Shpërndarja e mandateve të
deputetëve, debate në KQZ

Shpërndarja e mandateve të <br />deputetëve, debate në KQZ
TIRANE - Shpërndarja e mandateve të deputetëve ka kthyer sallën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në arenën e përplasjeve të forta dhe mungesës së zgjidhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar sot shpërndarjen e ndihmës financiare vjetore për partitë politike. Ligji “Për buxhetin e vitit 2013” parashikon një fond prej 200 milionë lekësh të reja, si mbështetje financiare për partitë politike për vitin 2013.

Mbledhja nisi me debate mes nënkryetarit të KQZ-së, Denar Biba dhe kreut të KQZ për mosfutjen në rend të ditës së kërkesës së Denar Bibës e Albana Shtyllës për informacionin për kërkesën që sekretarja e KQZ i ka dërguar Kuvendit ku i propozon të bëjë ndarjen e mandateve sipas 2009. PS kërkoi që të përfshihet në rend të ditës dhënia e informacionit për ndarjen e mandateve por dhe shkeljen e kompetencave nga administrata e KQZ-së me anë të dërgimit në Kuvend të kërkesës për ndarjen e mandateve. Por kryetarja e KQZ nuk e pranoi pasi tha se nuk është në rend dite. 

Kryetarja e KQZ-së Lefterie Lleshi e akuzoi Bibën se po shfrytëzon kamerat. “Je bërë zëdhënësi i shtypit i KQZ që drejton gazetarin . Ti po përdor 100 kamera çdo ditë jashtë këtij komisioni. Preferoj të mos të të ndjek në asnjë deklaratë jashtë kësaj zyre. Preferoj të mos të të ndjek në asnjë deklaratë jashtë kësaj zyre”- tha Lleshi. Nënkryetari Biba duke iu drejtuar kryetares së KQZ-së  tha : “Po më heq të drejtën e fjalës. Je frikacake.”

SHTYLLA: KERKESA PER NDARJEN E MANDATEVE PER 2009 NUK ESHTE LAPSUS
Anëtarët socialistë ngrejnë pyetjen pse ka shkuar vendimi i ndarjes së mandateve për 2009, dhe nuk iu bashkangjitën dokumentacioni i zgjedhjeve paraardhëse. Albana Shtylla, anëtarja e KQZ-së e zgjedhur nga PS tha se “në asnjë rast nuk është lapsus. Është politike dhe e nxitur nga interesa të caktuara, dhe krytarja për të shpëtuar veten nga pasojat, ia ka lënë administratës në dorë”.

BIBA: NDARJA E MANDATEVE SI NE 2009, ANTIKUSHTETUESE

“Është e disata herë që kërkojmë në mbledhje të KQZ prezantimin e çështjeve që na shqetësojnë dhe na refuzohet pa asnjë lloj baze ligjore. Disa herë i kemi kërkuar kryetares së KQZ bazat ligjore pse ka refuzuar por asnjëherë nuk i ka dhënë.”- tha Biba në një prononcim për mediat, gjatë një pushimi 5 minutësh.
Gjithashtu Biba kërkoi informacion në lidhje me sekretaren e përgjithshme e cila i kërkon Kuvendit të ndajë mandatet si në 2009. “Dua të theksoj se në 2009 Ristani pati burrërinë e çoi vetë dhe nuk u fsheh nga sekretari i përgjithshëm. Ndarja e mandateve me popullatën e 2009 është antikushtetuese pasi ka pasur lëvizje demografike. Nuk mundet që vota e një kuksiani të vlerësohet sa vota e 3 tiranasve, korcarëve. Ky informacion nuk na u dha dhe ju nuk e dëgjuat.”

JA CFARE U MIRATUA SOT NE KQZ
Në mbledhjen e ditës së sotme, Komsioni Qendror i zgjedhjeve shqyrtoi dhe vendosi:
- Miratimin e modelit të rregjistrit të ankimeve zgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit. Të gjitha ankimet e mundshme të depozituara nga subjektete zgjedhore do të mbahen në një regjistër të posaçëm i cili është i vlefshëm vetëm për zgjedhjet e vitit 2013.s
- Miratimin e modelit të kërkesës ankimore për ankimin në rrugë administrative të vendimeve të KZAZ dhe të KQZ. Në rast të ndonjë ankimi të mundshëm të subjekteve zgjedhore, kërkesa ankimore duhet të plotësohet sipas modelit të miratuar.
- Miratoi ndryshimet në udhëzimin për organizimin dhe funksionimin e zyrave rajonale zgjedhore. Sipas këtij ndryshimi Zyrat Rajonale Zgjedhore në 12 Qarqet e vendit do të ngrihen në njësitë administrative që do të përcaktohen me vendim të KQZ-së.
- Miratoi shpërndarjen e fondeve vjetore të partive politike për vitin 2013. Këto fonde do të ndahen sipas ligjit për partitë politike, i cili parashikon se mund të përfitojnë fonde vetëm ato parti parlamentare të cilat kanë përfituar qoftë edhe një manadat në zgjedhjet pararendëse. Në përcaktimin e shumave për partitë parlamentare, KQZ i referohet vendimit nr. 602, datë, 1.8.2009 për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të vitit 2009.
- Miratoi detajimin buxhetit për institucionin e KQZ-së për vitin 2013.

SA LEKE MERR CDO PARTI
Tre janë kriteret kryesore të shpërndarjes së këtij fondi. 70 % e tij ndahet sipas numrit të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare. 20 % ndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet partive parlamentare, ndërsa 10 % shkon për partitë që në zgjedhjet e fundit parlamentare kanë fituar mbi 1 % të votave në shkallë vendi.

Në bazë të kësaj skeme, Partia Demokratike merr mbi 83.5 mln lekë, PS mbi 80.6 mln, LSI rreth 11.7 mln, PDIU rreth 7.7 mln, PBDNJ gati 8 mln, Partia Republikane mbi 8.1 mln dhe Partia Socialdemokrate mbi 352 mijë lekë të reja. Nga kjo përllogaritje nuk përfiton FRD.

FRD, nëpërmjet Sekretarit të saj për Çështjet Zgjedhore, Ervin Karamuço, bëri të ditur dje shqetesimin e saj në lidhje me një praktike të re, sipas tyre abuzive që është duke u gatuar në KQZ lidhur me përjashtimin e FRD-së nga përfitimet e ligjshme që parashikon Kodi Zgjedhor për partitë parlamentare.

"Sipas nenit 2 pika 12 e Kodit, çdo parti politike që posedon të paktën një vend në Kuvend, ka të drejtën të përfitojë çdo atribut që i njihet nga ky kod lidhur me financimin partiak, prezencën e tij permanente pranë KQZ, përfshirjen e saj në strukturat e tjera zgjedhore etj. Më 15 janar KQZ ka caktuar shpërndarjen e fondeve për partitë politike parlamentare, duke përjashtuar nga lista e këtyre partive FRD. Ky veprim përforcon edhe më shumë parashikimet që ne si forcë politike kemi patur dhe kemi për veprimtarinë e këtij komisioni, shoqëruar kjo edhe nga një skepticizëm i shtuar i partnerëve ndërkombëtare", tha ai.

Pas akuzave të FRD i menjëhershëm ka qënë edhe reagimi. "Fondi ndahet sipas ligjit për partitë politike, është në raport me numrin e deputetëve të fituar së fundmi. FRD s'ka marrë pjesë në zgjedhje si parti s'ka përfituar mandate dhe nuk mund të përfitojë nga fondet e buxhetit", sqaroi KQZ.

Redaksia online
(sg/eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?



×

Lajmi i fundit

'Azgan, Azgan, po të luajti njeri atje…', pse duhen arrestuar edhe prindërit e vrasësit të policit

'Azgan, Azgan, po të luajti njeri atje…', pse duhen arrestuar edhe prindërit e vrasësit të policit