjekt tatimor apo jo si dhe konfirmimet bankare në lidhje me transaksionin bankar mes Berishës dhe shtetasit Ismail Mulleti. Të na bëhet me dije arsyeja e kërkimit të tyre dhe nëse këto shkresa janë bërë pjesë e materialit hetimor të komisionit, si janë administruar ato në të dhe a kanë qenë pjesë e planit paraprak hetimor”, thuhet në shkresën e prokurorisë. 

Prokuroria kërkon llogari 
Në brendësi të shkresës, prokurori Xholi kërkon prej Kuvendit, përveç planit paraprak të hetimit të Komisionit Hetimor dhe procesverbaleve të mbajtura, edhe arsye se pse Shkëlzeni u thirr si dëshmitar. “Të na bëhet me dijë arsyeja e thirrjes si dëshmitar e shtetasit Shkëlzen Berisha në këtë komision dhe të na vihet në dispozicion vendimi i ndërmjetëm i komisionit për thirrjen e tij”, thuhet në shkresë. Gjatë vitit, Shkëlzen Berisha u thirr disa herë për të dëshmuar nga Komisioni Hetimor, pas zbulimit të lidhjeve të tij të afërta me drejtuesit e lartë të CEZ dhe disa udhëtimeve të pashpjeguara në selinë e CEZ në Pragë, takime që paraprinë arritjen e një marrëveshje për privatizimin e Operatorit të Shpërndarjes në vitin 2009. 

Prokurori Xholi: Shkresa në kuvend për hetimin e kallëzimit të Shkëlzenit
Prokurori Adnand Xholi, që drejton hetimet për raportin hetimor parlamentar për çështjen e privatizimit të kompanisë energjetike OSSH tek kompania “Cez” si dhe hetimet për një kallëzim që Shkëlzen Berishës kundër deputetit Taulant Balla, ka reaguar pas informacioneve dhe komenteve në mediat online, se ai ka lidhje me Shkëlzen Berishën dhe anëtarët e tjerë të kësaj familje.

I kontaktuar nga “Shqiptarja.com” drejtori i hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme Adnand Xholi, ka shpjeguar se nuk ka asnjë lidhje me familjen Berisha, dhe nuk është emëruar prokuror nga kjo familje, pasi prej 20 vitesh punon si prokuror.

Xholi sqaroi se shkresën me objekt “Kërkojmë të dhëna dhe dokumente” drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ja ka dërguar në kuadër të hetimeve që po kryhen nga Prokuroria e Përgjithshme, lidhur me një kallëzim penal që ka depozituar Shkëlzen Berisha, kundër deputetit Taulant Balla, i cili ka qenë dhe kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar, ku është thirrur dhe marrë në pyetje Shkëlzen Berisha.

Për të dy çështjet, si për raportin e kuvendit dhe kallëzimin e Shkëlzen Berishës kundër Ballës, hetimet janë duke u ndjekur paralelisht dhe është e domosdoshme administrimi i plotë i të gjithë dokumentacionit nga Kuvendi i Shqipërisë, me qëllim bërjen e analizës së mëtejshme juridike.
Ja çfarë shkruhet në shkresë:
Për nevoja të verifikimit të kallëzimit penal nr. 14 /2017 të paraqitura në Prokurorinë e Përgjithshme, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, në mbështetje të neneve 2,24 e 277 të Kodit të Procedurës Penale kërkojmë:

Të na vihen në dispozicion dokumentet, kopje të njehsuara me origjinalin dhe me vulë të njomë në secilën faqe, si vijon më poshtë”

Planin paraprak të hetimit të Komisionit hetimorë, ngjitur me vendimin e Kuvendit nr. 30/2016, me objekt: “Për të hetuar dhe verifikuar zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjen e interesit të shtetit shqiptarë gjatë proceduarave të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe negocimi i marrëveshjes së shitjes së aksioneve, miratuar me ligj nr. 10116, datë 23/04/2009 “ për miratimin e kontratës së shitjes së aksioneve së 76% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes OSSH sh.a-së ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës së Republikës së Shqipërisë dhe CEZ-a.s-së” si dhe evidentimi i efekteve negative financiare të shkaktuara nga ndjekja e zbatimit të kësaj marrëveshjeje”:

Procesverbalet e datave 15/02/2017 dhe 28/02/2017 të zhvillimit të këtij komisioni.

Shkresat për kërkime të dhënash për shtetasin Shkëlzen Berisha pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në lidhje me faktin nëse ai ka qenë subjekt tatimorë apo jo si dhe konfirmimet bankare në lidhje me transaksionin bankarë mes Berishës dhe shtetasit Ismail Mulleti. Të na bëhet me dije, arsyeja e kërkimit të tyre dhe nëse këto shkresa janë bërë pjesë e planit paraprak hetimorë.

Të na bëhet me dije arsyeja e thirrjes si dëshmitar e shtetasit Shkëlzen Berisha në këtë komision, dhe të na vihet në dispozicion vendimi i ndërmjetëm i komisionit për thirrjen e tij.

Duke ju falenderuar për mirëkuptimin,
Drejtori Adnan Xholi
.


/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen