Shkup, dënohet ish-kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski dhe organizatorët e sulmeve të 2017-ës në parlament

Shkup, dënohet ish-kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski dhe organizatorët e sulmeve të 2017-ës në parlament

Ish-Kryetari i Parlamentit Trajko Veljanovski

Gjykata Penale në Shkup dënoi me gjashtë vjet e gjysmë burg ish-Kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski për organizimin e ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit të vitit 2017.

Për të njëjtën vepër, gjykata u shqiptoi dënimin me nga gjashtë vjet e tre muaj burg edhe Mile Janakievskit, ish-ministër i Transportit dhe Spiro Ristovskit, ish ministër i Arsimit në qeverinë e Nikolla Gruevskit. Ndërkaq, ish-drejtori i Shërbimit Sekret, Vladimir Atanasovski u dënua me 6 vjet burgim.

Gjykata i shpalli ata fajtorë për veprën penale të “rrezikimit terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”. Prokurorët u shprehën të habitur me dënimet e ulëta për një akuzë të tillë.

Gjykatësi Ile Tërpkov tha se dënimet janë minimale për shkak të qëndrimit korrekt dhe bashkëpunimit nga ana e të akuzuarve. Ai tha se “shteti mbrohet me mend dhe me zemër e jo me dhunë që lëndoi thelbin e demokracisë”.

Gjykatësi theksoi se zoti Veljanovski nuk respektoi rregulloren e parlamentit në seancën konstituive më 27 prill, 2017. Sipas akt-akuzës, ai njoftoi ish-Kryeministrin Gruevski, i cili ndodhej në Vjenë, se Lidhja Social Demokrate do të zgjidhte Talat Xhaferin për kryetar të Parlamentit. Në atë çast, ish ministri i Arsimit Spiro Ristovski i thotë deputetit të VMRO-së, Kërsto Mukovskit, që ta hapte derën kryesore të Parlametit për të hyrë masa e njerëzve që po protestonin përjashta.

Gjykatësi theksoi edhe shprehjen e Gruevskit atëherë se “populli nuk duhej të rrijë me pantofla në shtëpi, por ta marrë fatin në duart e veta”.

Zoti Gruevski është arratisur në Hungari, ku i është mundësuar strehimi, teksa është dënuar në Shkup për vepra të tjera penale. Prokuroria, si dhe autoritetet qeveritare, presin ekstradimin e tij, në mënyrë që të ngrenë akuzën e organizatorit të ngjarjeve të dhunshme në parlament.

Gjatë shpalljes së dënimit gjykatësi tha se të akuzuarit si organizatorë, kishin angazhuar strukturën partiake të VMRO-DPMNE-së në planin për sulmet, duke bërë që numri i policëve dhe personeli i sigurimit të ulej gradualisht brenda godinës dhe jashtë saj, urdhëruan shkatërrimin e materialeve të videoregjistrimit, ndërkohë që kishin sjellë një automjet me një sasi të konsiderueshme armësh pranë parlamentit dhe lejuam turmën e protestuesve të futej brenda institucionit më të lartë ligjvënës për të sulmuar deputetët e shumicës së re të drejtuar nga socialdemokratët.

Gjatë sulmit u lëndua rëndë deputeti Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët, i cili u shtrua në spital për disa ditë, si dhe Kryetari i i Lidhjes Social Demokrate, Zoran Zaev.

Për këtë vepër më parë janë dënuar 16 persona. Ndërkohë, pas ligjit të amnestisë të miratuar në dhjetor të vitit 2018, pesë deputetë të VMRO-së të akuzuar për rolin e tyre, u lanë të lirë./VOA

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën