SHKUP (Maqedoni), 13 korrik /ATSH-AFP/ - Ndihmës-sekretarja Amerikane për Çështjet e Europës dhe Azisë, Victoria Nuland i kërkoi sot qeverisë dhe opozitës në Maqedoni t'i japin fund krizës politike që ka goditur ish-Republikën jugoslavve që prej disa muajsh.
"Ka ardhur koha t'i jepet fund krizës (...) të bëhen përpjekje për të bashkuar palët përkatëse rreth një zgjidhjeje që do t'i mundësojë vendit të rikthehet në rrugën e procesit të integrimit euro-atlantik", deklaroi Nuland për shtypin në përfundim të një takimi me kryeministrin konservator, Nikola Gruevski.
"Ne e mbështesim fort marrëveshjen e 2 qershorit, ka vetëm disa çështje për të zgjidhur", shtoi ajo duke iu referuar marrëveshjes së arritur nën drejtimin e Bashkimit Evropian dhe që parashikon zhvillimin e zgjedhjeve legjislative të parakohshme para fundit të muajit prill 2016, rreth dy vjet para përfundimit kushtetues katër vjeçar.
Më 10 qershor në Bruksel, negociatat u bllokuan për çështjen e krijimit të një qeverie tranzicioni të ngarkuar me organizimin e këtyre zgjedhjeve, që kërkon opozita e majtë. Ky takim duhet të finalizonte në parim detajet e marrëveshjes së 2 qershorit të arritur mes katër partive kryesore politike maqedonase.
Maqedonia, vend me 2,1 milionë banorë është zhytur në një krizë të thellë politike që prej zgjedhjeve të mëparshme, në prill 2014./
/ec/









