Hetimet e Gërdecit, Shkëlzen Berisha jep llogari në SPAK, i përfshirë në demontimin e armëve që solli 26 të vdekur: S'kam lidhje

Në të njëjtën kohë kur Sali Berisha kishte bllokuar foltoren e Kuvendit dhe seanca plenare ishte kthyer në kaos (Duke tërhequr vëmendjen), djali i tij Shkëlzeni u paraqit për herë të parë sot para prokurorëve të SPAK për të dhënë përgjigje per rreth 1 ore e 30 minuta për lidhjen e tij me tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 qytetarë të pafajshëm.

Emri i tij ka qenë shumë ‘popullor’ në shumë shkresa apo ‘koicidenca’ që kanë pasur të bëjnë me biznesin shumë fitimprurës të demontimit të armëve në Gërdec. Një shkresë për të e dalë nga Ministria e Drejtësisë dhe komunikime intensive me persona të përfshirë ishin disa prej këtyre rasteve.

Vetë Shkëlzen Berisha është shprehur ‘i habitur’ jashtë SPAK në prononcimin e tij për mediat, teksa thotë se nuk e kupton se si ka mundësi që të njëjtët prokurorë që para 15 vitesh (Kur babai i tij ishte Kryeministër) mendonin se ai nuk kishte lidhje me këtë çështje dhe tani pas 15 vitesh mendojnë ndryshe për të.

Ai u pyet nga gazetarja e Report Tv, Keti Banushi për bisedat me Mediun pas shpërthimit të Gërdecit dhe ka thënë se ‘ka folur për çështje familjare me të dhe nuk i zbulon’.

Shkëlzen Berisha është pyetur gjithashtu edhe në lidhje me shënimin ‘Për Shkëlzenin’ në një faks të Ministrisë së Drejtësisë. Ai tha se s’ka asnjë lidhje, ndërkohë që pranoi se ka shkuar shpesh në Ministrinë e Drejtësisë se sipas tij ka takuar miq.

 “S’kam asnjë lidhje me të. Prokuroria duhet t’i thotë publikut se kush e ka bërë atë shënim. Unë nuk kam asnjë lidhje. Prokuroria t’i thotë publikut se e kujt është kaligrafia, nëse nuk është falsifikim.  Që unë të futem në Ministrinë e Drejtësinë nuk do të thotë që unë marr vendime”, tha ai

Ministrat e Berishës në krye të Mbrojtjes dhe Drejtësisë, Fatmir Mediu dhe Aldo Bumçi duket nga faktet se vepronin në diktimin e Shkëlzenit për të bërë letrat e biznesit me pasurinë publike, siç ishin municionet. Dy orë pas shpërthimit, ditën e 15 marsit 2008, nga tablatet telefonike rezulton se Fatmir Mediu, telefonatën e parë e zhvillon me pikërisht Shkëlzen Berishën, e cila zgjat 74 sekonda. Gjithashtu, pas shpërthimit, mes personave të parë që u ka telefonuar pronari i "Albademil" Mihal Delijorgji që merrej me demontimit, është Shkëlzen Berisha. Emri i Sali Berishës dhe i Shkëlzenit përmendej shpesh në bisedat telefonike midis dëshmitarit kyç të Gërdecit, Kosta Trebicka dhe Efraim Diverolit, trafikantit të armëve nga Florida. Nga zbardhja e tabulateve telefonike, Efraim Diveroli deklaronte se Berisha dhe Shkëlzeni janë koka e mafies që kontrollonin Gërdecin.

Kujtojmë se 1 muaj më parë ishte ishte Aldo Bumçi, ish ministër Drejtësie në qeverisjen e Sali Berishës gjatë kohës që shpërtheu Gërdeci i cili kur u mor në pyetje nga SPAK ka dhënë sqarime mbi hetimet për tragjedinë, mes të cilave edhe për shkresën zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, në cep të së cilës shkruhej “për Shkëlzen Berishën”. Pas 15 vjetësh, Bumçi është kujtuar të tregojë se nuk e ka shkruar ai shkresën, por që kemi të bëjmë me një falsifikim, e ndërsa një qëndrim i tillë nuk ishte dëgjuar më parë as nga vetë personi i përfshirë, në rastin konkret, djali i Sali Berishës, Shkëlzen Berisha. Shkëlzen Berisha mbase i jep sqarim për herë të parë ndonjëherë deri tani se çlidhje kishte ai me këtë shkresë dhe me tragjedinë e Gërdecit. 

Dëshmia e Diverolit për t’i dhënë ‘kapak’ hetimeve
Dëshmia e Efraim Diverolit, trafikantit të armëve nga Kalifornia, duket se do të jetë 'asi nën mëngë' i SPAK për t’i vënë një ‘kapak’ hetimeve për tragjedinë e Gërdecit e për të bërë më në fund drejtësi pas më shumë se 14 vitesh! Dëshmia e tij tashmë është në SPAK pasi është marrë me letërporosi dhe pritet të jetë kyç në zbardhjen e të vërtetës.  Diveroli, është ndër personazhet kryesore që i paraprijnë tragjedinë e Gërdecit, që përfitoi një kontratë të majme furnizimi armësh nga Pentagoni, në sajë të mbështetjes direkte nga qeveria Berisha, madje edhe lidhjes me Shkëlzen Berishën dhe bleu municione e fishekë nga Shqipëria për t’ua shitur amerikanëve në Irak e Afganistan.

Shkresa 'Për Shkëlzenin' dhe tragjedia e Gërdecit
Dokumenti është nisur nga zyra e ish -ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, në adresë së Ministrisë së Mbrojtjes. Faksi mban datën 13 mars të vitit 2007 dhe është shkresë e dërguar për të koordinuar punën për hartimin e vendimit të Këshillit të Ministrave: “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”. Faksi i mësipërm, për të cilin ish-ministri i Drejtësisë ngulmon se është i falsifikuar është protokolluar nga zyrtarë të Ministrisë së Mbrotjes, duke i dhënë efekshmërinë e plotë ligjore edhe pse ishte përcjellë nga zyra e ish- ministrit të Drejtësisë nëpërmjet faksit. Në këtë shkresë, Bumçi shprehet parimisht dakord me draftin për demontimin e municioneve ushtarake, ndërsa i rekomandon Mediut që në projektvendim të saktësohet se kush është kryetari i komisionit të tenderimit dhe të shmangen fjalët e huaja gjatë hartimit të projektit. Përveç mbishkrimit që faksi t’i dërgohej edhe djalit të kryeministrit, fakt është një ditë më vonë, Berisha ka mbledhur Këshillin e Ministrave për të miratuar pikërisht atë projekt –vendim që do t’i hapte rrugë ndërtimit të fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec. Më 14 mars 2007, një ditë pas datës së faksit, Këshilli i Ministrave ka vendosur me iniciativë të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu të miratojë vendimin për procedurën e trajtimit të armëve, të teknikës, pajisjeve dhe municioneve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi.

Deri tani vetëm Fatmir Mediu i pandehur
Fatmir Mediut iu komunikua zyrtarisht akuza për ‘Shpërdorim detyre’ nga Prokuroria e Posaçme për tragjedinë e Gërdecit. Si person i marrë zyrtarisht i pandehur, Mediu është marrë në pyetje për 60 minuta. Në daljen e tij për mediat, Mediu tha se SPAK nuk kishte asnjë provë shtesë dhe se akuzë është e motivuar politikisht. Mediu tha se nuk ka pasur asnjë kontakt me firmën amerikane që merrej me demontimin, teksa sfidoi duke thënë se “Nëse gjejnë një kontakt timin përtej detyrës si ministër mbaj përgjegjësi maksimale”. Ish-ministri i i Mbrojtjes, Fatmir Mediu akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.

Si ndodhi tragjedia e Gërdecit?
Ishte data 15 mars (e shtunë), 2008 rreth orës 12:05, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm në një "fabrikë" për demontimin e armëve humbën jetën të paktën 26 persona, punëtorë të kësaj fabrike “vdekjeje” e fëmijë të zonës. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa që shkatërroi 3000 banesa e biznese. Një “betejë” e gjatë dhe e ashpër po zhvillohet mes familjeve të viktimave, qeverisë dhe drejtësisë, me bazë akuzat e ndërsjellta mes palëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:26
Djali i tij në SPAK, Berisha: Rama po e përdor për të mjegulluar aferën me McGonigal

 

‘Vizitën’ e djalit të tij në SPAK për të dhënë shpjegim në lidhje me çështjen e Gërdecit Berisha e lidh me faktin se SPAK po përdoret sipas tij nga Rama për të hequr vëmendjen nga çështja me hetimet në SHBA me Charles McGonigal.

“Përpjekje për të mjegulluar aferën Rama –McGonigal, Me instrumentalizimin e ‘SPAK-ut të partisë”, tha Berisha.

Ora 11:58
Shënimi ‘Për Shkëlzenin’, djali i Berishës: Në Ministrinë e Drejtësisë takoja miq, prokuroria të thotë kush e ka shkruar

 

Shkëlzen Berisha është pyetur sot edhe në lidhje me shënimin ‘Për Shkëlzenin’ në një faks të Ministrisë së Drejtësisë. Ai tha se s’ka asnjë lidhje, ndërkohë që pranoi se ka shkuar shpesh në Ministrinë e Drejtësisë se sipas tij ka takuar miq.

“S’kam asnjë lidhje me të. Prokuroria duhet t’i thotë publikut se kush e ka bërë atë shënim. Unë nuk kam asnjë lidhje. Prokuroria t’i thotë publikut se e kujt është kaligrafia, nëse nuk është falsifikim.  Që unë të futem në Ministrinë e Drejtësinë nuk do të thotë që unë marr vendime”, tha ai.

Ora 11:53
Shkëlzen Berisha del nga SPAK: S'kam lidhje me Gërdecin, me Mediun kam folur për çështje familjare, nuk i them

 

Shkëlzen Berisha ka thënë jashtë SPAK se në Ministrinë e Drejtësisë kam hyrë se kam takuar miq! Me Mediun kam folur për çështje personale, nuk i them.

“Jam thirrur si person që ka dijeni për çështjen. Jam pyetur. Sigurisht nuk kisha ç’të ofrojë më shumë nga ato që kam thënë publikisht. Nuk mendoj se dijenia ime ka dhënë ndihmë për çështjen në fjalë. Sepse s’kam asnjë lidhje. E njëjta prokuroria. Sot pas 15 vite e njëjta prokuroria mendojnë se unë mund të kem dijeni për rrethanat e çështjes.

S’kam asnjë lidhje me të. Prokuroria duhet t’i thotë publikut se kush e ka bërë atë shënim. Unë nuk kam asnjë lidhje. Prokuroria t’i thotë publikut se e kujt është kaligrafia, nëse nuk është falsifikim.  Që unë të futem në Ministrinë e Drejtësinë nuk do të thotë që unë marr vendime.

Asnjë gjë nuk ka pasur lidhje me këtë çështje. Kam folur për gjëra personale dhe s’kam dëshirë t’i zbuloj këtu. Jam pyetur brenda. Të komunikosh nuk do të thotë që ke lidhje në të tilla ëështje. Nuk ndjehem aspak i rrezikuar nga SPAK”, tha ai.

Ora 10:45
‘Mediu u mor me gjithçka në detaje! Pasi i shkruajta Berishës, më telefonoi djali i tij’, dëshmia e Luan Hoxhës te amerikanët: Kam frikë (kabllogrami sekret për Gërdecin)

Shkëlzen Berisha është thirrur sot në SPAK për tu marrë në pyetje për shpërthimin me pasoja katastrofike të Gërdecit dhe do të japë shpjegime për çdo lidhje me këtë tragjedi. Një kabllogram i Wikileaks botuar nga DITA, tregon një raportim të Ambasadës në Tiranë për DASH, lidhur me atë që ndodhi në Gërdec. Kabllogrami i klasifikuar sekret raporton një bisedë në Ambasadë mes ambasadorit, stafit të ngushtë të tij dhe ish-shefit të Shtabit të Ushtrisë, Luan Hoxha. Hoxha thotë se Shkëlzen Berisha e ka kërcënuar dhe shton se ish-ministri Mediu ka ndjekur gjithë procesin në detaje.

Më poshtë teksti i kabllogramit

“…Në një takim të kërkuar me ambasadorin, Hoxha tregoi historinë e tij që qëndronte pas shkarkimit që iu bë kohët e fundit duke e lidhur këtë me shpërthimin e Gërdecit.

Në ndryshim nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili nëpërmjet deklaratave publike u vë fajin operativëve të ushtrisë për Gërdecin, Hoxha deklaroi në Ambasadë se që nga fillimi se ish-ministri Mediu ka marë të gjitha vendimet, nga zgjedhja e Gërdecit si vend për shkatërrimin e municioneve, deri tek llojet e municioneve që do të shkatërroheshin dhe planifikimi i kohës se kur do të bëhej shkatërrimi.

Hoxha pranoi se stafit të tij ishte thënë të transportonte municionin në atë vend dhe të ruante vendin, asgjë më tepër. Hoxha tha se kur ai vizitoi Gërdecin në mes të 2007-ës, ushtarët e tij po bënin këto dy detyra, dhe në sipërfaqe u duk se s’kishte asgjë të gabuar.

Ai akuzon se gjatë pjesës së dytë të projektit, nisur në dhjetor 2007, ishte urdhëruar nga Mediu, pavarësisht shqetësimit të tij drejtuar me një letër kryeministrit Berisha, zonjës Topalli dhe Mediut. Pas kësaj, presioni mbërriti përmes telefonit nga një ‘djalë i ri”, i cili më pas u konfirmua si Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit, që e urdhëroi të vijonte dërgimin e municionit të kalibrit të lartë në Gërdec, “pa asnjë vonesë”.

I pyetur nëse e kishte raportuar këtë informacion për Prokurorinë e Përgjithshme, Hoxha u përgjigj “po”, ai kishte dhënë të gjitha informatat dhe dokumentet për hetuesit, me përjashtim të informacionit lidhur me djalin e Berishës. Mbi këtë ai tha se nuk ndihej i sigurtë që të fliste.

Ambasadori i tha se nëse hetimet e prokurorisë do të jenë të suksesshme ata që dinë të vërtetën duhet të flasin hapur. Hoxha ishte dakord se në interes të drejtësisë ai duhej të fliste hapur, por nuk konfirmoi që do ta bënte këtë. (shënim: Hoxha tha se ka plot të tjerë që e dinë këtë informacion).

Koment: Ky është incidenti i dytë që një zyrtar shpreh një shqetësim të fortë, rrethuar me frikë, për sigurinë personale dhe profesionale, në fshehtësi të plotë me Ambasadorin. I pari erdhi nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Disa jashtë mbështesin versionin e ngjarjeve të Hoxhës. Si shef i ushtrisë, marrëdhëniet me ish-ministrin Mediu ishin gjithmonë të tendosura; ai duket se në mënyrë frekuente ishte jashtë loje duke patur mungesë autoriteti për të përmbushur detyrat në zyrën e tij.

Sipas të dhënave, Prokurorja e Përgjithshme duket se e ka fokusuar investigimin e saj larg ushtrisë dhe Mediut. Nëse versioni i Hoxhës përmban elementë të vërtetë mund të ndihmojë në dhënien përgjigje të elementëve relevantë dhe pyetjes më të madhe: Përse PD ka avancuar me sulmet konstante ndaj institucioneve të pavarura pikërisht në këtë kohë, duke alarmuar komunitetin ndërkombëtar dhe duke e drejtuar atë drejt pikëpyetjeve për kredencialet demokratike të Shqipërisë kur ndodhet përpara ratifikimit të marrëveshjes më NATO-n…”

(fundi i kabllogramit)

K.T./a.m./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • drejtesia popullore: 27/01/2023 14:02

    hajdeni ti japin fund dinastise berisha te gjithe kriminele si familje ,drejtesia popullore po vjen

    Përgjigju
  • karadakliu: 27/01/2023 10:41

    Po ku ishte shteti?! Ku ishte e drejta dhe ligji?!!Qe deri sot, dhe sot e tutje, mos te trajtohen ligjesisht kryesit e vrasjeve,plagosjeve te banoreve te pafajeshem dhe shkaterrimit te nje vendbanim mu afer Tiranes!Kur dihshin e njihshin organizuesit, perfituesit dhe "pronaret aktual" te rretherrotull vendit te krimit!

    Përgjigju
  • vicidoli: 27/01/2023 09:11

    plere, s din gje tisi yt tat kriminel qe s njihte as kunatin...

    Përgjigju
  • Iris: 27/01/2023 01:06

    Pse habitesh?! Para 15 vjetesh ishte prokuroria e tredhur, e shitur ,e blere,e bere si me kallep nga babai jot,tani kemi nje prokurori me te pavarur,por sa,koha dhe vendimet kane per t'a treguar.

    Përgjigju
  • Gjergj: 26/01/2023 17:21

    26 viktima qè nuk janè mè, dhjetèra tè plagosur fizikisht dhe tè traumatizuar pèrgjithlonè, dèmet materiale nè shifra marramendèse, shteti shqiptar si njè nevojtore publike nè sytè e botès,,,vetèm e vetèm qè ky birbo,,,tè trashej nga ana financiare. Sot, bèn "tè habiturin" dhe tallet me gjithçka. Pyes veten, a ka vallè prokurorè me donjitet dhe format profesional SPAK apo ka marrè fund ky vènd pèrgjithmonè?

    Përgjigju
  • anna: 26/01/2023 12:35

    Prandaj doli dje te bente presion ky kriminel se do merrte Spak sot Zenin

    Përgjigju
  • Krim ekonomik dhe njerezor: 26/01/2023 11:41

    te radti i Shkezenit kemi njerez te vrare dhd kprrupsion. Skelzeni djali i kryeministrit qe adminstronte nje lrone shteterore ushtarake dhe municionet e ushtrise.

    Përgjigju
  • goni: 26/01/2023 10:18

    ding dong ding dong xeni gongu po bjen

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Ça do më bësh', përplasje e fortë mes Lart Vasilit dhe G-Banit: I pafe, njeri i errësirës

'Ça do më bësh', përplasje e fortë mes Lart Vasilit dhe G-Banit: I pafe, njeri i errësirës