Një punëtor shqiptar ka humbur jetën dhe një tjetër ndodhet në gjendje kritike për jetën pas një aksidenti të rëndë në rafinerinë e naftës Motor Oil në Agioi Theodoroi, pranë Korinthit, në Greqi.

Ngjarja ndodhi paraditen e së premtes, 9 tetor, gjatë punimeve të mirëmbajtjes në ambientet e rafinerisë. Dy punëtorët, të moshave 43 dhe 50 vjeç sipas një prej raportimeve, ishin pjesë e një kompanie të jashtme kontraktore që po kryente ndërhyrje në pajisjet industriale.

Sipas informacioneve paraprake, gjatë punimeve në shkëmbyesit e nxehtësisë në njësinë U-607, një kapak metalik shpërtheu si pasojë e çlirimit të gazit nën presion, pa pasur ndezje apo zjarr. Nga shpërthimi, dy punëtorët pësuan plagë shumë të rënda, kryesisht në kokë, ndërsa një person i tretë u lëndua lehtë dhe shfaqi probleme të lehta me frymëmarrjen.

Dy të plagosurit rëndë u transportuan fillimisht me ambulancat e kompanisë drejt spitalit të Korinthit dhe më pas në spitalin Thriasio. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, njëri prej tyre ndërroi jetë, ndërsa tjetri ndodhet i intubuar në terapi intensive, në gjendje kritike.

Kompania Motor Oil konfirmoi vdekjen e punëtorit përmes një deklarate zyrtare.

“Me trishtim të thellë u informuam se njëri prej dy punonjësve të kompanisë kontraktore bashkëpunëtore, të cilët u plagosën rëndë në aksidentin e sotëm, ka ndërruar jetë, pavarësisht të gjitha përpjekjeve të mjekëve. Gjendja shëndetësore e të dytit mbetet kritike”, thuhet në deklaratë.

Drejtuesit e kompanisë shprehën ngushëllimet për familjen e viktimës dhe deklaruan se do t'i qëndrojnë pranë, ndërsa theksuan se po bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Ndërkohë, policia greke shoqëroi në komisariatin e Agioi Theodoroi kontraktorin 59-vjeçar, përgjegjës për ekipin e jashtëm që po kryente punimet. Me urdhër të prokurorit, shoqërimi i tij u kthye në arrestim.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e shpërthimit dhe nëse janë respektuar masat e sigurisë gjatë ndërhyrjeve në rafineri.

Motor Oil Hellas është një nga grupet më të mëdha të energjisë dhe naftës në Greqi. Rafineria e saj në Agioi Theodoroi, rreth 66 kilometra në perëndim të Athinës, konsiderohet kompleksi më i madh industrial tërësisht privat në vend