Shoqata Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike përmes një letre të hapur drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe ministrave, Olta Xhaçka e Blendi Klosi ngre shqetësimin se konsullata shqiptare në Stamboll ka refuzuar vizat për 48 turistë nga Iraku të cilët kishin paguar paketën e udhëtimit në vendin tonë.

Shoqata bën të ditur se turistët Irakianë ishin mjekë që do të vinin për një seminar dhe do të akomodoheshin në hotelin më të mirë me 5 yje në Tiranë si dhe në një hotel luksoz në Sarandë dhe në pasaporta kishin viza në shtete të ndryshme europiane, madje dhe SHBA e Kanada.

"Në përbërjen e Grupit prej 48 Turistësh Irakianë, ishin 30 Mjekë dhe Doktorë të cilëve ju refuzua viza pa asnjë të drejtë.  Çdo vendim për refuzimin e hyrjes në Shqipëri duhet të jetë i bazuar në të dhënat individuale të secilit e jo në paragjykimin se çdo Irakian është një azilkërkues…. Doktorët Irakianë që do të vinin për një seminar apo konferencë të akomoduar në hotelin më të mirë me 5 yje në Tiranë, dhe që planifikuan të qëndronin edhe 3 ditë më tepër në një nga hotelet më luksoze në Sarandë, të jenë të gjithë kontigjentë per t’u refuzuar? Edhe 20 pjesëtarët të një grupi tjetër irakiën, me vula dhe viza të përdorura hyrjesh në shtete europiane, USA a Kanada, Turqi a Egjipt, të ishin të gjithë për t’u refuzuar?", thuhet në letër.

Sipas shoqatës refuzimi masiv i kërkesave për vizë turistike është i pa justifikuar dhe e pa bazuar në kriteret dhe rregullat në fuqi. Ky vendim sipas tyre është i dëmshëm dhe minon përpjekjet e Operatoreve Turistike vendas dhe të huaj për zhvillimin e Turizmit në vendin tonë. Shoqata e turoperatoreve turistikë përmes kësaj letre të hapur kërkon hetim të veprimeve të konsullatës Shqiptare në Stamboll dhe transparencë për ligjshmërinë e këtyre veprimeve sabotuese.

"Krahas humbjeve të konsiderueshme që u janë shkaktuar individëve edhe Operatorëve Turistikë nga parapagimet e Biletave dhe Hoteleve që janë pothuaj të pa kthyeshme, një humbje edhe më e madhe po i shkaktohet sektorit të Turizmit dhe imazhit të Shqipërisë si një destinacion nderkombëtarë. Shoqata ATOA me anë të publikimit të kësaj letre të hapur, kërkon nga autoritetet shtetërore, hetim të veprimeve të konsullatës Shqiptare në Stamboll dhe transparencë për ligjshmërinë e këtyre veprimeve sabotuese të punës së Operatoreve Turistikë", përfundon letra.

Letra e shoqatës dërguar Ramë, Xhaçkës dhe Klosit