Refuzoi të njihet me masën e sigurisë, 'skadon' afati për Sali Berishën, nesër zhvillohet seanca: Do merret në pyetje për aferën e 'Partizanit'

Refuzoi të njihet me masën e sigurisë, 'skadon' afati për Sali Berishën, nesër zhvillohet seanca: Do merret në pyetje për aferën e 'Partizanit'

Sali Berisha

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur që nesër në orën 14:00 do të mbahet seanca gjyqësore për ish-Kryeministrin, Sali Berisha ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”, për veprën penale “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, në lidhje me aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. 

“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ne datën 24.10.2023, dite e marte, ora 14:00, ka caktuar seancën gjyqësore te marrjes ne pyetje te personit nën hetim Sali Berisha, bazuar nenit 248 pika 1 te K.Pr.Penale”, thuhet në njoftim.

Policia e Shtetit tentoi ta njoftojë me masën e sigurisë edhe të shtunën në mbrëmje pas konferencës që mbajti për mediat nga selia e Rithemelimit, por Berisha i shmangu dhe nuk i takoi duke i nxjerrë mbështetës të tij me pretendimin se SPAK më herët duhej të kishte marrë autorizimin e Kuvendit për masat ndaj tij.

Ndërsa sot, dy ditë pasi mori në dorëzim dosjen që e njeh me shkeljet e tij dhe të dhëndrit për privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani, Berisha doli para mediave për të mohuar gjithçka dhe për të vënë në qendër të sulmeve prokurorët e SPAK. Për gati 2 orë Berisha foli në mbrojtje të dhëndrit, duke thënë se nuk ka marrë as 10% të pronave që meriton, duke mohuar që ka ndryshuar ligjet për të favorizuar Jamarbër Malltezin. Këtë të fundit SPAK e akuzon se përfitoi 5.4 milionë euro nga privatizimi i ish-klubit partizani. Prokurorët e SPAK i akuzoi si sharlatanë në funksion të Edi Ramës dhe mohoi akuzat se ka favorizuar dhëndrin.

Në dosjen “Partizani” Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi akuzohen për “korrupsion” dhe “pastrim parash”, ndërsa Sali Berisha vetëm për “korrupsion pasiv”. SPAK nënvizon se Berisha ka përdorur administratën dhe i ka bërë presion asaj, për përfitime tek dhëndëri i tij. Malltezi dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv në bashkëpunim me vjehrrin e tij Sali Berisha, duke shfrytëzuar pushtetin e tij si kryeministër, duke përfituar nga privatizimi i terreneve dhe objekteve sportive, nga ndryshimi i destinacionit nga zona sportive në zona banimi, shuma të konsiderueshme në cilësinë e investuesit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar në të, si dhe përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri. Ndërsa në bashkëpunim me ndërtuesin Fatmir Bektashi, Malltezi dyshohet se ka kryer pastrim të produkteve të veprës penale, duke u paraqitur si investitor në punimet për ndërtimin e bllokut të banesave, ndërkohë që nuk rezulton të ketë investuar, duke kryer veprime financiare, transaksione të copëzuara, apo në cash, për të fshehur origjinën dhe për të përfituar në mënyrë të paligjshme shuma deri mbi 5 milionë euro.

Operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë u ekzekutua të shtunën e 21 tetorit, teksa Malltezi u ndalua në Rinas në kohën kur priste të shoqen në kthim nga jashtë shtetit.

B.K/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Greqia thotë se mbështetja e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në BE është e kushtëzuar

Greqia thotë se mbështetja e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në BE është e kushtëzuar