Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur në derën e jashtme të banesës së një 69-vjeçari në qytetin e Elbasanit.

Ngjarja është shënuar në lagjen “Çlirimi”, ndërsa si pasojë e shpërthimit para banesës së Shefki Krakullit janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Ndërkohë burime bëjnë me dije se autori pas ngjarjes është larguar me biçikletë.

“Në lagjen “Çlirimi”, është dëmtuar, dyshohet me lëndë plasëse, dera e jashtme e rrethimit të banesës së shtetasit Sh. F., 69 vjeç. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve", njoftoi sot policia.

 Shefki Krakulli është babai i Ernold Frakullit një emër i njohur për policinë. Ky i fundit në 2015 u arrestua nga policia italiane së bashku me shokun e tij dhe 9 të tjerë nën akuzën e vjedhjes së rreth 2039 copë djathë Parmiggiano Reggiano, por me një vlerë prej 785 mijë euro.