Shkrimi i Guillaume Apolineri
për princërit e rremë shqiptarë

Shkrimi i Guillaume Apolineri<br />për princërit e rremë shqiptarë
Në revistën "Albania" të Faik Konicës kisha lexuar dhe skeduar para shumë vitesh një shënim për një artikull të poetit të madh francez Gijom Apolinerit me një subjekt bizar, që lidhej me Shqipërinë.

Teksti i plotë  i artikullit të Apolinerit, titulluar në frengjisht "Deu faux principes d'Albanie ("Dy princa të rremë të Shqipërisë) botuar së pari në revistën “Leuropeen”, e përmendur nga Konica në "Albania", viti IV, III, 1900, më ra në duar i kseroksuar i tëri dhe duke e lexuar mund të përvijoj për lexuesin shënimin prezantues dhe komentues si më poshtë:

Apolinieri ka pasur interesa kulturore të jashtëzakonshme.
Ai ka pasur lidhje të ngushta miqësore me Faik Konicën, shqiptarin erudit, që për Apolinierin, ishte më shumë se sa një enciklopedi e gjallë.
Artikulli i Apolinierit për princërit e rremë të Shqipërisë mendoj se evokon raportet e njohjes me Konicën në optikën e interesimeve për atdheun e lashtë dhe misterioz të mikut të tij shqiptar.

Është një dukuri e habitshme në jetën politike europiane, që shumë figura me kombësi tjetër, të interesoheshin për Shqipërinë dhe befas të vetëshpalleshin si mbretër, ose princër me trung gjenealogjik nga familja e Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Vepra e Barletit, e përkthyer që heret në gjuhët e mëdha të kontinentit të vjetër, ngacmoi imagjinatën e gjithfarë aventurierësh profesionistë, kaq tipikë për Evropën.
Apolinieri e njihte mirë këtë dukuri, kur shqiptarofilia qe një dimension origjinal politik.
Apolinieri përmend së pari Arlando Kastriotin, një spanjoll fantast, i cili mbiquhej me mbiemrin e Skënderbeut, për t’u paraqitur në opinion si trashëgimtari i tij legjitim dhe i vetmi.

Apolinieri tregon me ironi të admirueshme, se spanjolli i dyshimtë, nuk mund të kishte pretendim gjenealogjik, për arsyen e thjeshtë se i fundmi i derës kastriotase u vra në luftën e Pavies në 1525, kurse trashëgimia në vijë femërore gjithashtu kish humbur.

Për Arlando Kastriotin, personazh ndërkaq i njohur edhe nga shqiptarët e kohës, ka kaq shumë të dhëna dhe informacion sa nuk është vendi këtu të zgjatemi.
Interesant është edhe fakti që Apolinieri njeh me kompetencë historinë e Skënderbeiadës së shek. XV si dhe literaturën profesionale shkencore gjenealogjike.
Më pas Apolinieri në artikull bën fjalë për një të ashtuquajtur princ i Shqipërisë me emrin Stefan Anton Zanoviç. Apolineri kishte lexuar në fillim një libër të këtij njeriu, kushtuar historisë së Skënderbeut. Libri quhej "Le grand Castriotte d'Albanie, Francfort 1779 me autor Stiepan - Anton Zannovich - Wiskowich. Apolinieri përmend botimin, ose më saktë ribotimin e këtij libri, në Amsterdam, në 1786. Ky personalitet ambikuid, nga më aventuriozët, sipas Apolinierit, ishte me origjinë sllavo-shqiptare (dalmatinas) dhe kishte lindur me 1751. Erudit, tepër i shkathët, u bë i njohur në tërë oborret mbretërore të Europës, shkruante libra me talent të fuqishëm, kishte një vizion të padyshimtë iluminist, kishte takuar dhe njohur personalisht Volterin, Rusonë, Frederikun e Madh etj. Libri i tij për Skënderbeun pati një jehonë të jashtëzakonshme në opinionin kulturor dhe politik evropian për frymën volteriane antikierikaliste, për karakterin eseistik e filozofik, sipas iluminizmit, që duket, sidomos, në një paraqitje të një testamenti të Skënderbeut, që ishte në  fakt një traktat filozofiko-politik për “absolutizmin e ndritur” të një mbreti filozof sipas modelit të vjetër të Platonit. Libër tjetër i Zanoviçit është edhe “Kurani i princërve. Duke u vetëshpallur si trashëgimtar e imitues i fronit mbretëror të Shqipërisë Zanoviçi pretendonte të luante një rol kryesor në teatrin e politikës evropiane.

Kështu ky personazh i pazakontë, i kishte vënë vetes tituj të tillë të bujshëm si Kastriot, princ i Shqipërisë, Kapedan i përgjithshëm i malazezëve, patrik i kishës greke, pan i madh i Polonisë, princ i së shenjtës perandori romake, dukë i Hercegovinës, fisnik i Venedikut, i madh i Spanjës i klasës së parë, Kryelutës i Maltës, Kryetar i Urdhërit  të shën Kastriotit, ose i njëmbëdhjeti zbritës (pasardhës) i Skënderbeut. Veprimet e Zanoviçit qenë nga më të pabesueshmet. Kështu ai hyri në tratativa me Hollandën për t’i vënë në shërbim ushtarak për ndihmë 20 mijë shqiptarë(?!). Megjithë admirimin e veçantë të Zanoviçit në librat e tij për Shqipërinë dhe kryetrimin shqiptar ai i quan shqiptarët “diamantë të pagdhëndur”. Miqësia e tij me baronin Kloats, i krijoi mundësi të lidhjeve nga më të fshehtat, të nëndheshme, me diplomacinë dinake të kohës. U fut në burg në qytetin e Hamburgut me akuzë të rëndë (kishte me vete dy djelmosha homoseksualë). Më vone u burgos edhe në Amsterdam dhe pikërisht në burg i dha fund jetes se tij  duke prerë damaret me thonj, në vitin 1786, duke mbyllur kështu kapitullin e fundit të një nga jetëve rjerëzore më të shqetësuara dhe aventuroze në shekuj.
Në fund të artikullit Apolineri përmend kalimthi edhe një të vetëquajtur tjetër si kastriotas në vitet 1879-1880, që i kishte akorduar titullin “markez” vetë shkrimtarit Aleksander Dymas. Apolineri operon në artikull me indikacione historike letrare etj. Për një mendje kurioze si Apolineri nuk mund të nënçmohej habia që ngjallnin veprimet e princërve të rremë, aq më tepër që kjo dukuri e "Dimitërve të rremë, lidhej edhe me kombet e tjerë dhe shumë të vjetër në histori.

P.sh. njihet nga kronikat se kur normanët pushtuan Durrësin në shek. XII paraqitën edhe një perandor të rremë të Bizantit. Ose le të kujtojmë edhe historinë e Xhem Sulltanit të vërtetë, vëllait të presupozuar të Sulltanit të vërtetë të perandorisë osmane që mbahej në oborret evropiane dhe krijoi lidhje edhe me krerë të kryengritjeve shqiptare antiosmane.

Së fundi, do të ishte me interes të mblidheshin disa nga shkrimet e Apolinerit për Shqipërinë, korrespondenca e tij brilante intelektuale e klasit të parë me Konicën në një libër të veçantë që do të ishte një befasi e kënaqësi e vërtetë mendore për ne shqiptarët, por edhe për të tjerët.
 
 Apolineri për Konicën (*)
 
 I veçanti
“Nga të gjithë njerëzit që kam njohur dhe i kujtoj me kënaqësinë më të madhe, Faik Beg Konica është njëri prej të vecanteve. Ai lindi në Shqipëri, rreth 40 vjet të shkuara (1875) nga një familje që i kishte qëndruar besnike besimit katolik”.
 
Konica dhe feja
“Kjo Shqipe" ("Chkipe") u rrit në Francë dhe rreth moshës 20 vjeç ishte mjaft fetar sa që një herë kishte shfaqur idenë për të hyrë në Grande-Chartreuse, manastir katolik në veri të Grenobles. Megjithatë ai nuk hodhi asnjë hap në këtë drejtim. Gradualisht përkushtimi ndaj fesë u shndërruar jo në indiferentizëm, por në një lloj anti-klerizëm si ai i Merimesë”.

 Revista “Albania”
“Faiku vazhdoi studimet, por pasi ishte i mbushur plot dashuri për vendlindjen Shqipëri u kthye në Turqi, ku u angazhua në veprimtari anti qeveritare, dhe u dënua dy herë me vdekje në mungesë. Ai u kthye perseri në Francë, për gjuhën dhe letërsinë e së cilës kishte njohuri të shkëlqyera. Në Francë, Faiku krijoi lidhje të ngushta me çdo njeri që kishte të bënte me Shqipërinë. Megjithatë, ai pa se shkalla e lirisë së individit që lejohej në Francë ishte e pamjaftueshme, dhe shkoi në Bruksel, ku në Rue d’Albanie themeloi revistën Albania, e cila fillimisht trajtoi çështje politike dhe pastaj edhe më gjërë duke përfshirë çeshtjet e letërsisë, historisë dhe filologjisë. Me këtë Faiku e rigjallëroi jashtëzakonisht lëvizjen shqiptare. Duke pastruar gjuhën shqipe nga fjalët e huaja e parazitare që kishin vërshuar në të, Konica arriti brenda pak vitesh ta shndërrojë ate nga një dialekt te ngushtë në një gjuhë të bukur, të pasur e mjaft shprehëse”.
 
Në stacionin policor
“Megjithatë, liria ashtu siç kuptohej ajo në Bruksel, nuk e kënaqi Faikun më shumë se sa liria që kishte provuar në Paris. Një ditë ai e pati punën keq kur një polic e ndaloi në rrugë. “Nga jeni?”, e pyeti polici. “Albania”, u përgjegj Faiku. “Adresa?”, e pyeti perseri polici. “Rruga Albania”, ia ktheu Faiku. “Profesioni?” “Redaktor i Albanias.” thote Faiku. “Po talleni me mua?”, reagoi polici i zemëruar. Dhe patrioti shqiptar e kaloi atë natë në stacionin e policise derisa çështja u sqarua".
 
 
Shtypshkronja me germa platini
“I ngopur me Brukselin, Faik Beg Konica u nis për në Londër. Ai e braktisi shtypshkronjën e tij të mrekullueshme, e përbërë vetëm nga gërma platini me të cilat ai vetë hartoi dhe shtypi një numër librash të formatit të vogël, libra jashtëzakonisht të rrallë. Kjo veprimtari pati jetë të shkurtër pasi punëtori i tij i vetëm në shtypshkronjë u tregua i pakujdesshëm dhe pllakat me gërmat e rralla u prishën”.
 
 
Takimi i parë
“Unë nuk e kisha takuar ndonjëherë. Ai më kishte ftuar për të kaluar disa ditë me të, dhe pati premtuar të më priste në stacionin e trenit. Ndonjë shenjë ishte e nevojëshme nga e cila unë mund të dalloja se ishte ai. U morrëm vesh që Faiku të vendoste në jaken e xhaketës një lule. Treni me të cilin po udhëtoja arriti shumë vonë, dhe në stacionin Viktoria unë pashë se të gjithë zotërinjtë në platformë mbanin lule në jakat e xhaketave të tyre. Si do ta dalloja une mikun tim shqiptar?, pyeta veten. Atehere mora një taksi dhe mbërrita në shtëpinë e Faikut pikërisht në kohën kur ai po dilte për të blerë lulen.”
 
 
Drekat, shëtitjet dhe bisedat
“Faik Beg Konica kishte një pasion për klarinetën dhe oboen. Në dhomën e ndenjes ai kishte një koleksion të vjetër të këtyre instrumenteve. Para dite, ndërsa prisnim të vinte koha e drekës, e cila gjithmonë shtrohej me vonesë, Faiku luante melodi të vjetra, ulur pranë tryezës me sy gjysmë të mbyllur e me pamje mjaft serioze. Dreka ishte “a l’albanise”, me fjalë të tjera, e bollshme e pafund. Çdo dy ditë për ëmbëlsirë kishim qumështor, që unë nuk e pëlqeja aspak.
Faiku e donte shumë. Ditët e tjera kishim një lloj keku që unë e pëlqeja shumë.
Faiku nuk donte as ta shikonte me sy. Drekat zgjasnin aq shumë sa unë nuk pata mundësi të vizitoja qoftë edhe një muzeum në Londër – ne arrinim atje pikërisht në kohën kur dyert mbylleshin. Megjithatë, ne bëmë shetitje të gjata dhe une pata rastin të njihem me intelektin e lartë e të përkryer të Faik Konicës.”
 
Miqësia ndaj meje
“Mua më bënte gjithnjë e më shumë përshtypje miqësia që Faiku tregonte për mua.
Unë isha në gjendje t’a kuptoja se ajo ishte një ndjenjë e pastër që rridhte natyrshëm prej tij. Thuajse si të gjithë shqiptarët me prejardhje nga familje te njohura, Faiku kishte prirjen për t’u pushtuar nga mania e persekutimit, shqetësimi i madh deri në dëshpërim. Dhe shqetësimet e tij merrnin forma nga më të çuditëshmet. Pasi blente diçka në dyqan, Faiku gjithmonë largohej me frikën se shitësi do të vraponte pas tij per t’a akuzuar se e kishte vjedhur mallin.
“Si do t’ja provoja se nuk e kisha vjedhur?” thoshte gjithmonë Faiku.
 
 
(*)Disa nga kujtimet e Apolinerit për Konicën shkruar rreth vitit 1912, përfshirë në librin “APOLLINAIRE Poet Among the Painters”, nga Francis Steegmuller

shkrimi

shkrimi

shkrimi


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Humbi jetën pasi ra nga shtylla e tensionit në Patos, reagojnë Sindikatat për punëtorin egjiptian: Përgjegjësit të dalin para drejtësisë