Zgjedhjen e Julia Emirit në krye të Këshillit Kombëtar të PD-së, demokratja Evi Kokalari e shikon një veprim jo të bazuar në meritokraci dhe për këtë arsye, ajo i kërkoi sot të japë dorëheqjen.
Përmes një reagimi në rrjete sociale, Kokalari, e cila në mars u përpoq të garonte kundër Sali Berishës në zgjedhjen pa garë për kryetarin, ngre pikëpyetje mbi ‘promovimin’ e Emirit në këtë post, menjëherë pas daljeve të saj në protestat para kryeministrisë.
Kokalari shtron gjithashtu pyetjen nëse Emiri mori postin për shkak të ndonjë miqësie me Argitën apo Shkëlzen Berishën dhe e këshillon të japë dorëheqjen urgjentisht, për respekt të grave që sipas saj, po abuzohen masivisht në Partinë Demokratike edhe pse kanë një jetë që sipas saj mbështesin "një mashtrues si Sali Berisha.".
" Më fal, kush është kryetarja e Këshillit Kombëtar të PD-së? Ah, askushi!!! Asnjë kontribut në PD. Del, flet në protestë dhe pastaj pranon pozicionin e kryetares së Këshillit Kombëtar, duke e ditur që nuk e njeh askush në PD dhe që nuk ka asnjë historik për t’u bërë kryetare e saj. Turp. I them asaj vajze të japë dorëheqjen, sepse nëse është serioze për ndryshim (fakti që ka folur në protestë më bën të mendoj se do ndryshim), atëherë nuk duhej ta pranonte as kandidaturën. Nuk e di nëse kjo është shoqja e Argitës, e Shkëlzenit apo e dashura e dikujt aty, sepse me meritokraci aty nuk është. Në atë PD, ka pafund femra që janë pjesë e saj që në vitin 1991 dhe nuk kanë lëvizur, e megjithatë po abuzohen masivisht, duke të instaluar ty në krye. Merr shembull nga unë, që jo vetëm mundësova kthimin e Berishës në 2022, por edhe refuzova të jem në Këshill, në Kryesi dhe nënkryetar i PD-së. Ama luftën kundër manipulimit dhe vjedhjes së votës të atyre që po lija pas, kam pesë vjet që e bëj - pra që në momentin që kuptova që po i abuzonin. Prandaj, i kërkoj edhe një herë kësaj vajze të japë dorëheqjen urgjentisht, për respekt ndaj të gjitha grave, por edhe burrave, që kanë një jetë që mbështesin një mashtrues si Sali Berisha dhe vazhdojnë të abuzohen masivisht" shkroi Kokalari.
Kujtojmë se Julia Emiri u zgjodh një ditë më parë në krye të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, duke pasuar Edi Palokën. Emiri fitoi përballë Silva Hasës në votimin e zhvilluar në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ndërsa është bërë e njohur muajt e fundit për angazhimin dhe fjalimet e saj në protestat e opozitës para Kryeministrisë.
Evi Kokalari ka qenë një nga mbështetëset e Sali Berishës në fillimet e lëvizjes së tij Rithemelimit. Por gjërat ndryshuan. Në muajin mars ajo shpalli kandidaturën për kryetare të Partisë Demokratike përballë Berishës, por kandidatura e saj dhe e kandidatëve të tjerë si Ervin Salianji apo Alesia Balliu nuk u pranua nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE), duke e lënë Berishën kandidatin e vetëm në garën artificiale. Pas këtij vendimi, Kokalari e cilësoi procesin një farsë dhe akuzoi direkt Berishën dhe të tijët për mungesë gare dhe meritokracie.
Komente








