SHKODER - Një breshëri kallashnikovi i ka marrë jetën një të riu mesditën e djeshme në fshatin Hot i Ri në komunën e Rrethinave në Shkodër. Altin Koçeku, 24 vjeç ka humbur jetën në Spitalin e Shkodrës, pasi është qëlluar me disa plumba nga adoleshenti Alban Lulashi. Burime nga policia që kanë shkuar në vendin e ngjarjes kanë bërë të ditur se, e gjithë ngjarja ka ndodhur pas një debati që ka nisur në një lokal mes viktimës dhe autorit të dyshuar, i cili është shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Shkodrës. Ai është marrë në pyetje ku ka treguar për debatin që ka pasur me viktimën.
 
VRASJA PAS SHERRIT
Një 24-vjeçar është ekzekutuar më kallashnikov në fshatin Hoti i Ri në komunën Rrethina pas një konflikti të çastit me një bashkëmoshatarin e tij. Ngjarja mësohet se ka ndodhur ditën e djeshme për motive banale. Altin Koçeku, 24 vjeç është qëlluar me breshëri kallashnikovi e për pasojë ka humbur jetën në spitalin rajonal të Shkodrës, ku ishte dërguar në gjendje të rëndë. Sherri ka nisur kur 24-vjeçari Koçeku ka qenë brenda një lokali në fshatin Hot kur ka nisur të debatojë me 17-vjeçarin Alban Lulashi po nga fshati Hot i Ri. Sipas dëshmitarëve debati ka degjeneruar deri në fyerje të rënda mes dy të rinjve.

Pas debatit 17-vjeçari Lulashi është larguar menjëherë nga lokali dhe ka shkuar në banesë, ku edhe ka marrë armën e zjarrit tip kallashnikov për t’u rikthyer përsëri. Në momentin që Koçeku ka qënë duke u futur në automjet, Lulashi e ka qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një distancë e afërt, ndërsa është larguar menjëherë. Për pasojë 24 vjecari ka marrë disa plumba në organet jetësore ndërsa është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës nga banorë të zonës por sapo është futur në sallën e kirurgjisë ka humbur jetën, për shkak të hemoragjisë.
 
HETIMET PËR KRIMIN
Pas krimit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta të policisë si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Menjëherë është ngritur një grup hetimor që ka nisur zbardhjen e këtij krimi. Policia tha se, ka nisur marrjen në pyetje të dëshmitarëve që ndodheshin në vendngjarje. Ata kanë bërë edhe shoqërimin e 17- vjeçarit të dyshuar për krimin, Alban Lulashi, po nga fshati Hot i ri. Sipas bluve shkak i ngjarjes ka qënë konflikti i çastit në mes të rinjve. Brenda 5 ditëve ky është krimi i dytë me vrasje në Shkodër.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)