Shkrimtarja Miranda Haxhia lexon tregimin e saj prekës nga karantina

 

Shkrimtarja Miranda Haxhia në një mesazh nga karantina për Report Tv, zgjedh te lexoj një tregim të shkurtër , kushtuar, Dritës, një gruaje që që vuajti në kampet e internimit gjatë komunizmit, por që pas fitores së demokracisë e harruan të gjithë.  E lexoj këtë tregim si një mesazh që në raste fatkeqësish të mos harrojmë dashurinë për njerëzit që vuajnë shprehet shkrimtarja

Tregimi nga Miranda Haxhia

Drita, mikja e njerëzve të mi, por edhe imja për sa e kam njohur, u nda nga kjo jetë. Ti nuk e njeh, por do doja të rrëfeja për të, sepse në fund të këtij rrëfimi, do gjesh copëza të saj te të afërmit e tu, te nëna apo gjyshja jote... Te Drita, e mbajta unë fjalën pranë një pirgu dheu. Sepse Drita nuk kishte lavdinë e madhe të jetës. Pasuria e vetme që la pas, ishte vendi ku kishte qenë një shtëpizë e ndarë nga hangari i duhanit, tani, e ngrënë nga minjtë, erërat dhe rrënuar nga shirat. Dhe as kryetari i komunës nuk erdhi në varrim, se kishte një ditëlindje dhe po festonte me familjen diku, në një pikë turistike, ku hahej brinjë dashi dhe arragosta. Drita lindi një natë të vështirë, në një shtëpi të vjetër, ndarë nga hangari i duhanit. Emrin e kishte lënë amanet babai i saj, kur ishte në burg. Sepse nuk doli dot i gjallë. Nëse lind varzë, i kishte thënë nuses, veri emrin Dritë, se kemi boll terr. Në fshatin e humbur ishte banore humbur. U rrit me rrënjë bimësh, lënde maresh e ndonjë misërishte të krimbur, mbetur nga korrjet. Drita fshihej ndër ugare dhe ndiqte piligorkat në mbretërinë e tyre. Fliste me to. Harrohej mes ëndrrash, veç dy orare nuk i harroi asnjëherë: apelin në mëngjes dhe pasdreke në zyrën e operativit të zonës. Drita nuk e njohu babanë, por dashuria e madhe e nënës e mbajti gjallë, atë dhe vëllezërit e saj. Mësoi shumë gjëra në fshatin ku u internua. U mësua me zhurmën që bënin minjtë në gardhin që mbante çatinë; krijonte muzikë me pikat e shiut që mblidheshin në një kusi të shtrembëruar nga tymi dhe zjarri, çdo darkë shihte ëndrra me fantazmat që krijonin leckat që i hidhte e ëma për ta mbrojtur nga cikna dhe era. Drita ishte pa rrënjë. Ajo lindi dhe u rrit mbi një tokë “të huaj”. Nuk mësoi dhe nuk i pa dot asnjëherë viset ku ishte rritur babai dhe nëna e saj. Ku i kishin degdisur, ishte një rrugë kaq e gjatë, sa kthimi donte tridhjetë e nëntë vjet. E deri atëherë, ishte harruar fjala “kthim”. Rruga e saj ishte vetëm zhytje drejt një terri të gjatë. Një rrugë, në të cilën, mezi gjeti një copë ugar të varroste nënën. Drita, e bukur si një perri, me lëkurën e djegur nga dielli i atij fshati të mjerë, ku kishte më shumë të internuar se gurë e pemë; e hijshme dhe e gjatë, por e rrudhur dhe thinjur si një plakë e harruar nga jeta dhe vdekja; e zgjuar dhe e mençur, por e shtypur dhe e mbajtur mirë nën zgjedhën e mohimit të shkollës, të jetës, të së ardhmes – Drita, erdhi e u bë një grua e zakonshme. Kur u përmbys qielli dhe toka, mbas rënies së diktaturës, Drita nuk dinte ku të shkonte: rrugët i kishte harruar, nuk udhëtonte dot. Kishte qenë e ndryrë në një kafaz dhe tani, kumti i lirisë e mbyste. E trazonte. E vriste, ashtu si vritet i dashuri nga vetë dashuria. Jetoi deri dje në atë hapësirën e vetme ku dikur, nëna e saj, e përzënë dhe e përbuzur, me barkun te goja, me dy djem të vegjël, me një thes rreckash, kishte ndalur, pas zërit të fortë të dikujt: këtu e meriton të rrish, sepse je gruaja e armikut. Desha t’i thosha Dritës, prehu këtu, jo sepse e meriton të jesh këtu, por besomë, ka më shumë diell në këtë vend të humbur sesa te sheshi i madh në qendër të Tiranës. Sapo u ktheva nga varrimi në atë vend, ku Drita do prehet e sipër varrit të saj, do këndojnë piligorkat. Por nuk qaj dot, edhe pse ndiej që jam bërë e gjitha qull.

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Elisa Spiropali flet si kryetare e Kuvendit, mesazh opozitës: ​​​​Nuk do më keni përballë por në krah, do jem vullnetmirë

Elisa Spiropali flet si kryetare e Kuvendit, mesazh opozitës: ​​​​Nuk do më keni përballë por në krah, do jem vullnetmirë