Shoqata e Kamionistëve në Maqedoninë e Veriut ka reaguar për protestën duke thënë se në mesditë 370 kamionë do të bllokojnë të gjitha pikat kufitare në vend. Do të ndalet transporti i mallrave drejt Bashkimit Europian dhe tranziti nëpër rajon. Përjashtim bëjnë kamionët që transportojnë ilaçe, kafshë të gjalla, eksplozivë dhe municion. Nuk preken autobusët dhe mjetet personale.

Bllokada e cila është paralajmëruar se do të zgjasë 7 ditë, do të ndërpritet nëse vendet e BE-së do të dërgojnë sinjale për një zgjidhje.

Nëse qoftë ditën e parë apo të dytën dërgohet sinjal tek institucionet kompetente të shtetit tonë se do të zhvillohen takime për gjetjen e një zgjidhjeje, ne menjëherë do ta ndërpresim bllokadën. Nuk duam t’i shkaktojmë dëm as vetes, as ekonomisë. Si rajon do të përballemi me një situatë ku shumë transportues do të kërkojnë zgjidhje duke transferuar kapitalin në shtete të tjera të BE-së, gjë që do të çonte në kolaps të tërë ekonomisë,” deklaroi Biljana Muratovska, nga Shoqata e Transportit Makam-Trans.

Transportuesit paralajmërojnë se nëse BE-ja nuk gjen mënyrë për tejkalimin e këtij problemi, kjo do të nënkuptojë kolaps për ekonominë e Ballkanit Perëndimor. Kostot e transportit do të rriten shumëfish, e bashkë me to edhe çmimet e produkteve. Nga qeveria thonë se janë në komunikim me përfaqësuesit evropianë me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje dhe për të vënë në dukje problemet e transportuesve, të cilat përbëjnë kërcënim serioz për ekonominë.

Transportuesve të Maqedonisë së Veriut do t’u bashkohen të tjerë nga Serbia, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi.


Lajmi kryesor:

Bllokada e kamionistëve në Ballkanin Perëndimor, ndalohet qarkullimi i mallrave drejt Europës! Protesta prek pikat kufitare të Shqipërisë me Malin e Zi e Maqedoninë