Politikani Arjan Galdini është shprehur se opozita në Shqipëri dhe konkretisht PD si partia më e madhe opozitare, nuk kanë asnjë objektiv për të ardhur në pushtet.
Komentet Galdini i bëri në emisionin ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku i cilësoi përfaqësuesit e opozitës si impotentë.
“Për opozitën unë di të them vetëm kaq. Opozita shqiptare ka kohë që nuk ka asnjë objektiv pushteti. Dhe një opozitë që nuk ka asnjë objektiv pushteti, mos dëgjo retorikën, veprimet e tyre flasin që ata nuk kanë qëllim të vijnë në pushtet. Dhe ata e dinë që nuk vijnë në pushtet. Dhe ata janë të qartë që janë impotentë, të tredhur, eunukë. Mos më nxirr Gaz Bardhin që mos të duket sikur e kam me të. Më nxirr Mulin”, tha mes të tjerash Galdini.
Galdini vijoi më tej duke thënë se e gjithë loja e PD-së dhe Sali Berishës është që të mbajnë kryeministrin Edi Rama në pushtet.
Lidhur me protestat e fundit të Berishës, Galdini tha se kryedemokrati po përpiqet që përmes molotovit dhe fishekzjarreve të japë idenë sikur në Shqipëri po bëhet luftë, kur në fakt sipas tij nuk po ndodh asgjë.
“Opozita e di që nuk do të vijë në pushtet dhe ka vetëm një lojë në këtë mes, që të mbajë yllin polar në pushtet, të mbajë Edi Ramën në pushtet. Po lëvizi Edi Rama nga pushteti, rënia e Ramës si kryeministër, bie një konjukturë e tërë marrëveshjesh të pista që la bërë klasa politike në 36 vite. Edi Rama është i vetmi shpëtim. Po të shikoni ata kanë ndarë edhe zonat e influencës. Sali Berisha ndihmon në promovimin e Ramës si i vetmi faktor stabiliteti dhe si i vetmi lojtar politik që mund të hyjë në sallonet ndërkombëtare. Dhe për t’i dhënë pak esencë pikante lëvizjeve të Ramës në korridoret ndërkombëtare, Berisha fut pak zjarr, pak fishekzjarre. Berisha dikur hidhte molotov, tani hedh fishekzjarre. Ai bën skenografi për idenë e luftës, të bëjë show”, shtoi Galdini.
Lajmi kryesor:
PS mbledh nesër Grupin, Demalia: Balluku është kthyer në ‘gjyle’ në këmbët e Ramës! Galdini: Kryeministri ia ka kënduar këngën ‘erdhi koha për t’u ndarë’












