Pas një dekade pune, studiuesit janë më afër se kurrë një zbulimi kyç për transplantet e veshkave: aftësisë për të transplantuar veshka nga donatorë me grupe gjaku të ndryshme nga ato të marrësve, gjë që mund të shkurtojë ndjeshëm kohën e pritjes dhe të shpëtojë jetë.

Në një studim të publikuar vitin e kaluar, një ekip nga institucione në Kanada dhe Kinë raportoi se kishte krijuar një veshkë “universale”, e cila, në teori, mund të pranohet nga çdo pacient, shkruan Science Alert.

Organi i testuar mbijetoi dhe funksionoi për disa ditë në trupin e një marrësi, truri i të cilit ishte i vdekur dhe familja e tij kishte dhënë pëlqimin për studimin.

“Kjo është hera e parë që e shohim këtë të ndodhë te një njeri,” tha biokimisti Stephen Withers nga University of British Columbia në Kanada, kur studimi u publikua në tetor. “Kjo na jep njohuri jashtëzakonisht të vlefshme për mënyrën se si të përmirësojmë rezultatet afatgjata.”

Sot, personat me grup gjaku O që kanë nevojë për transplant veshke zakonisht duhet të presin që të bëhet i disponueshëm një donator me grup gjaku O. Kjo përbën më shumë se gjysmën e personave në listat e pritjes, por meqenëse veshkat e grupit O mund të funksionojnë edhe te njerëzit me grupe të tjera gjaku, ato janë në mungesë të madhe.

Edhe pse aktualisht është e mundur të transplantohen veshka nga grupe të ndryshme gjaku, duke “trajnuar” trupin e marrësit që të mos e refuzojë organin, ky proces ekzistues është larg të qenit ideal dhe aspak praktik.

Ai kërkon shumë kohë, është i kushtueshëm dhe i rrezikshëm, dhe zakonisht kërkon donatorë të gjallë, pasi marrësi ka nevojë për kohë për t’u përgatitur.

Në këtë rast, studiuesit praktikisht e shndërruan një veshkë të grupit A në një veshkë të grupit O, duke përdorur enzima të veçanta që heqin molekulat e sheqerit (antigjenet) që shërbejnë si shenjues të grupit A. Studiuesit i quajnë këto enzima gërshërë molekulare pasi duke prerë një pjesë të zinxhirëve të antigjeneve të grupit A, ato shndërrohen në një gjendje pa antigjene ABO, karakteristike për gjakun e grupit O.

“Pasi kjo bëhet, sistemi imunitar nuk e sheh më organin si të huaj”, tha Withers.

Megjithatë, mbeten shumë sfida përpara se të mund të merren në konsideratë eksperimentet klinike te njerëzit. Veshka e transplantuar filloi të tregonte sërish shenja të gjakut të grupit A rreth ditës së tretë, gjë që shkaktoi një reagim imunitar, pak më të ashpër nga sa pritej dhe kishte shenja se trupi po përpiqej ta toleronte veshkën.

Mungesa e organeve për transplant është një problem që shkencëtarët po e trajtojnë nga disa drejtime, përfshirë përdorimin e veshkave të derrit dhe zhvillimin e antitrupave të rinj.

Zgjerimi i numrit të veshkave të përputhshme që këta pacientë mund të marrin premton të sjellë një ndryshim të madh.