Shkrumbohet nga flakët kisha e
“Shën Mërisë” në Kozare të Beratit

Shkrumbohet nga flakët kisha e<br />“Shën Mërisë” në Kozare të Beratit
TIRANE- Një zjarr i rënë pas mesnatës së 14 gushtit ka shkrumbuar krejt kishën e “Shën Mërisë” në komunën Kozare të Beratit. E njohur ndryshe si Kisha e Ungjillizimit, Kisha e Kozarës është shpallur që në vitin 1963 Monument Kulture dhe u trajtua si i tillë deri në vitet ‘90.

Por pas vitit 1991, me rënien e sistemit komunist, kjo kishë është grabitur disa herë dhe është zhveshur nga dhjetëra ikona e materiale, të cilat janë bërë pre e trafikantëve. Tashmë ajo që mbeti në kishën e Kozarës është përfshirë nga flakët e zjarrit. Nga Komuna Kozare na njoftuan se flakët kanë përshirë fillimisht sallën ku kryheshin ritet fetare në kuadër të festës së Shën Mërisë dhe më pas zjarri është përhapur me shpejtësi duke përfshirë gjithë ndërtesën.

Banorët kanë njoftuar zjarrfikësen dhe janë drejtuar të gjithë në kishë për të shuar flakët, por zjarri ka marrë përmasa shumë të mëdha, duke dalë jashtë kontrollit; pasi një pjesë e kishës ishte ndërtuar prej druri. Forca të shumta zjarrfikëse kanë luftuar me flakët dhe kanë qëndruar deri në orët e para të mëngjesit, por nuk kanë mundur ta shpëtojnë dot kishën nga shkrumbimi. Kryetari i komunës Kozare, Myslym Haxhiu, është shprehur se Kisha e Shën Mërisë ishte një nga kishat më të rralla në qarkun e Beratit, e ndërtuar e gjitha me dru dhe në të gjithë sipërfaqen e saj, përfshirë edhe kupolën me pikturat murale qindravjeçare. Haxhiu e quan “humbje të një pasurie të rrallë shekullore djegien totale të kësaj kishe, ku dëmet janë të paparashikuara për shkak të vlerave historike dhe arkitektonike që mbartnin pikturat murale të saj”. Por, keqardhja nuk i kthen dot pas vlerat e trashëgimisë...
 
Kisha e Kozarës, si u zhdukën objektet pas viteve ‘90

Arkeologët dhe studiuesit kanë apeluar shpesh për lënien në harresë të këtij monumenti të rëndësishëm të kulturës kombëtare. Një vit më parë arkeologu i njohur Skënder Muçaj që merret kryesisht me studimin e antikitetit ka bërë apel që të shpëtohen kishat, të cilat prej vitesh janë lënë në harresë dhe po degradojnë. Muçaj, plot një vit më parë, në intervistën për “Shqiptarja.com” ka vënë theksin te kisha e Shën Mërisë në Kozare. “Kisha e Kozarës, një monument kulture që vjen nga fundi i shekullit të 18-të, ka një pikturë shumë të bukur, por gjendja e saj është për të ardhur keq. Muri ka lëvizur nga vendi që 2004-n.

Është bërë një ndërhyrje me financimet e Këshillit të Europës dhe aty ngelën. Kjo kishë e rrallë ka dhe një pikturë të ruajtur shumë mirë”, kujton arkeologu, ndërsa një vit pas intervistës së tij kjo pikturë është djegur. Hetimet e para e kanë quajtur një aksident që erdhi si pasojë e lënies ndezur të qirinjve pas meshës fetare në mbrëmjen e 14 gushtit, për t’u gdhirë Dita e Shën Mërisë më 15 gusht.

Kisha e Kozarës për herë të parë u grabit në vitet e para pas rrëzimit të diktaturës. Pjesë dekorative, ikona, zbukurime të gdhendura u bënë pre e trafikantëve që i kanë nxjerrë për t’i shitur jashtë kufirit. Asnjë nga këto elementë nuk u gjet nga shteti shqiptar për t’ia rikthyer kishës. Në gushtin e vitit 2003 grabitet për të herë të dytë kisha e Shën Mërisë në Kozarë. I shqyejnë derën dhe grabitja ishte e përmasave të mëdha. Zhduket ikonostasi i kishës së Ungjillëzimit (Shën Marisë” në Kozare të Beratit.  

Historia e Kishës së Ungjillëzimit në Kozarë
 
Kisha e Ungjillëzimit (Shën Marisë) ndodhet në fshatin Kozarë në rrethin e Kuçovës. Është një kishë e tipit bazilikal. Sipas mbishkrimeve është ndërtuar në dy faza. Ndërtimi i parë, Naosi dhe Bema i takon vitit 1768. Në vitin 1791 i janë shtuar ambienti i Narteksit dhe një hajat me një arkadë të ulët në anën jugore që dëshmohet nga mbishkrimi i lënë në faqen perëndimore: kujdestarisë së Magjio Korazit dhe të subashëve Martir Ramos.” Në pjesën jugore të kishës ndodhet portiku i përbërë nga 8 kolona në formë rrethore prej guri ku mbështeten arkadat, interkolumi këtu është rreth 1m.

Narteksi i kishës paraqitet një kuadrat në formë drejtkëndëshi me përmasa (10.7 x 5.8 m). Struktura ndahet në dy ambiente nëpërmjet një kolonade të përbërë nga tri kolona në formë katrore. Të dyja anët e narteksit ndodhen dy ambiente të tjera shërbimi. Ndërsa në anën veriore të kishës ndodhet një ambient shërbimi me përmasa (18.8 x 3.2 m) i cili shkon paralelisht me drejtimin lindje-perëndim të monumentit. Në pjesën Jugore ndodhet edhe kambanorja e kishës. Kisha e Ungjillëzimit së Kozarës spikat së tepërmi për vlerat që prezanton ruajtja në një gjendje të mirë e afreskut mural, i cili shtrihet në gjithë sipërfaqen e brendshme të mureve. Në afresk paraqiten skena të ndryshme nga historitë biblike.

Ikonostasi i grabitur
Ikonostasi i Kishës së Kozares është tërësisht i gdhendur me mjeshtëri në dru në vitin 1812. Ai është realizuar në të njëjtën hapësirë kohe dhe konceptesh me ikonostasin e kishës “Fjetja e Shën Marisë” (1807) në Kala, vepër e ateliesë së Stefan Barkës, amvonës po në këtë kishë (1849) nga atelieja e Naum Ngjelës si dhe ikonostaset e kishave
të Shën Marisë në Mbreshtan dhe Shën Mitrit në Drobonik.

Këto vepra dhe monumentet që kanë zbukuruar janë realizuar në kohën kur “mitropolinë e shenjtë të Beratit” e ka
udhëhequr! ”i gjithhirshmi zoti Joasaf nga katundi Bubullimë…” Ky ikonostas është realizuar nga i biri i usta
Naumit, Mandushi. Ai është në dru i gdhendur me motive dhe dekorime të pasura dhe i veshur me patinë ari. është rreth 10 m i gjerë dhe afërsisht 4-5 m i lartë.

Kisha e Shën Mërisë në Kozare Berat
 
Kisha e Kozares, Berat, e quajtur ndryshe Kisha e Ungjillëzimit, është një monument kulture që daton nga fundi i shekullit të 18-të. Ndërtimet e para nisën në vitin 1768. Pas viteve ’90 kisha nisi të dëmtohej. Pjesë dekorative, zbukurime të gdhendura u bënë pre e trafikantëve, që i kanë shitur jashtë kufirit. Në gushtin e vitit 2003 grabitet për të herë të dytë. Kishës i shqyejnë derën dhe dëmi ishte i përmasave të mëdha. Zhduket ikonostasi i saj. Më 14 gusht të 2014-ës digjet tërësisht. Lihet për një kohë të gjatë në gjendje të degraduar, pa asnjë restaurim dhe kujdes nga shteti. Monumenti i kulturës ishte lënë në përdorim të klerikëve dhe besimtarëve ortodoks. 

kisha e djegur























kisha e djegur


































kisha





















Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)    

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Trafik armësh drejt Britanisë së Madhe, GJKKO lë në 'arrest me burg' 3 të arrestuarit, 3 të tjerë në kërkim

Trafik armësh drejt Britanisë së Madhe, GJKKO lë në 'arrest me burg' 3 të arrestuarit, 3 të tjerë në kërkim