Dy ditë pas vendimit të Hagës, 50 veteranët e UÇK-së mbërrijnë në Portin e Durrësit

Me flamuj, simbolet e UÇK-së dhe “Liria ka emër”, 50 veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbërritën mëngjesin e sotëm në Portin e Durrësit.

Të zhgënjyer për dënimin e dhënë dy ditë më parë për Hashim Thaçin, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ata u shprehën se do të vijojnë që t’i mbështesin ndërsa shpresojnë se në Apel vendimi do të ndryshojë.

“O Hashim ti ku je, UÇK-në këtu e ke”, thanë ata njëzëri.

Në një prononcim për mediat Ismail Selmani bëri apel që pavarësisht zhgënjimeve qytetarët duhet të tregohen të përmbajtur dhe të përcjellin pozitivitet.

Hashim Thaçi është një atdhetar prandaj edhe e la detyrën si president, mesazhi i tij ka qenë shumë i qartë. Të ndalohen protestat si në Kosovë edhe në Shqipëri, jo të prishim vendin ku jetojmë. Jepni frymë pozitive, edhe pse jemi të zhgënjyer”, tha Ismail Selmani.

Më 16 shtator Dhomat e Specializuara në Hagë dënuan me nga 25 vite burg Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, me 18 vite Kadri Veselin dhe me 13 vite Rexhep Selimin për krime lufte.

Për Hashim Thaçin, trupi gjykues se ai ishte "anëtar kyç" në zbatimin e qëllimit të përbashkët kriminal, inkurajoi krimet ndaj kundërshtarëve, kishte dijeni për një numër të konsiderueshëm krimesh dhe nuk ndërmori hapa për t'i parandaluar apo ndëshkuar.

Për Kadri Veselin, gjykata tha se ai ishte figurë kyçe në zbatimin e këtij plani, kontribuoi në identifikimin dhe neutralizimin e personave të konsideruar të dyshimtë dhe "mori pjesë dhe inkurajoi krimet".

Për Jakup Krasniqin, trupi gjykues tha se ai përdori rolin e tij si zëdhënës i UÇK-së për të promovuar politikën e shënjestrimit të kundërshtarëve, emëroi persona besnikë në pozita kyçe dhe nuk ndërhyri për të parandaluar krimet, megjithëse kishte dijeni për to.

Ndërsa për Rexhep Selimin, gjykata tha se ai inkurajoi dhe mori pjesë në kryerjen e krimeve, kishte dijeni për keqtrajtimet dhe vrasjet, por nuk ndërmori masa për t'i parandaluar.