Pedagogu Fran Qafa, i cili u denoncua në emisionin “Fiks Fare” për skemën e marrjes së provimeve me para nga ana e tij në fakultetin e drejtësisë në universitetin e Shkodrës është shpallur në kërkim. Efektivët e policisë së Shkodrës mbrëmjen e 15 tetorit kanë qenë në Fushë-Arrës të Pukës, ku banon pedagogu Qafa për të bërë arrestimin e tij pas videos së publikuar por nuk kanë arritur që ta arrestojnë.
 
Pedagogu që shfaqet në video duke abuzuar bashkë me sekserin e tij është larguar në drejtim të paditur. Kërkimet e policisë kanë vijuar deri në orët e vona por nuk është bërë e mundur kapja e pedagogut Qafa. Pavarësisht se është fshehur për t’iu shmangur policisë, uniformat blu vazhdojnë punën për kapjen e tij dhe vënien përpara përgjegjësisë për të dhënë shpjegime për atë çfarë shfaqet në video.
 
Fran Qafa pezullohet nga universiteti i Shkodrës!
 
“Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” duke marrë shkas nga pamjet e transmetuara në datat 13 dhe 14 tetor 2015 në emisionin investigativ “Fiks Fare” në televizionin Top Channel, i cili zbuloi një skemë korruptive ndaj një studenti me qëllim përfitimin e të drejtës së marrjes së provimeve në Universitetin e Shkodrës përkundrejt mitmarrjes, njofton se pas mbledhjes urgjente të Senatit akademik, me votim unanim u vendos pezullimi nga detyra i pedagogut Fran Qafa.
 
Raste të tilla janë një dukuri e shëmtuar, që nuk kanë asgjë të përbashkët me proceset integruese dhe përpjekjet maksimale që po bën Universiteti, për të përmirësuar produktivitetin në funksion të studentëve. Programi ynë ka si synim kryesor qendërsinë e studentit. Sfida jonë është të rrisim cilësinë e të diplomuarve dhe t’i orientojmë ata saktë në tregun e punës. Ne i nxisim studentët tanë, si dhe të gjithë qytetarët, që të jenë pjesë e luftës kundër korrupsionit dhe të denoncojnë pa frikë raste të tilla”-thuhet në deklaratën për shtyp të universitetit të Shkodrës.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)