Shkodër-  Për gati 3 orë Shkodra ishte nën pushtetin e ujit. Reshjet e shiut me intensitet të lartë por dhe era e fortë mbuloi të gjithë territorin e bashkisë së Shkodrës duke krijuar përmbytje të rrugëve kryesore por dhe në pedonale apo në sheshe kryesore.

Pati prezencë të shtuar të ujit pranë Bulevardit “Skënderbeu”, në Sheshin “Isa Boletini”, në Sheshin “Demokracia” dhë pranë Urës Dervishbeg.

Nga ana e Bashkisë Shkodër u angazhuan në terren të gjithë punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike dhe Policisë Bashkiake por intensiteti i lartë i reshjeve që vazhdoi për 3 orë e bëri të vështirë ndërhyrjen.

Bashkia u bëri apel qytetarëve që gjatë këtyre orëve të evitonin daljet e panevojshme nga banesat. Ndërkohë si pasojë e motit të keq disa fshatra nuk u furnizuan me energji elektrike

Situata u përmirësua pas 3 orëve. Në akset kryesore të qytetit u largua prezenca e ujit ndërsa vijoi puna në rrugët dytësore dhe në lagjet periferike të qytetit për zhbllokimin e kanalizimeve, me qëllim largimin e shpejtë të ujit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:37
Reshjet në Shkodër, pas më shumë se 3 orësh pastrohen akset kryesore të qytetit, punohet në rrugët dytësore

Pas më shumë se 3 orësh reshje intensive të shiut , situata në territorin e qytetit është përmirësuar plotësisht.

Në akset kryesore të qytetit nuk ka më prezencë uji, ndërkohë që tashmë po punohet në rrugët dytësore dhe në lagjet periferike të qytetit për zhbllokimin e kanalizimeve, me qëllim largimin e shpejtë të ujit.

“Nga momenti i parë, të gjitha strukturat e Bashkisë Shkodër kanë qenë në gatishmëri për këtë situatë, e cila u menaxhua në kohë rekord nga punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, Emergjencave Civile të Bashkisë, Policisë Bashkiake, Policisë së Shtetit, Forcave Zjarrfikëse dhe Ujësjellës Kanalizime Shkodër” shkruan kryebashkiaku Benet Beci në një postim në facebook.