Paqartësia aktuale e qeverisë mbi sasinë dhe mënyrën e shlyerjes së borxheve të prapambetura ndaj biznesit duket se do të tejkalojë pritshmëritë e biznesit për një shlyerje të shpejtë të tyre. Kompanitë që kanë përfituar kontrata për punime, shërbime ose blerje të ndryshme nga qeverisja publike janë sot në pritje të shlyerjes së detyrimeve në një kohë të shpejtë. Kjo pritshmëri bazohet në premtimin tashmë zyrtar të dhënë nga Kryeministri Rama brenda vitit 2014.

Pothuajse të gjithë ekspertët janë të mendimit se, pa pagimin e borxheve të prapambetura, është e pamundur të kemi një rritje ekonomike të qendrueshme dhe stabilitet të financave publike. Nuk duhet harruar se adresimi i zgjidhjeve të sakta të problemit të faturave te papaguara dhe detyrimeve te prapambetura rrit besueshmërinë ndaj qeverisë. Sipas deklarimit të fundit të FMN-së, “pastrimi i ketyre detyrimeve do të forconte bilancet e sektorit privat, do të lehtësonte rinisjen e rritjes së kreditimit duke ndihmuar në uljen e kredive nën-standart dhe duke mbështetur kërkesën vendase”. Megjithatë pyetja kryesore ngelet.

A do të mundet të shlyhet borxhi prej 600 milionë dollarësh, siç përflitet nga autoritetet, brenda periudhës së premtuar?

Nëse nisemi vetëm nga deklaratat e ministrit të Financave Shkëlqim Cani, por edhe ministrave të tjerë, institucionet e të cilëve do të ndezin dritën jeshile për hapjen e rrugës së pagesave, duket se ky proces do të kërkojë kohë. Kjo kohë nuk varet nga vullneti dhe dëshira e kësaj qeverie. Ato janë të qarta tashmë. Kjo kohë do të varet nga mënyra e zhvillimit të procedurave teknike të parashikuara në aktet ligjore dhe nënligjore, por edhe nga kapacitetet e administratës publike. Për momentin, nuk po përmend elementin kryesor, mundësitë financiare për shlyerje, siç është premtuar. 

Fillimisht, Ministria e Financave ka filluar të nxisë sektorin privat për të paraqitur pretendimet e tij brenda një afati kohor të arsyeshëm. Hapi i dytë që do të ndërmarrë Ministria e Financave, por edhe ministritë e tjera, është verifikimi i masës së vërtetë së detyrimeve. Ky hap do të ndërmerret pas një auditimi të kujdesshëm që ka filluar nga Deloitte & Touche. Konkluzionet e kësaj kompanie do të përfundojnë së përgatituri dhe do të dorëzohen më 30 nëntor të këtij viti. Normalisht, parashikohet edhe përfshirja e tyre në statistikat e borxhit publik.


Ministri i Financave Cani tha para disa ditësh se, “pas njohjes se borxhit ndaj biznesit vendas dhe të huaj, Ministria e Financave po përgatit të gjitha hapat e mëtejshme për menyrën e pagesës, një proces që do të jetë po aq transparent, edhe gjithëpërfshirës, për të mos lejuar asnjë pagesë të faturave joreale dhe të punëve të pakryera në mënyrë cilësore”.

Pra, Ministri Cani paralajmëron një proces verifikimi ligjor që do të ndajë faturat reale nga ato joreale, përmbushjen korrekte me jokorrekte të kontratave. Ky proces kërkon kohën e tij të domosdoshme. 

Por, ka edhe një problem tjetër që nënvizohet mes rreshtave të deklaratave të autoriteteve: Përmbushja e kontratave. Mos të harrojmë se, të paktën koha e parashikuar në kontratat e punimeve të infrastrukturës është shumë më e gjatë se ç’e imagjinojmë. Mjafton të shikosh stërzgjatjen kohore të ndërtimit të dublimit të rrugës Plepa – Rrogozhinë. Nëse kujtojmë deklarimet e ish-ministrave Bode dhe Olldashi kur thonin se nuk kemi borxhe, pasi kompanitë janë paguar sipas afateve të kontratave, kupton se logjika e prerjes së shiritave të fillimit të punimeve mbyste logjikën ekonomike dhe shkencore të ndërtimit. Edhe formulari online i publikuar aktualisht nga Ministria e Financave piketon përmbushjen e kontratave ekzistuese. Pra, nuk deklarohet asnjëherë ndryshimi i këtyre afateve. Rrjedhimisht, kjo nënkupton se shlyerja e shifrës prej 600 milionë USD mund ta tejkalojë 2014-ën.   

Para pak ditësh, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, pra drejtuesi i institucionit që deklaron se ka 450 milionë USD të papaguara, tha në Elbasan se “prioritet absolut i kësaj Qeverie është që të plotësojë të gjithë detyrimet që ka ndaj këtyre kompanive, detyrime që kanë të bëjnë me pagesa për punime të realizuara, por edhe me përmbylljen e të gjithë kontratave”. Pra, pas evidentimit të totalit të detyrimeve dhe verifikimit të bazës së tyre ligjore, duhet të qartësohet se cilat nga investimet e papaguara mund të përfshihen në investimet e vitit 2014, cila pjesë e tyre kërkon huamarrje të re, veç atij të një buxheti vjetor, etj. Dhe, pasi të jetë kryer ky proces, do të shpallet një afat për të shlyer këto detyrime. Më pas do të pritet dhe fillimi i zbatimit. 

Në këtë moment shtrohet një problem tjetër, ai i kapacitetit financiar i qeverisë për të shlyer detyrimet e prapambetura. Mos të harrojmë që gjatë kësaj kohe lindin normalisht detyrime të tjera në përmbushje të programit të premtuar të qeverisë.

Ministri Cani në tetor theksoi se po negociohet me FMN dhe Bankën Botërore për marrjen e njëë kredie për përmbushjen e këtyre detyrimeve. Nëse fokusohemi vetëm këto dy institucione financiare, duhet të jemi të qartë për procedurën deri në arritjen e ardhjes së parave nga këto institucione. Deri më sot, nuk ka akoma asnjë deklarim zyrtar të një zyrtari të tyre për pranimin në parim për dhënien e një ndihme financiare të tillë. Jemi në nëntor 2013. Në rastin më të mirë, ky vendim të do të kalojë për miratim në bordin drejtues në prill ose maj 2014 në mbledhjen vjetore të bordeve të FMN-së ose BB-së. Mos të harrojmë që ky vendim merret për t’u zbatuar - në rastin më të mirë - në vitin 2015. Edhe nëse do të diskutohet thithja e kësaj ndihme nga institucione financiare të ngjashme evropiane apo të Lindjes së Mesme, sërish procedura do të jetë e njejtë. Kështu që, qeveria nëse do të kërkojë të përmbushë me çdo kusht premtimin për shlyerjen e borxheve brenda 2014, siç ka premtuar Kryeministri Rama, do të jetë e detyruar të përdorë burimet e veta të të ardhurave.

I gjithë ky proces do të kryhej nga një administratë shtetërore  në reformim të ngadaltë e sipër, për shkak të ndryshimit të qeverisjes, dënimit të abuzuesve, largimit të të paaftëve, etj. 

(sg/shqiptarja.com)