Gjashtë orë udhëtim, gjashtë orë pritje dhe gjashtë fotografi të shkrepura.
Kaq iu desh Phil Noble, një fotograf i agjencisë së lajmeve Reuters për të shkrepur foton e ish-princit Andrew Mountbatten-Windsor duke u larguar nga stacioni i policisë pasi u lirua dje, ndërsa vijon të jetë nën hetim.
Duke folur për Reuters, fotografi ka detajuar planifikimin që çoi në realizimin e fotos. Ai thotë se udhëtoi për gjashtë orë drejt Norfolkut kur doli lajmi për arrestimin.
Pas marrjes së një informacioni, Noble u drejtua për në stacionin e policisë në Aylsham, ku disa anëtarë të mediave ishin tashmë të pozicionuar.
Mbi gjashtë orë më vonë, ra errësira dhe dukej se asgjë nuk po ndodhte, tregon Noble për Reuters. Ai nisi të mblidhte pajisjet për t’u drejtuar drejt një hoteli ku ekipi i tij po qëndronte për natën.
Vetëm pak minuta më vonë, ai mori telefonatën se makina e Andrew po largohej nga stacioni.
Noble u kthye me shpejtësi në Aylsham në kohë për të kapur dy makina që po largoheshin. Më pas ai shkrep gjashtë fotografi: dy tregonin policinë, dy ishin bosh dhe një ishte jashtë fokusit.
Por fotografia e mbetur kapi ish-princin të mbështetur në sediljen e pasme të makinës, me duart e kapura lehtë me njëra-tjetrën.
“Mund të planifikosh dhe të përdorësh përvojën tënde dhe ta dish saktësisht çfarë duhet të bësh, por gjithsesi gjithçka duhet të përputhet,” thotë Noble, i cili shton se fotografitë e një makine në lëvizje kërkojnë “më shumë fat sesa vendime”.
Komente






