SHKODËR- Me çifte në dorë, Fasli Hyka, 83 vjec ka qëlluar me breshëri plumbash nga ballkoni i banesës duke terrorizuar lagjen “Rus” në Shkodër. Ngjarja e rëndë u shënua pas mesnate (ora 00:30), ndërsa i moshuari bëri rezistencë, duke rrezikuar edhe jetën e efektivëve.

Burime nga Policia e Shkodrës bënë të ditur se në shenjestër të 83-vjecarit ishin një grup të rinjsh që festonin në katin e parë të lokalit ku banonte dhe i moshuari.

Gjatë deklarimit ai ka pretenduar se është bezdisur nga muzika e lartë dhe zhurma ndaj ka qëlluar me breshëri nga kati i katert i apartamentit. Fatmirësisht asnjë prej plumbave nuk ka prekur njerëzit, por vetem makinat e parkuara poshtë pallatit.

Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie duke izoluar zonën për shkak të rrezikshmërisë së lartë. Efektivët i bënë thirrje disa herë të dorëzohet por 83-vjeçari Fasli Hyka u izolua në banesë. Forcat Kombëtare të Sigurisë u futën nga ballkoni dhe hodhën një zhurmuese duke arritur ta neutralizojnë pas 3 orësh! Në momentet kur policia i bënte thirrje për t’u dorëzuar, i moshuari mbushte çiften dhe i kërcënonte policët: “Ikni se do iu vras!”

83-vjeçarit, pas arrestimit, iu gjet çiftja dhe një armë tjetër kallashnikov të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Mësohet se çiften deri në vitin 2012 e kishte me leje ndërsa prej asaj kohe e mbante pa leje. 83-vjecari jetonte vetem me bashkëshorten, ndërsa fëmijët janë të martuar. Bashkëshortja tha për mediat se gjatë regjimit komunist Fasli Hyka ka punuar në sigurimin e shtetit si agjent vullnetar.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:58
Qëlloi me armë nga ballkoni banesës, video e arrestimit të 83-vjeçarit në Shkodër! FNSH hap derën me forcë

 

I moshuari Fadil Hyka në Shkodër qëlloi nga ballkoni i banesës duke rrezikuar jetën e kalimtarëve. Në këtë video shihni momentin kur FNSH ka ndërhyrë në banesën e të moshuarit për arrestimin e tij.

Në një moment shihet edhe kur forcat e FNSH hapin me forcë derën dhe më pas bëhet arrestimi i të moshuarit. 83-vjeçari pas të shtënave ishte mbyllur në banesë dhe kishte kërcënuar punonjësit e policisë se do t’i vriste.

“Qëlloi në mesnatë, me armë gjahu, nga ballkoni i banesës së tij, duke rrezikuar jetën e kalimtarëve në rrugë dhe dëmtoi një automjet të parkuar, vihet në pranga 83-vjeçari. Gjatë ndërhyrjes së Policisë, 83-vjeçari kërcënoi me armë zjarri kallashnikov, për t’i vrarë, punonjësit e Policisë.

Me ndërhyrjen e specializuar të Forcave Kombëtare të Sigurisë Shkodër, u bë i mundur neutralizimi dhe venia në pranga e 83-vjeçarit.  Në banesën e të arrestuarit, Policia sekuestroi 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe municion luftarak.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër kanë konstatuar në mesnatë, se një shtetas po qëllonte me armë gjahu, nga ballkoni i banesës së tij në një pallat në lagjen “Partizani”, në drejtim të automjeteve të parkuara.  Menjëherë u organizua puna, u bë rrethimi i zonës për të mos kaluar automjete dhe kembësorë, si dhe iu bë thirrje autorit, të mos qëllonte dhe të dorëzohej.

Autori nuk iu është bindur thirrjeve të Policisë, por është futur në banesë, ka mbyllur derën dhe ka kërcënuar për vrasje, punonjësit e Policisë, në rast se do të futeshin në banesë. Ndodhur në keto kushte, në ndihmë të Policisë vendore, kanë shkuar Forcat Kombëtare të Sigurisë.

Pas ndërhyrjes së specializuar kanë bërë të mundur neutralizimin dhe vënien në pranga të shtetasit F. H., 83 vjeç, banues në Shkodër. Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë sekuestruan 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe municion luftarak.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.