Shkodër - Një 23 vjeçar i shpallur në kërkim, i dyshuar si bashkautor në vrasjen e Valter Fjerzës tre vite më parë ka rënë në prangat e policisë së Shkodrës.

Në pranga ka rënë edhe një 26-vjeçar, Kristjan Çarkaj për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Luçian Mëhilli së bashku me 26-vjeçarin u kapën në aksin rrugor “Shkodër–Prekal”, duke lëvizur me një automjet tip “Opel”. 

Sipas uniformave blu 23-vjeçari dyshohet se në bashkëpunim me të tjerë vranë 33-vjeçarin në Hot të Ri.

33-vjeçari po shkonte me makinë në lokalin e fshatit pasi kishte mësuar se i vëllai, Kol Fjerza po konfliktohej me 5 djem të fisit Mhilli.

Sherri mes Kol Fjerzës dhe autorit të dyshuar, Klodian Mhilli kishte lindur për një vend parkimi në rrugicën e lagjes.

Mhilli prentedonte se 38-vjecari Fjerza i kishte bllokuar rrugën për të hyrë në banesë.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Target”.

Në kuadër të këtij operacioni, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, u kap dhe u ndalua shtetasi L. M., 23 vjeç, banues në Shkodër.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Shtetasi L. M. dyshohet se, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, ka vrarë shtetasin V. F., më datë 21 shtator 2023, në fshatin Hot i Ri.

Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi K. Ç., 26 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Këta dy shtetas u kapën në aksin rrugor “Shkodër–Prekal”, duke lëvizur me një automjet tip “Opel”.

Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të banesës së shtetasit L. M., iu gjetën sasi të lëndëve të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe kokainë. Lëndët e dyshuara narkotike, automjeti dhe 2 celularë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Lajm në përditësim…

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë